Menu

Fondet për subvencionin e naftës në bujqësi, me ulje në tre vitet në vijim

Fondet për subvencionin e naftës në sektorin bujqësor do të vijnë në ulje gjatë periudhës 2022-2024 sipas tabelave të buxhetit afatmesëm 2022-2024 që publikoi së fundmi Ministria e Financave.

Fondi në dispozicion nga 792 milionë lekë që është programuar në vitin 2022 do të arrijë në 700 milionë lekë në vitin 2023 dhe vetëm 500 milionë lekë në vitin 2024.

Ndërsa sipas një vendimi nga qeveria të botuar në fletoren zyrtare këtë vit fondi ishte gjithsej 950 milionë lekë, nga të cilat 50 mln lekë do të përdoren për monitorimin e sistemit të shpërndarjes.

Subvencioni i naftës në bujqësi është një politike që është hequr dhe rikthyer disa herë. Shpesh kjo politikë shoqërohet me abuzime dhe jo gjithmonë nafta shkon në drejtimin e duhur.

Ministria e Bujqësisë e programoi me ulje fondet për subvencionin e naftës në një kohë që parashikon që sektori i bujqësisë të zgjerohet si në punësim dhe në të mbjella.

Aktualisht skema e subvencionit të naftës përcakton si përfitues të naftës falas fermerët e kulturave bujqësore, si: në bimë arrash (duke përfshirë misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum, grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjere njëvjeçare, industriale patate, duhan, panxhar, pambuk dhe bimë aromatike-mjekësore); drurët frutorë (të gjitha llojet e frutave, agrume dhe vreshta, arra, bajame, lajthi dhe gështenja. Për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore); perime (të gjitha llojet e perimeve, përfshirë edhe shalqirin, pjeprin e luleshtrydhen.) në vendim për caktohen edhe normativat e konsumit të naftës për ha për të gjithë këto grupe dhe nëngrupe që nafta do të jepet falas. Për kultivimin e 1 ha misër një fermer harxhon 190 l naftë, ku 56% e saj do të përfitohet apo 106 l naftë do të përfitohen me çmim 63,8 lekë/litër.

Aplikimi, për të përfituar nga skema e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet online në portalin e-Albania, me vetëdeklarim. Përfitimi i sasisë së naftës falas për sipërfaqen që kultivohet është 100% e sasisë për subjektet me sipërfaqe deri në 10 ha, ndërsa poshtë kësaj sipërfaqe me përqindje me të reduktuar.

Si çmim referencë për naftën është marrë çmimi mesatar vjetor 144 lekë/litër i botuar nga Agjencia e Prokurimit Publik në Buletinin e Njoftimeve Publike (rubrika “Të dhëna për karburantet”, me burim informacioni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave). Sipas vendimit këtij çmimi i është zbritur akciza 37 lekë/l; taksa e qarkullimit 27 lekë/l; taksa e karbonit 3 lekë/l dhe TVSH që llogaritet 13,4 lekë/l. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed