Menu

Bloomberg: Tirana, një qytet i transformuar, por me çfarë kostoje?

Tirana po kalon një transformim që synon të ndalojë shtrirjen e pakontrolluar urbane. Por kritikët thonë se plani mund ta ndryshojë Tiranën aq sa të mos njihet më, si dhe të fshijë historinë e saj, shkruan Jessica Bateman për “Bloomberg CityLab”.

Përgjatë dekadës së ardhshme, Tirana po përgatitet për një transformim rrënjësor. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, ndërtimet e larta moderne po zëvendësojnë miksimin aktual të ndërtimeve informale dhe atyre historike, sipas një plani të quajtur Tirana 2030. Qeverisja vendore thotë se qëllimi i saj është të ndalojë shtrirjen urbane të pakontrolluar, duke përqendruar ndërtimet në qendrën e qytetit, si dhe ta kthejë Tiranën në një qytet më të gjelbër, me korsi biçikletash, me më shumë automjete elektrike dhe zona të pyllëzuara që rrethojnë qendrën.

Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Europës, me PBB për frymë që është sa rreth 30% e mesatares së Bashkimit Europian. Dhe sipas bashkisë, nevojitet një rishikim dramatik për ta kthyer kryeqytetin energjik, por edhe kaotik, të Shqipërisë në një metropol europian modern. “Tirana është një qytet që rritet me rreth 30,000 banorë në vit, pra pyetja është si mund ta planifikojmë këtë rritje në një mënyrë të qëndrueshme”, thotë kryebashkiaku Erion Veliaj, pjesë e Partisë Socialiste në pushtet. “Mendoj se kemi e thyer mitin që vetëm qytetet e pasura mund ta bëjnë këtë.”

Por me kullat e larta që mbijnë si kërpudha në të gjithë qytetin, si dhe me prishjen tashmë të disa ndërtesave historike kryesore, kritikët e planit shqetësohen se qyteti i tyre po u shitet ndërtuesve duke anashkaluar konsultimet publike, në një proces që mund ta ndryshojë shtëpinë e tyre të përbashkët aq sa të mos njihet më. Arkitektët, akademikët dhe aktivistët thonë se prishja e këtyre ndërtesave po çon në humbjen e historisë, duke rritur çmimet e banesave – dhe ndoshta duke funksionuar edhe si një operacion pastrimi parash për krimin e organizuar.

“Kur shikon planet, kupton se i gjithë qyteti është në zhvillim”, thotë Doriana Musai, një arkitekte që ka marrë pjesë në protesta.

Historia e pasur e Shqipërisë është e ekspozuar plotësisht në qendër të qytetit të Tiranës. Sheshi Skënderbej, i cili ndodhet në zemër të Tiranës, u caktua si qendër e qytetit pas çlirimit nga Perandoria Osmane në fillim të viteve 1900. I projektuar gjatë pushtimit italian, ai përmban ndërtesat moderniste italiane të viteve 1930 dhe stilin arkitekturor sovjetik nga periudha e mëvonshme socialiste. Pak më tutje, bulevardet e gjera shfaqin një përzierje eklektike të banesave të periudhës italiane dhe blloqeve të mëvonshme të apartamenteve – shumë prej të cilave janë rimodeluar tërësisht nga banorët që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990. Rrugicat e vogla, të ngjashme me ato të fshatrave, kryqëzohen me njëra-tjetrën, duke krijuar një mish-mash urban të ҫrregullt, por vibrant.

Sheshi Skënderbej është tashmë në qendër të ndryshimeve të qytetit. Ndërsa më parë ai ka qenë një nga rrethrrotullimet më të ngarkuara të qytetit, tani është kthyer në pedonale, duke krijuar një hapësirë ​​publike shumë të nevojshme. Por, ka gjithashtu disa shtesa shumë të diskutueshme: Të paktën katër ndërtime të larta, në faza të ndryshme konstruksioni, janë shfaqur papritur gjatë dy viteve të fundit. Ajo që mungon është gjithashtu e ҫuditshme. Në jug të këtij grumbulli ndërtimesh, ka një boshllëk ku dikur qëndronte një pikë referimi. Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i ndërtuar në vitin 1938 dhe i konsideruar si një shembull i jashtëzakonshëm i futurizmit italian, u shemb në maj të vitit 2020 pas një mbrotjeje dyvjeçare nga aktivistët, për t’i hapur rrugë një teatri më të ri dhe më të madh. Ndërsa prishja po bëhej natën vonë, pa asnjë paralajmërim, shumë aktivistë ishin ende brenda. Pas protestave, firma arkitekturore Bjarke Ingels Group u raportua se ishte tërhequr nga projekti, duke e ndërprerë kështu punën dhe duke e lënë vendin të papërdorur dhe të bllokuar nga gardhet e përkohshme, me një faltore të vogël në krye, të mbushur me qirinj në kujtim të teatrit të vjetër. Ingels nuk iu përgjigj kërkesës së CityLab për koment.

“Gjithçka është në rrezik… memoria jonë kolektive, vendet tona të trashëgimisë,” tha Musai, i cili protestoi për teatrin. “Dhe po stimulon gentrifikimin. Qyteti i ri po gllabëron gjithçka dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse do të humbasim lidhjen me të kaluarën tonë.”

Planet për rinovimin e qendrës së qytetit u zbuluan për herë të parë në vitin 2016, me emrin Tirana 2030. Joni Baboci, këshilltar i kryetarit të bashkisë për planifikimin dhe arkitekturën, thotë se qëllimi ishte “rikonceptimi i Tiranës territoriale”. Që prej rënies së regjimit të dikurshëm komunist në fillim të viteve 1990, mijëra njerëz u shpërngulën nga zonat rurale në drejtim të kryeqytetit për të kërkuar punë, duke ndërtuar vendbanime në ish-toka bujqësore në pronësi të shtetit. Baboci argumenton se, pavarësisht se kjo i dha qytetit më shumë karakter, rezultoi në mungesë të hapësirave publike dhe të harmonisë arkitekturore.

“Ne donim të krijonim një qendër të vogël urbane shumë të dendur dhe të ruanim sa më shumë të ishte e mundur territorin periferik dhe rural,” shpjegon ai. “Pra, plani pakashumë ndalon zhvillimin për arsye banimi jashtë qendrës dhe i nxit njerëzit të ndërtojnë në të.” Arkitekti italian Stefano Boeri dizenjoi një pyll orbital për të rrethuar këtë qendër dhe ndihmoi në hartimin e një plani të qytetit i cili do të siguronte më shumë gjelbërim dhe hapësira ​​publike. Në të janë përfshirë korsitë e biçikletave, si dhe stimuj për taksistët që të përdorin makina elektrike.

Sipas Babocit, ndërtuesit inkurajohen të bëjnë ndërtime më të larta në mënyrë që të rritet dendësia. Në këmbim, ata duhet t’i japin qytetit një përqindje të caktuar të tokës përreth ndërtesës, për ta përdorur si hapësirë ​​publike. Sa më në lartësi të shkojë ndërtimi, aq më i madh është proporcioni që duhet t’i kthehet qytetit. Lejohet njëfarë fleksibiliteti përsa i përket lartësisë së kateve, megjithëse Baboci thotë se synohet ngjashmëri në stil dhe përzgjedhjen e ngjyrave. Për t’i hapur rrugë këtij ndërtimi të ri, ndërtesat ekzistuese po prishen. Baboci thotë se zhvilluesit e pronave zakonisht hyjnë në marrëveshje me pronarët aktualë të tokave, të cilëve u jepet një përqindje e ndërtimit të përfunduar. Bashkia mbledh gjithashtu një taksë 8% dhe Baboci thotë se vendimi për të përqendruar ndërtimet në qendër ishte i motivuar edhe financiarisht, pasi çmimet e pronave janë më të larta atje.

Është e lehtë të shihet interesi i një qeverie vendore të gjendur ngushtë në para cash, për mbledhjen e fondeve dhe zhvillimin e hapësirës publike. Zhvillimi i rrëmujshëm i Tiranës ka bërë që zona të tilla si këndet e lojërave dhe parqet të reduktohen së shumti. Por kritikët thonë se ndëtimet që po zhvillohen aktualisht nuk i plotësojnë kriteret e duhura si dhurimi i një pjese të tokës për hapësirë ​​publike, madje shumë prej tyre po ndërtohen pa ndonjë plan të qartë.

“Një zonë mund të thotë se 5% e tokës duhet të jetë publike, por nuk e përcakton saktësisht se ku do të jetë apo si duhet të duket”, thotë Musai. “Transparenca është zero. Ne i kemi bërë shumë pyetje bashkisë dhe qeverisë dhe ata ose nuk na kthejnë përgjigje, ose, kur kthejnë, nuk u përgjigjen realisht pyetjeve tona.”

Duke reaguar për këtë, Veliaj thotë se çdo leje ndërtimi e lëshuar deri më tani ka kthyer një pjesë të konsiderueshme të tokës në përdorim publik dhe thotë se është i hapur t’u përgjigjet pyetjeve nëse njerëzit kanë shqetësime për projekte specifike. “Ne kemi bërë 27 konsultime zyrtare në çdo njësi,” thotë ai. “Kur thua ‘jo në oborrin tim’, fillimisht duhet të përgjigjesh, a është vërtet oborri yt? … Nëse ky nuk është realisht oborri yt dhe nëse kjo gjë në fakt ofron punësim dhe liron hapësira publike, atëherë me të vërtetë mendoj se ata që ankohen duhet të marrin pjesë në këto konsultime.”

Bashkia thotë gjithashtu se planet janë online në mënyrë që të gjithë të mund t’i shohin – një hartë në faqen e saj të internetit liston se çfarë mund të ndërtohet në secilën “zonë” të vogël të qendrës së qytetit, për sa i përket lartësisë dhe përdorimit të tokës, ndërsa materiale të shumta PDF të planeve janë publikuar. Boeri ka shpërndarë gjithashtu punimet e tij që tregojnë shumë nga zonat e gjelbra të dizajnit të ri. Por nuk është publikuar ende asnjë plan i detajuar se si do të duket ekzaktësisht qendra e transformuar. Aktivistët dhe arkitektët argumentojnë se kjo e bën të pamundur për njerëzit e zakonshëm që të kuptojnë se çfarë forme do të marrin ndërtimet e reja.

 

Nga vijnë paratë

Duke marrë në konsideratë ekonominë e dobët të vendit, ka gjithashtu shqetësime se nga vijnë paratë për këto ndërtime. Sipas një numri ekspertësh, Shqipëria është bërë një vend i preferuar për kriminelët ndërkombëtarë që pastrojnë paratë e tyre. Prokurorët antimafia në Itali zbuluan se klani kriminal Ndrangheta e konsideronte mundësinë për ndërtime të reja në Tiranë si një potencial për pastrim parash. Task Forca e Veprimit Financiar (FAFT), një mbikëqyrës global i pastrimit të parave, e ka vendosur Shqipërinë në “listën gri”, që do të thotë se konsiderohet vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave për shkak të dobësive në sistemet e saj, ndërsa ka specifikuar pasuritë e paluajtshme si një sektor veҫanërisht shqetësues. Edhe Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Shqipëri thotë se ka vënë re “investime të konsiderueshme në pasuri të paluajtshme me burim të panjohur financimi”, të cilat i ka klasifikuar si “të dyshimta”.

Por Baboci nuk beson se aktiviteti i paligjshëm është tejet i përhapur. “Për mendimin tim, kur po ndërton, nuk është e lehtë të pastrosh para,” thotë ai. “Çdokush mund të shkojë të kontrollojë dhe të shohë se çfarë ke investuar dhe sa ke deklaruar.”

Shqipëria mori një angazhim politik për të forcuar sistemet e saj kundër pastrimit të parave në

në shkurt 2020 dhe që atëherë ka ndërmarrë hapa përpara, duke përfshirë një rritje të sanksioneve financiare të synuara. Veliaj shton: “Ne kemi një agjenci pastrimi parash që kontrollon të gjitha financat. Gjithçka paguhet përmes bankës. Ndryshe nga administrata e mëparshme, ku njerëzit vinin me tufa parash cash për të paguar taksën, tani bëhet tërësisht online. Lejet jepen online.”

Pavarësisht burimit të parave, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po i bën banesat më pak të përballueshme. Çmimet e pronave në Tiranë u rritën me rreth 6% që nga viti 2020, ndërkohë që ekonomia e përgjithshme ra pothuajse në të njëjtën masë për shkak të pandemisë.

Bashkia e Tiranës thotë se asnjë objekt në listën e monumenteve të kulturës nuk do të prishet dhe ka vënë në dukje faktin se Teatri Kombëtar nuk është vendosur asnjëherë në këtë listë, si një shpjegim për prishjen e tij. Por ky nuk është thelbi, sipas Paolo Vitti, një profesor i arkitekturës në Universitetin e Notre Dame dhe një anëtar bordi i Europa Nostra, një OJQ e trashëgimisë kulturore që u deklarua kundër shkatërrimit të teatrit. Ai argumenton se e gjithë qendra e Tiranës duhet të jetë e mbrojtur, për shkak të historisë dhe rëndësisë së saj arkitekturore.

“Gjatë dhjetë viteve të fundit, ka pasur një qëndrim shumë agresiv nga bashkia në përpjekje për të shitur idenë se modernizimi vjen nga shembja e ndërtesave të vjetra dhe krijimi i objekteve të arkitekturës spektakolare bashkëkohore,” thotë ai, duke shtuar se ndërtimi i ri nuk është komplementar me qendrën historike.

Ai paralajmëron gjithashtu se ky lloj zhvillimi nga lart-poshtë, për të cilin ai argumenton se në thelb importon një qytet të ri anonim përsipër një qyteti ekzistues, rrezikon të krijojë një mori problemesh mjedisore dhe sociale, duke përfshirë tjetërsimin dhe trazirat civile. “Ndërtesat kanë kuptim vetëm nëse njerëzit u japin atyre kuptim,” thotë ai. “Ato nuk ekzistojnë për vlerën e tyre objektive.”

Megjithëse pushtimi i teatrit ndihmoi në ndërtimin e një lëvizjeje të dukshme të shoqërisë civile, shumica e aktivistëve nuk besojnë se ajo shoqërsi është mjaftueshmërisht e fortë për të ndaluar ndërtimet e vazhdueshme. Partia Socialiste që po drejton vendin, e cila mori pushtetin në 2013, fitoi kohët e fundit një mandat të tretë, duke u dhënë atyre një mandat për të çuar përpara planet që kanë. “Ne kemi qenë në kërkim të drejtësisë dhe kemi bërë gjithçka që kemi në dorë si qytetarë”, thotë Musai. “Ata duan të imponojnë vullnetin e tyre dhe publiku po përjashtohet nga vendimmarrja. Ligjet tona nuk mjaftojnë për të mbrojtur trashëgiminë tonë. Ajo po shkatërrohet dhe po zëvendësohet me një model të ri.”/Jessica Bateman për “Bloomberg CityLab”./Përktheu: Tomas Muça

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed