Menu

Fermerët shqiptarë pa mbështetje nga skemat kombëtare e të zhgënjyer, të fundit në rajon për nga buxheti i dedikuar

Nga Mariglen Mertiri*

Bujqësia shqiptare është e keqfinancuar nga qeveria dhe pa nxitje për konkurim në rajon. Pavarësisht se deklarohet prioritet nga politika, ajo mbetet pas, sa i përket investimit në skemën direkte nga buxheti i shtetit në ndihmë të fermerëve.

Subvencioni është i pamjaftueshëm, nuk ndihmon në formalizmin e këtij sektori dhe është përjashtues, pasi shumica e fermerëve të vegjël dhe të mesëm, për shkak të ndarjes së tokës në vitin 1991 ende nuk janë të pajisur me dokumentacionin e rregullt pronësor, u mungon eksperienca e duhur për hartimin e planeve të biznesit, ndërsa ndikimet politike dhe korrupsioni kanë rolin e tyre negativ në këtë proces.

Ekspertët thonë se, fondet e vendosura jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë në përpjestim të zhdrejtë me peshën që zë sektori në ekonomi, pasi bujqesia kontribuon në rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetem 2.2 % të tij. Ata sygjerojnë ndryshimin e kësaj skeme, duke larguar të gjitha barrierat dhe artificat e derisotme dhe të vendoset kriter mbështetja për njësi prodhimi.

Të investosh në bujqësi është sa sfiduese, por dhe me risk të lartë të kthimit të investimit. Kjo për shumë arsye që lidhen specifikisht me politikat e Ministrisë së Bujqësisë për nxitjen e fermerëve për të shtuar prodhimin dhe ndihmuar me subvencione, me mungesën e theksuar të informacionit nga fermerët për investimet që kryejnë dhe metodikat që duhet të ndjekin për të qenë të sukseshëm dhe ndikimi nga kushtet klimatike.

Shumë prej fermerëve edhe pse aplikojnë në skema subvencionimi, deklarojnë se fondi i përcaktuar është aq i vogël sa nuk mund të kënaqë prirshmëritë e tyre për të zhvilluar dhe rritur kapacitetet bujqësore lokale. Disa të tjerë deklarojnë se kriteret janë përjashtuese dhe janë të zhgënjyer nga mbështetja që u ofrohet duke humbur besimin dhe bazuar biznesin e tyre ne forcat familjare.

Besnik Qerreti është një fermer në Lushnjë, i cili disa vite më parë la emigrimin për të investuar në vendin e tij në ngritjen e disa hektarë me sera diellore, kryesisht në kultivimin e domates, kastravecave dhe shalqirit. Ai është një prej përfituesve të skemave kombëtare për zëvendësimin e plasmasit, por krahas mbështetjes ai kritikon skemën pasi ajo mund të ishte më e fokusuar për fermerët në ndihmë të shpenzimeve të shumta që ata kanë.

Besnik Qerreti, fermer

“Përfitimi për ne fermerët nuk ka qenë ashtu siç duhet. Sepse skema njeh vetëm plasmasin e sipërm të serës që mos të depërtojë uji brenda, ndërkohë që ne nuk kemi vetëm atë shpenzim, pasi vendosim plasmas mbi serë por edhe plasmas që vendoset në tokë, dhe kjo është kosto që nuk e njohin fare. Po, për plasmasin e fortë që ndërrohet një herë në 3 vite, kam marrë subvencion një herë në dy vite”, deklaroi Qerreti.

Luto Goga, agronom dhe fermer

Në zonën e Beratit, fshati Goriçan njihet për numrin e lartë të serave dhe prodhimin e bollshëm të perimeve. Edhe fermerët në këtë zonë nuk janë optimist për mbështetjen e dhënë, madje ka prej tyre që nuk e kanë marrë mundimin për të aplikuar pasi u duket e vështirë procedura. Një prej tyre është edhe Luto Goga, fermer dhe agronom i hortikulturës. Ai thotë se buxheti i pamjaftueshëm e ka detyruar të mos përfshihet në konkrurrim.

“Për Skemën Kombëtare nuk e kam marrë mundimin të aplikojë, më duket procedurë e vështirë. Nga kjo skemë, vetë fondi i vendosur në dispozicion është shumë i vogël. Mund të aplikojnë 100 fermerë por nuk ka mundësi t’i mbështesë të gjithë”, u shpreh ai.

Kjo skemë mbështetëse nuk mirëpritet edhe nga një ndër fermerët e parë të zones së Goriçanit. Mystehak Goga i cili kultivon domaten “roze” në serat diellore, thotë se ndihet totalisht i zhgënjyer nga subvencionet shtetërore pasi ka aplikuar 3 herë dhe nuk ka rezultuar fitues.

“Jam pioner i ndërtimit te fermave të para në Goriçan të Beratit por si fermer pothujase nuk kam përfituar asgjë si subvencion nga shteti. Kam aplikuar 3 herë dhe jam zhgenjyer, tani jam përqëndruar tek forcat e mija. Aplikova në fillim për sistemin me pikatore për domatet tek AZHBR-ja dhe nuk përfituam  me pretendimin se u plotësua numri i aplikantëve. Pra kush shkonte i pari merrte subvencion i pari. Si sipërfaqe unë kisha më shumë nga të gjithë dhe nuk përfitova. Herën e dytë aplikuam për plasmas, kur ndërruam plasmasin, na refuzuan se nuk i ke serat 3 metra të larta por 2.2 metra dhe duhet 2.8 lartësia e serës. Kam përfituar certifikatën e “Global Gap” nga një kompani gjermane, aplikova në grup me 60 fermerë, pasi jam edhe eksportues, krahas fermer dhe nuk e përfitova përsëri, pasi duhet të kisha unë si person 1 ha tokë. Unë vetëm 8 dynym kam si familje sepse kaq tokë kemi marrë. Edhe ky refuzim m’u duke pak paradoksal”, u shpreh ai.

Mystehak Goga, grumbullues produktesh bujqësore

I gjendur përballë refuzimeve dhe faktit se fermerë të tjerë që nuk kanë as sistemin e pretenduar në serë dhe nuk bëjnë investimet për të cilat marrin paratë, ai hedh dyshime se skema është e ndikuar edhe nga korrupsioni.

“Zhgenjehesh kur dëgjon që një fermer ka marrë para kur nuk kanë hedhur plasmas në serë, kanë marrë lekë kush nuk ka pasur pikatore fare në serë, ose nuk ka pasur sipërfaqen që kam unë. Atëherë edhe unë jam i zhgenjyer në një farë mënyre”, deklaroi Mystehak Goga, fermer dhe grumbullues në Goriçan.

Edhe kur plotëson të gjitha kushtet dhe shpallet fitues ndodh që fermeri të mos marrë shumën që i takon. Kjo nuk ka ndodhur një herë, por tre herë për fermerin Franc Kaloshi. Ai zotëron mbi 250 hektarë tokë në zonën e Tërbufit në Lushnjë dhe i nxitur nga thirrjet për mbështetje dhe subvencione në bujqësi, vendosi të ngrerë një stallë me lopë, por mungesa e buxhetit nga ministria e la vetëm fitues, po pa marrë asnjë para nga skema.

Franc Kaloshi, sipërmarrës në bujësi dhe blegtori

“Kam 20 vite që merrem me bujqësi. Kisha një stallë me 80 krerë lopë, jam shpallur 3 herë fitues dhe 3 herë nuk më është lëvruar fondi. Unë investova dhe bëra edhe dhomën e mjeljes për të ndërtuar impjantin dhe aplikova për impjantin e nuk fitova. Jam shpallur fitues, një herë për numër krerësh dhe dy herë për litër qumështi dhe të trija herët, edhe pse u shpalla fitues, nuk i mora dot lekët e mia, me arsyetimin për mungesë fondesh”, deklaroi Franc Kaloshi.

Vetëm gjatë 2021, sipas Ministrisë së Bujqësisë, numri i aplikimeve për Skemën Kombëtare ka qenë 12097 fermerë në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Nëse do të bënim një krahasim, në Shqipëri janë të regjistruar në tatime zyrtarisht deri në gusht 2021, 62.061 fermerë aktive, nga të cilët për të përfituan kanë aplikuar vetëm rreth 1300 të tillë, ose rreth 19% e fermerëve që kanë një nipt të regjistruar. Kjo tregon, ose mosbesueshmërinë që kanë në skemën shtetërore ose mungesa e fondeve ka bërë që shumica të mos ketë interes për këtë proces.

“Mbi 80% e fermerëve aktiv nuk kanë provuar të aplikojnë asnjëherë nga mosbesimi i krijuar”, deklaron eksperti Eduard Sharka. Fakt është se. bujqësia ende një pjesë e mirë e saj funksionon në mënyrë informale dhe numri real i fermerëve është shumë më shumë i lartë. Këto para të vendosur në dispozicion nuk do të mjaftonin për asnjë iniciativë inkurajuese për fermerin shqiptar.

Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë pranon se. ky vit ka më pak fonde në dispozicion deri tani, se një vit më parë për Skemën Kombëtare. Rreth 30% buxhet më pak. Për vitin 2021 janë parashikuar rreth 6.7 milionë euro investim direkt nga buxheti i shtetit për këtë skemë, ose 804,137,000 lekë .

Duke marrë parasysh se kanë aplikuar rreth 13 mijë fermerë dhe të gjithë të shpallen fitues, nga kjo skemë një fermer nuk mund të marr më shumë se 554 euro mbështetje, shumë e cila është e papërfillshme për të bërë një hop cilësor në ngritjen e kapaciteteve konkurruese. Dhe nëse këtë shumë do e mernim të mirëqënë për të gjithë fermerët e regjistruar me një nipt, atëherë secili prej tyre sot do të merrte vetem rreth 108 euro ndihmë.

Buxheti i Skemave Kombëtare sipas Ministrisë së Bujqësisë
Lekë
Buxhetifillestar
Buxheti 2020* 1,143,900,000 743,900,000
Buxheti 2021 804,137,000 804,137,000
Ndryshimi 2021/2020 -29.7% 8.1%
*Buxheti fillestar për vitin 2020, për skemat mbështetëse kombëtare ka qenë 743,900,000 lekë. Pas ndryshimeve me Akt Normative, buxheti i rishikuar ishte 1,143,900,000 lekë.

Ministria e Bujqësisë ju përgjigj interesit tonë duke deklaruar se, mbështetja për bujqësinë ndodh nëpërmjet një sërë aktorësh dhe faktorësh të tjerë duke pasur një buxhet të konsiderueshem në dispozicion.

“Krahas Skemës Mbështetëse Kombëtare, gjatë vitit 2021 është aplikuar për here të parë Skema e Naftës në Bujqësi me një fond prej 1 miliardë lekë. Gjithashtu po zbatohet edhe Programi IPARD II 2014 – 2020 me një fond total prej 93 milionë Euro (nga të cilat 71 milionë janë financimi BE-së),” u shprehën zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

“Përveç sa më sipër, nënvizon Ministria e Bujqësisë, në këtë sektor zbatohen edhe një sërë projektesh nga donatorë të ndryshëm, si: Fondi i Garancisë për Kreditë Rurale, projekti i burimeve ujore dhe ujitëse, projekti për mbështetjen e agrobiznesit, etj.

Të rishikohet formula e Skemës Kombëtare

Subvencionet  në   bujqësi  si   mjete   ose financim   nga   qeveria  u  jepen   fermerëve  dhe agrobizneseve si mbështetje për ta nxitur prodhimin dhe ofrimin e produkteve nga ky sektor. Duke   ndihmuar   me   subvencione,   shtohen mundësitë e prodhimit, zvogëlohen shpenzimet, dhe si rezultat i kësaj çmimet e ushqimit mbahen më të ulëta   dhe   më   të   përballueshme   për   popullsinë.

Por skema e përdorur prej disa vitesh në mbështetje të bujqësisë cilësohet e pamjaftueshme madje edhe e dështuar për shumë ekspertë bujqësie dhe mbrojtës të interesave të fermerëve.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj deklaron se skemat mbeshtetese nuk kane qene efektive per shkak të sasisë minimale  të fondeve që vihen në dispozicion nga buxheti për skemat në ndihmë të fermerëve, e shoqëruar me një hapsirë shumë të madhe, me synim për të përfituar e mbështetur  një gamë të gjerë produktesh e një numër të madh operatorësh.

“Numri shumë i madh i kritereve që kërkohen për të përfituar e vlerësuar efektivitetin e skemave kombëtare e bënë shumë të vështirë matjen e efektivitetit. Mungesa e mbështetjes së mirëkordinuar dhe mirëprogramuar nga skemat të të gjitha hallkave të zinxhirit ushqimor.  Gjithashtu dhe informaliteti në përmasa të mëdha e kanë reduktuar në minimum efektivitetin e skemave kombëtare në dobi të fermerëve”, deklaroi ai.

Ervin Resuli, si ekspert bujqësie e shesh të dështuar si skemë, “pasi nuk plotëson pritshmëritë reale që kanë fermerët në terren”.

“Skema kombëtare nuk ka përmbushur asnjëherë qellimin për përfshirjen sa më të madhe të numrit të fermerëve, buxheti në dispozicion ka qenë një “kothere” për ata”.

Eduard Sharka, kryetar i Sindikatës së Fermërve të Bashkuar thotë, se skemat mbështetëse kanë qenë në nivelin 3 deri 5 milionë euro thuajse çdo vit, që është një fond mjaft i vogël në raport me vendet fqinje dhe me pëshën dhe prioritetin e pretenduar të sektorit në PBB.

“Fermerët perfitues nga këto skema kanë qenë vetëm një numër i vogël në raport me fermerët aktiv. Përfitues mesatarisht në vit kanë qenë 0.5-1.5% e fermerëve të ligjëruar. Kjo për shkak të kushteve përjashtuese të skemave, procedurave të tepruara burokratike, niveli i ulët  kulturor i targetgrupit përfitues, mungesa e pronësisë juridike mbi tokën bujqësore, coptimi i ngastrave si pasojë e ligjit 7501, fondet e limituara, ndikimi i korrupsionit në këto skema, selektimi diskriminues i fërmerëve nga administrata militantiste”, deklaroi Sharka.

Eksperti Eduard Sharka nënvizon se. bujqësia nuk merr vëmendjen e duhur edhe pse shpallet prioritet i qeverive. Ai thotë se raporti i investimeve te kryera ne bujqesi vitet e fundit  me financimin nga skemat është  një raport i zhdrejtë. Raporti i peshës specifike që zë sektori në PBB, që është 18-20%, me shpenzimet e buxhetit për sektorin që shkojnë në 0.5%, është një raport që flet qartë për vlerësimin që qeveritë i kanë bërë ketij sektori, ndonëse konsiderohet sektor strategjik dhe prioritar për zhvillimin e vendit.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Agim Rrapaj i cili thotë se Ministria e Bujqësisë nuk përmbush pritshmëritë e fermerëve për t’u bërë konkurrues në rajon.

“Me buxhetin që i është akorduar nga qeveria dhe parlamenti deri këtë vitin e fundit, ky institucion nuk mund t’i permbush pritshmeritë e fermerëve. Bujqesia kontribuon rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetëm 2.2 % të tij”, tha ai.

Ervin Resuli, ekspert për bujësinë dhe veterinarinë

E kunderta ndodh me rajonin ku skema kombëtare është prioritare për qeveritë pasi ka objekt forcimin e fermerit, formalizimin e tij dhe rritja e konkurrueshmërisë realizohet nëpërmjet kësaj skeme, thotë Ervin Resuli i cili është edhe fermer në zonën e Fierit.

Ekspertët mendojnë se është koha të rishikohet kjo formulë duke u bërë me efektive dhe më e prekshme nga fermerët duke rritur edhe më shumë potencialet e pashfrytëzuara që bujqësia shqiptare ka.

“Duhen eliminuar të gjitha kufizimet dhe kriteret e shumta që jane aplikuar deri tani dhe të përdoret vetëm një kriter. Kriteri i mbështetjes për njësi prodhimi të evidentuar sipas rregullave të mirëkonsultuara dhe të pranuara si nga sektori publik dhe ai privat”, u shpreh Agim Rrapaj. “Skemat duhet të jenë gjithëperfshirëse, të thjeshta, pa kritere përjashtuese në lidhje me sasinë e tokës dhe numrin e kreëeve, të jenë pa limit fondet, që do të thotë të përfitojnë të gjithë aplikuesit, të rriten fondet e skemave duke ruajtur peshën e sektorit në PBB, të stimulojnë fermerët e vegjël dhe të mesëm, të lidhen me sasinë e prodhimit dhe jo me sipërfaqen e tokës sepse për kushtet ku jemi, ku rreth 80% e produktit të sektorit qarkullon në rrugë informale,  do formalizonte këtë sektor”, tha Eduard Sharka.

“Në dy aspekte duhet të ndërhyet, masat mbeshtetëse duhen strukturuar pasi nuk arrijnë qëllimin, siç është rasti i skemës së naftës e cila nuk formalizojë fermerin apo tavani për mbështetjen e krerëve të matrikulluar dhe buxheti duhet të jete i plotë dhe jo “kothere” sa për të thënë që kemi një skemë. Duhet mbështetje reale dhe efektive”, theksoi Ervin Resuli

 

Shqipëria e fundit në rajon për mbështetjen ndaj fermerit

Vendet e rajonit po e konkurojnë bujqësinë shqiptare edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që japin qeveritë në drejtim të fermerëve duke ulur kostot e prodhimit dhe nxiur drejt automatizimit të prodhimeve bujqësore.

“Me aplikimin me sukses të Programit IPARD si dhe mbështetjes në rritje nga qeveria, krahasuar dhe me buxhetit total, Shqipëria pozicionohet mirë në rajon”, deklaron Ministria e Bujqësisë

Por të dhënat që vijnë nga rajoni flasin për të kundërtën. Fondet direkte nga buxheti i shtetit në Kosovë janë 50 milionë euro vetëm gjatë vitit 2021. Në Malin e Zi këto fonde kapin shifrën e 44.7 milionë eurove ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo shifër i kalon 100 milionë euro. Ndërkohë, Shqipëria për këtë vit akordon vetëm 6.7 milionë euro, shtuar kësaj edhe skemën kombëtare të naftës, kjo shifër nuk i kalon 17 milionë euro.

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj kundërshton shifrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe thotë se jemi në renditje të fundit në rajon.

“Krahasuar me vendet e rajonit, sasia e fondeve që Shqipëria jep nga buxheti përmes Skemës Kombëtare për mbështetjen e fermerëve në vitet e fundit është 15 deri në 20 herë me e vogël”, thotë Agim Rrapaj.

Edhe eksperti tjetër Eduard Sharka deklaron se, jemi shum larg Kosoves dhe Maqedonise se Veriut dhe nuk kemi të krahasuar me Perëndimin. “Kosova financon skema mbi 50 milionë euro në vit ndërsa Maqedonia e Veriut mbi 120 milionë euro në vit. Ne jemi te niveli 5-7 milionë euro në vit”, tha ai.

Ervin Resuli thotë se. skema kombëtare ështe prioritare për qeverite e rajonit pasi kanë objektiv forcimin e fermerit, formalizimin e tij dhe rritjen e konkurrueshmërisë e realizon nepermjet kesaj skeme.

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Klan News dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

 

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed