Trendi i blerjeve për festa ndryshoi në vitin që sapo lame pas. Sezoni i blerjeve filloi tre muaj para, duke shmangur blerjet spekulative në ditët e fundit të dhjetorit. Operatorët e mëdhenj të shitjeve me pakicë thanë se sezoni i blerjeve për fundvit është zgjatur. Blerjet e mobilieve dhe dhuratave të kushtueshme nisën që në fund të tetorit. Shitjet në linjat e lodrave për fëmijë, produktet në supermarkete dhe mobilieri janë rritur me ritme dyshifrore. Trendet e reja të blerjeve festive dhe nga u gjeneruan të ardhurat për blerjet.
Entuziazmi i blerjeve festive nuk është penguar as nga çmimet e larta dhe as pandemia, teksa të gjitha linjat e tregtisë me pakicë, që nga artikujt e përdorur deri te blerjet e sofistikuara teknologjike raportuan shitje jo të zakontë në dy muajt para festave.
Kufizimet në lëvizje që nga fillimi i pandemisë dhe përqendrimi i aktivitetit jetësor në gjëra të thjeshta, kryesisht kujdesi për veten dhe shtëpinë, e kanalizuan konsumin në ushqime dhe pajisje që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme.
Ky trend, i cili nisi që gjatë pandemisë, kur njerëzit u mbyllën për një kohë të gjatë në shtëpi dhe vunë re nevojat e paplotësuara në banesa, vijoi edhe në festat e fundvitit. Distributorët e pohuan rritje të shitjeve në volum, pavarësisht se çmimet ishin më të larta.
Shpenzimet e konsumit po ushqehen kryesisht nga kursimet, remitancat që ishin me rritje këtë vit dhe nga kanalizimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe argëtimit në pajisje për shtëpinë. Udhëtimet jashtë vendit dhe festat e fundvitit në bare dhe restorante ishin shndërruar në traditë në Shqipëri, por kufizimet në lëvizje dhe shtrëngimi i masave nga disa vende europiane i kanë ndryshuar planet. Kalimi i ditëve të pushimeve në shtëpi po shton nevojat për pajisje të reja.
“Best Seller”, operatori më i madh i mobilieve në vend, tha se, kërkesa në prag të festave ishte e lartë këtë vit.Burimet zyrtare nga kompania shpjeguan se kërkesa ishte më e lartë se vitet e zakonshme si për eksportin, edhe për tregun vendas. Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve gjatë dhjetorit, pohoi kompania.
Grupi “Balfin”, operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e dyqaneve “Jumbo”, “Neptun”, “Spar Albania”, “Fashion Group Albania”, raportoi rritje të shitjeve gjatë gjithë vitit 2021 dhe në fundvit. Për sa u përket volumeve, “Neptun” ka shënuar rritje prej 23%, FGA 30%, “Spar Albania” 25% dhe “Jumbo”, 21%, duke përfshirë edhe shitjet që rrjetet kanë në dyqanet e tjera jashtë vendit.
I njëjti trend ka vijuar edhe për produktet ushqimore në njësitë e specializuara të shitjes së tyre. “Big Market”, një nga operatorët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në vend, pohoi se shitjet gjatë dhjetorit ishin të larta në raport me vitet e tjera të zakonshme për të gjithë llojet e produkteve. Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit. (Monitor)
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT