Menu

Lufta, Haxhiymeri: Nuk do ngelemi pa furnizime, por do ketë rritje çmimesh

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Adi Haxhiymeri kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të miellit ka folur për faktorët që ndikuan përgjatë 6 muajve për furnizimin me grurë dhe ndikimin ekonomik që do ketë në Shqipëri lufta Rusi-Ukrainë.

“Në kuadrin e drithërave, grurit jemi në një moment stuhie përfekte. Pandemia kaloi si situatë, por brenda 6 muajsh ndodhet arsye të forta sa i përket grurit, pasi ishte një vit me prodhimtari shumë të ulët, u konstatua prodhim 25 milion ton grurë më pak. Kjo bëri rritjen e parë të çmimit në bursë, që ishte shumë i konsiderueshëm. Pas kësaj na ndodhi problemi i energjisë, naftës dhe transportit, ndërsa goditja e tretë është që ky treg merr nga lufta Rusi-Ukrainë. Pra ndodhën tre gjëra shumë të forta brenda 6 muajsh. Luftë ka patur edhe më parë por në Iran dhe Irak, ku këto tregje kanë qenë të papërfillshme. Ato tregje kanë përparësi se sasinë e naftës e shton apo e ul. Gruri është një gjë që prodhohet një herë në vit, nga momenti që korret nuk shtohet më, vetem pakësohet deri në korrjet e ardhshme. Problemi më i madh është se kjo gjë ndodhi në korridorin më të rëndësishëm, jo vetëm për produktet e energjisë, por edhe ato bujqësore kryesisht drithëra, ky hynë gruri, misri, vaji etj. Këtu kemi të bëjmë me shtetin e parë të botës që është Rusia, eksportuesi kryesor i grurit dhe Ukraina që tek gruri zë vend të tretë ose të katërt, por shumë të rëndësishëm, pasi të dyja bashkë për drithëra janë mbi 25% të prodhimit botëror. Bazën e importit të grurit e kemi në Rusi, pasi ofron për ne vendin më të mirë të raportit cilësi/çmim. Ka karburantet e veta, pesticidet e veta, ka koston e jetesës së ulët, prodhon sasi të madhe dhe çmim të ulët. Lufta na godet edhe ne pasi është korridor i rëndësishëm, furnizohet pjesa më e madhe e vendit. Nuk jemi për të dhënë alarm, kompanitë kanë ditë të tëra që po punojnë për sistemimin në tregje të reja, mundësi të reja në rajon, pastaj më larg. Mendojmë se me sasi do furnizohemi, kemi patur vështirësi me disa shtete si psh. Serbia e bllokoi që në tetor bursën e grurit. Vetem ajo që do ndikojë do jetë çmimi, atë se kemi më në dorë. Duke filluar nga e premtja, çmimi në bursë u rrit, duhet thënë se ka dhe momente abuzimi, përveç rritjes së kërkesës. Janë 6 milion ton të bllokuara në Ukrainë dhe 7-8 milion ton në Rusi. Mendoj se shtete si Franca dhe Bullgaria mund ta kompensojnë situatën. Ndërsa rritja e çmimit te miellit në disa qytete nuk ka të bëjë fare me grurin, por kompanitë nuk i kontrollojmë dot”-tha Adi Haxhiymeri.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed