Menu

BERZH: Shqipërisë po i largohen profesionistët e teknologjisë

Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor që po vuajnë më shumë nga largimi domethënës i profesionistëve të teknologjisë, thuhet në raportin e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Raporti i Tranzicionit i BERZH-it, i cili përqendrohet në tendencat e dixhitalizimit tregon se mesatarisht 1.5 për qind e njerëzve, që kanë listuar disa njohuri teknologjike në profilin e tyre, janë larguar jashtë në vitin 2019. Megjithëse kërkesat për këto aftësi mund të jenë të larta në vendet në zhvillim, firmat në ekonomitë e përparuara mund të ofrojnë paga shumë më të larta.

Në këtë raport, Shqipëria renditet ndër vendet e rajonit të BERZH që ka peshën më të ulët të ekspertëve dhe profesionistëve të teknologjisë së informacionit në raport me totalin e të punësuarve, që i referohen vitit 2019, me më pak se 1 për qind të totalit nga 3 për qind që është mesatarja e ekonomive të zhvilluara.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri dominojnë sektorët me intensitet të ulët dhe të mesëm të dixhitalizimit, duke përbërë rreth 70 për qind të punësimit në 2019. Për vitin 2020, Shqipëria, treguesin e mundësive dixhitale e ka 65.4, duke u renditur më mirë se Maqedonia e Veriut me 59.3, Mali i Zi me 58.5 dhe Bosnja e Hercegovina me 45.2. Më mirë në rajon është Serbia me 68. Listën e kryesojnë Shtetet e Bashkuara, ku treguesi i mundësive dixhitale është 95.4.

Në krahasim me vitin 2015, kur treguesi ishte 46 pikë, Shqipëria ka bërë progres. Përmirësimi më i madh është në shërbimet e Qeverisë, nga 44.1 pikë në 83 pikë, në nivele të ngjashme me shtetet me ekonomi të përparuara. Më dobët treguesi është për infrastrukturën me 55.6 pikë nga 44.1 pikë në vitin 2015 dhe aftësitë, që pothuajse nuk kanë ndryshuar fare në krahasim me pesë vite më parë, nga 55.7 në 55.8. Treguesi i rregullimit të tregut është përmirësuar nga 40.6 në 67.2.

Shqipëria renditet më dobët në dixhitalizimin e individëve me 20.4, në raport me atë të formave me 51.4. sipas raportit, niveli i dixhitalizimit është i ngjashëm me atë të zhvillimit të vendeve. Niveli i ulët i dixhitalizimit të njerëzve është dhe një nga faktorët që pengon përdorimin e teknologjive dixhitale. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed