Menu

Blerja e produkteve ushqimore, importuesit shfrytëzuan vetëm 11% të garancisë sovrane

Importuesit e mallrave bazë të konsumit ushqimor kanë shfrytëzuar vetëm 11% të shumës së garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të muajit shtator, shuma e përdorur e garancisë sovrane ishte 330 milionë lekë. Në maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi një linjë të garancisë shtetërore me një vlerë totale prej tre miliardë lekësh për të mundësuar huadhënien për subjektet, që tregtojnë me shumicë, produkte ushqimore bazë, me qëllim përballimin e krizës së çmimeve që shkaktoi sulmi i Rusisë në Ukrainë. Qëllimi i skemës është për t’i mundësuar huamarrësit fondet e nevojshme për kapital qarkullues për të mbajtur rezerva të produkteve ushqimore për një periudhë 3-mujore, e vlerësuar në masën prej 25% të sasisë së këtyre produkteve të blerë në vitin 2021, ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit.

Skema jep akses për subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore bazë, si mielli, vaji i lulediellit, sheqeri dhe orizi. Sipas marrëveshjeve të nënshkruara, linja e garancisë sovrane u lëvrua në favor të katër bankave tregtare në vend, Banka Kombëtare Tregtare, Credins, Raiffeisen dhe OTP Albania.

Skema bazohet në thelb në ndarjen e rrezikut mes qeverisë dhe bankës kredidhënëse.

Sipas kushteve të marrëveshjes tip të nënshkruar me bankat, Ministria e Financave dhe Ekonomisë merr përsipër të garantojë vetëm 60% të principalit të kredisë, ndërsa për pjesën e mbetur të principalit dhe interesat, penalitetet apo të ardhura të tjera të lidhura me kredinë rrezikun duhet ta merrte përsipër vetë banka. Kjo nënkupton se banka ka të drejtë të kërkojë edhe garanci shtesë, për pjesën e kredisë që nuk mbulohet nga MFE, ndërsa në çdo rast i gjithë procesi i miratimit për kredi i nënshtrohet kritereve dhe politikave standarde që aplikon banka përkatëse. Huatë parashikohen të jepen vetëm në lekë, me një normë interesi vjetore preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre bonove të thesarit 12-mujore më të fundit të emetuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë plus një marzh fiks deri në 3%, në varësi të afatit të maturimit. Afati maksimal i maturimi i parashikuar në marrëveshje është tre vjet. Megjithatë, në katër muajt e parë të ekzistencës së skemës, shkalla e shfrytëzimit të saj ka qenë e kufizuar. Duke pasur parasysh se linja e garancisë sovrane mbulon deri në 60% të shumës, mund të llogaritet se vlera e kredisë që ka gjeneruar kjo skemë deri tani është afërsisht 550 milionë lekë ose rreth 4.7 milionë euro.

Skemat e garancisë sovrane të miratuara nga qeveria shqiptare pas pandemisë nuk kanë kënaqur plotësisht sipërmarrjen dhe në asnjë rast shfrytëzimi i tyre nuk ka qenë i plotë. Sipas bizneseve, këto skema nuk kanë ofruar lehtësitë e pritura, si për faktin se qeveria ka marrë përsipër ta garantojë vetëm pjesërisht kreditë, ashtu edhe për çmimin, që në dy skemat e fundit nuk ka qenë shumë larg normave tregtare të aplikuara nga bankat. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed