Menu

Barazohen çmimet midis kafesë arabike dhe asaj robuste

Kompanitë prodhuese të kafesë, si dhe ato që merren me pjekjen e saj, kanë ngritur alarmin për një goditje tjetër që po i jepet këtij sektori pas sezonit të ngricave në Brazil. Si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të Covid -19 në Vietnam dhe vendosjes së shtetrrethimit atje, çmimet priten të rriten sërish. Vietnami, është prodhuesi i dytë më i madh në botë i kafesë, gjë e cila ka sjellë dhe rritjen e cmimit të saj dhe ka krijuar shqetësime të mëdha përsa i përket furnizimeve të eksportit.

Vietnami është eksportuesi kryesor i kafesë robusta kokërr, me shije të hidhur, e cila përdoret për kafenë e menjëhershme me paketa, si dhe për disa përzierje ekspresi. Rritja e madhe e infeksioneve Covid-19 dhe mungesa e vaksinave kanë bërë që qeveria vietnameze të imponojë kufizime udhëtimi në zonat prodhuese të kafesë. Sipas analistëve të tregut të kafesë, ka shqetësime që kafeja robuste vietnameze nuk do të mundet dot të eksportohet jashtë vendit.

Kafeja robuste arriti një maksimum në çmime që prej katër vjetësh duke arritur në 2,043 dollarë për ton të premten, duke u rritur me gati 50 përqind që nga fillimi i vitit. Rritja e çmimit të kafesë robuste vjen pasi kafeja arabike arriti  nivelet më të larta gjatë shtatë viteve të fundit duke u rritur veçanërisht gjatë muajit korrik pasi ngricat jo sezonale në Brazil goditën pemët tashmë të dobësuara nga thatësira.

Ndërsa shumë kompani që merren me pjekjen e kafesë kanë marrëveshje garantuese në fuqi që i mbrojnë ato nga luhatjet e çmimit të kafesë, analistët kanë filluar të ulin parashikimet e fitimit për disa kompani.

M Smucker, kompania amerikane e ushqimit që përmban kafetë Folgers dhe Dunkin, javën e kaluar raportoi një rënie prej 17 përqind të fitimeve tremujore për biznesin e saj të kafesë nga një vit më parë, duke e justifikuar në deklaratën e saj zyrtare pjesërisht për shkak të “ngjarjeve të shumta ekstreme të motit” të cilat “kanë ndikuar në mallrat kryesore të rëndësishme për biznesin tonë”.

Disa kompani, të tilla si Starbucks, kanë kontrata mbrojtëse afatgjata dhe nuk do të ndiejnë efektet e çmimeve më të larta në tregjet ndërkombëtare të mallrave. Në fund të korrikut, Starbucks u shpreh se kishte mbyllur vitin financiar me cmimet e kafesë në të  njëjtat nivele si dhe vitin financiar pasardhës.

Sidoqoftë, kompani të tjera, përfshirë JM Smucker, kanë rritur çmimet e tyre me pakicë në mënyrë që të rrisin marzhet e fitimit të ulura nga kostot më të larta të kafesë. Tchibo i Gjermanisë, një kompani kryesore pjekjeje dhe shitës me pakicë, dhe kafeja japoneze UCC janë detyruar të njoftojnë rritjen e çmimeve me pakicë.

JDE Peet’s, prodhuesi numër dy pas Nestlé dhe pronar i markave të kafesë duke përfshirë Douwe Egberts dhe Stumptown, tha në fillim të këtij muaji se kishte “mbrojtje mjaft të mirë në vend” dhe ishte duke negociuar me shitësit për çmimet.

Ekspertët e kafesë tani janë të fokusuar në Brazil. Sezoni i shirave pritet të fillojë në fillim të shtatorit, i cili do të jetë vendimtar për pemët e kafesë që i mbijetuan thatësirës dhe ngricave të vitit të kaluar. “Shirat do të jenë tepër të rëndësishme për të zgjuar pemët e fjetura dhe për të stimuluar lulëzimin, për të rimbushur lagështinë e tokës dhe për të rifilluar rritjen e gjetheve për pemët që kanë humbur gjethet për shkak të ngricës,” u shpreh Ilya Byzov, sipërmarrës i kafesë Sucafina.

Burimi: Financial Times

Qendra Alert

alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed