I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Donjaldo Hoxha nga Shoqata “Industria e Përpunimit të Qumështit” ka folur për Skemën Kombëtare, sa e mbështetur është blegtoria e bujqësia dhe në çfarë situate ndodhet industria e përpunimit të qumështit.
“Skema Kombëtare ose mbështeja direkte ndaj blegorëve dhe bujqësisë, për fat të keq shifrat janë konkrete dhe ne jemi shumë larg rajonit. Për sa kohë rajoni ka gjetur zgjidhje për këtë problematikë, me skema subvencionimi të vazhdueshme, në të gjitha fazat, që nga mbjellja, subvencionimi për çdo litër qumësht të shitur të pikat e grumbullimit apo përpunimit tregon që është e vetmja formë për t’ja dalë mbanë për të përballuar këtë situatë ku ndodhet blegtori dhe sektori i përpunimit të qumështit. Skema Kombëtare ka si objektiv uljen e kostove operative për fermerët, rritjen e konkurrueshmërisë dhe që të arrijnë formalizimin, që është një problematikë e madhe e sektorit të bujqësisë dhe një pengesë për të marrë më shumë fonde qoftë nga Ministria e Bujqësisë apo donatorë të tjerë. Është gjithashtu edhe cenim i sigurisë ushqimore se duke mos patur formalizim nuk kemi gjurmueshmëri dhe nuk garantohen dot cilësia dhe standardet e konsumatorit. Skema Kombëtare duhet të ketë buxhet minimalisht 2-3 herë më të lartë seç është momentalisht. Nëse marrim blegtorinë, kërkesat kanë qenë që të jenë 10 herë më tepër seç është tani. Dhënia e një sasie të cakuar subvencioni do ishte një ndihmë e madhe për blegtorët, por edhe instancat shtetërore për të rritur formalizimin dhe më pas në sektorin e përpunimit të qumështit”-deklaroi Donjaldo Hoxha.
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT