Lajmi për mbylljen e rrjetit të marketeve CONAD, markës së njohur italiane nuk është i vërtetë. Teksa në media qarkulloi lajmi se CONAD po mbyll marketet në Shqipëri, e kundërta thuhet nga vetë kompania, e cila njofton se është nënshkruar kontrata e re e përfaqësimit ekskluziv të brandit lider Italian edhe për 10 vite të tjera.
“Tre supermarket të reja CONAD do të hapen në Tirane brenda vitit”, thuhet në një njoftim zyrtar të CONAD Albania. “Brandi Conad është prezent në Shqipëri që në vitin 2007, pothuaj në të njëjtën kohë me të tjerë operatorë të njohur të tregut të retail-it ushqimor. Por, ndërsa këta operatorë dështuan dhe u larguan nga tregu shqiptar Conad vazhdoi me këmbëngulje investimet me qëllim ndërtimin e një rrjeti supermarketesh konform standarteve më të mira të rrjeteve italiane dhe europiane. Në vitin 2012 sistemi Conad në Shqipëri u ristrukturua me krijimin e kompanisë Conad Albania si përfaqësues ekskluziv i Conad. Nga ai vit rrjeti është zgjeruar dhe modernizuar. Brandi Conad ka fituar gjithnjë më shumë vlerësimin dhe besimin e konsumatorit, rezultatet ekonomike kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Në 4 vitet e fundit të ardhurat nga shitja janë rritur nga 44 milion Euro në 2018 në 72 milion Euro në 2022, duke shënuar një rritje prej 63%. Supermarketet që operojnë në vend janë rritur në numër, nga 31 në 40 (+29%)”, thuhet në njoftimin e Conad Albania.
Sipas kompanisë në fjalë, “mbi bazën e këtyre rezultateve “Conad Itali” i dha partnerit shqiptar “Conad Albania”, të drejtën eskluzive të përfaqësimit të brand-it deri në vitin 2033, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin ku përfshihen: Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i zi. Kontrata e re ndër të tjera bën të detyrueshëm respektimin e kërkesave të forta lidhur me cilësinë e supermarketeve në linjë me rritjen cilësore që sistemi ka pasur në Itali. Mbi këtë bazë Conad Albania, e cila ka nën juridiksionin e saj edhe një pjesë të rrjetit, rreth 30%, të përbërë nga operatorë franchise, u kërkon këtyre të fundit respektimin e standarteve të njëjta.
Në rastin e mosarritjes nga operatori franchize, pronar i marketit, të kërkesave sipas standartit të kërkuar, Conad Albania procedon me ndërprerjen e mandatit të përfaqesimit, ndërprerjen e furnizimeve dhe heqjen e logos Conad.
Ky proces, jo vetëm nuk frenon zhvillimin e rrjetit Conad në treg, por duke imponuar një standard cilësor, rrit besimin e brand-it në treg. Ndërkohë, Conad Albania mbetet vazhdimisht i impenjuar për investime direkte, në Shqipëri dhe në rajon, në hapjen e marketeve të reja që respektojnë standartet më të larta europiane dhe ristrukturimin e marketeve ekzistuese
Mbas hapjes së një supermarketi me sipërfaqe 800 m2, në zonën e TEG, këtë vit është programuar investimi për ndërtimin dhe hapjen e 3 supermarketeve të reja në Tiranë”.
ALERT ka mësuar se dy subjektet që iu referohen mediat për rrjetin e njohur, Pronatyra Treg dhe Food & Health Albania, nuk përfaqësojnë kompaninë Conad Albania. Ato janë dy kompani ‘franchise’, pra që Conad Albania u ka dhënë të drejtën për të punuar me logon/emrin e tij, por që nuk mund të jenë ato që prishin apo lidhin kontrata me Conad Italia dhe as të publikojnë lajme për mbylljen apo zgjerimin e rrjetit.
@Qendra ALERT
LINI NJË KOMENT