Rritja e çmimeve të grurit po ndikon në ekonominë e shqiptarëve, me shtrenjtimin e produktit më bazik, bukës. Të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e grurit në import kanë arritur nivelet më të larta që prej vitit 2015 dhe tendenca është ende në rritje. Shtrenjtimi i energjisë dhe lëndëve të tjera të para ndihmëse mund të ushtrojë presione të mëtejshme për rritjen e çmimeve. Prodhuesit e miellit thonë se, deri tani, çmimet e miellit janë rritur me 10%. Ata shprehen se e vetmja mënyrë për të shmangur shtrenjtimin e mëtejshëm do të jenë masat mbështetëse shtetërore.
Në fillim të shtatorit, një pjesë e furrave të bukës aplikuan rritje të çmimit të produktit me 10 lekë. Një nga shkaqet që çuan në këtë rritje, sipas përfaqësuesve të këtyre bizneseve, ka qenë edhe rritja e çmimit të miellit.
Në fakt, shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme tregojnë se duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar është shënuar rritje e ndjeshme e çmimit mesatar të grurit dhe të miellit të importuar. Për nëntë muajt e parë të këtij viti, çmimi mesatar i grurit të importuar ka arritur në 32 lekë për kilogramë, në rritje me 14.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një tendencë e ngjashme po regjistrohet edhe në çmimet e miellit, por në përmasa më të kufizuara. Për 9-mujorin, një kilogramë miell u importua mesatarisht me çmim prej 46.3 lekësh, në rritje me 5% krahasuar me një vit më parë. Shifrat e muajve të fundit tregojnë një tendencë për rritje të mëtejshme. Në muajin shtator, një kilogramë grurë u importua mesatarisht me 35.1 lekë, duke arritur dhe duke tejkaluar çmimet që për herë të fundit ishin shënuar në vitin 2015.
Në pesë ditët e para të muajit tetor, çmimi mesatar i importit të grurit u rrit më tej në 35.8 lekë. Për sa i përket miellit, çmimi rekord në import u shënua në muajin korrik, me 48.6 lekë për kilogram, ndërsa edhe në shtator, çmimi mesatar arriti shumë afër kësaj vlere, me 47.6 lekë për kilogram. Në rastin e miellit, megjithatë, rritja e çmimeve mesatare të importit ka nisur që në fund të vitit 2018, ndërsa rritja që po shënohet gjatë këtij viti është disi më e kufizuar në krahasim me grurin. (Monitor)
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT