Menu

Menaxhimi i aseteve tek shoqëritë ujesjelles kanalizime dhe si të përmirësohen

Menaxhimi i aseteve në shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime, ku kërkesa për rritjen e të ardhurave është thelbësore, ka qenë edhe pika e diskutimit dhe prezantimit të Letrës së pozicionimit për përmirësimin e kornizës rregullatore për menaxhimin e Aseteve.

Mihallaq Qirjo, Drejtor pranë Qendrës Burimore të Mjedisit, në prezantimin e Letër Pozicionimit u shpreh: “Qëllimi është t’i prezantojmë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) një qasje se si mund të standardizohet menaxhimi i aseteve në mënyrë që të mund të zbatohen dy metodologjitë. Është si një lloj parakushti, por jemi në nivelin kur institucione të tilla qendrore duhet të shohin elementë të standartizimit më shumë se sa mënyrën rutinë të kryerjes së këtij procesi. Si mund të bëjmë që dy metodologjitë të kenë një bazë më të shëndetshme”.

Problemi i menaxhimit të aseteve nuk është i ri, ndaj referuar raporteve vjetore që dalin nga ERRU dhe institucione të tjera, menaxhimi i aseteve është i trashëguar, sa edhe aktual. Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore në disa shoqëri ujësjellës kanalizime, kryesisht të vogla pengojnë menaxhimin e aseteve.  Një performancë e ulët e bën të pamundur menaxhimin e aseteve, dhe nuk mund të themi se nuk ka përpjekje, se nuk e njohin problemin. E adresojnë, por e shohin të pamundur zgjidhjen.

Për këtë arsye, roli më proaktiv është i nevojshëm nga ERRU dhe AKUM, të cilat duhet të përdorin momentin për të pasur ndikim në menaxhimin e aseteve.

Prezantimi i kësaj letre pozicionimi, u bë nga Shoqata Ujësjellës Kanalizime e Shqipërisë (SHUKALB) në kuadër të projektit “Rrjeti Rajonal i Zhvillimit të Kapaciteteve për Furnizimin me Ujë dhe Kanalizimet (RCDN)”, gjatë një takimi mes palëve të interesit. Gjatë takimit u diskutuan gjetjet dhe u mblodhën komentet-sugjerimet e palëve mbi rekomandimet e hartuara për përmirësimin e kornizës rregullatore për menaxhimin e aseteve, u prezantuan rolet institucionale të ERRU dhe AKUM në menaxhimin e aseteve dhe u prezantuan veprimet e ardhshme të advokimit për menaxhimin e integruar të aseteve.

Zgjidhjet duhet të kërkohen në kombinimin e shërbimeve me sistemet informative për menaxhimin e aseteve që synojnë përmirësimin e performancës dhe efikasitetit të përgjithshëm të shoqërive ujësjellës kanalizime.

Rehabilitimi i standardeve aktuale nga shoqëritë ujësjellës kanalizime me sisteme teknologjike bashkëkohore pritet të krijojë një ndikim të menjëhershëm në zbatimin e metodologjisë, në drejtim të realizimit të funksionit parësor të saj – që është llogaritja e tarifave për shoqëritë ujësjellës kanalizime.

Dixhitalizimi dhe aksesi i institucioneve qendrore në sistemet moderne të informacionit është një proces që ka patur një zbatim të mirë në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Menaxhimi i aseteve në nivel të shoqërive ujësjellës kanalizime do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit me sistemet qendrore të ngritura nga agjencitë përgjegjëse për sektorin, si AKUM.

Mesazhi i letrës së pozicionimit është “Standardizimi i menaxhimit të aseteve do sjellë përmirësim të performancës së shoqërive, të të dhënave të grumbulluara, me qëllim për të shkuar drejt një planifikimi më të mirë dhe shpërndarje më të drejtë të investimeve. Mbështetja duhet nisur që në planifikim, por dhe kapacitetet njerëzore e teknologjike për këtë proces. SHUKALB është një burim shumë  i mirë informacioni për të mbështetur shoqëritë që të përdorin teknologjitë e përparuara të informacionit dhe mundësitë alternative që ekzistojnë për të rritur performancën dhe menaxhimin e të dhënave.

SHUKALB do të dorëzojë së afërmi draftin final të Letrës së Pozicionimit tek dy institucionet kryesore qendrore, ERRU dhe AKUM, si dhe do ta shpërndajë tek të gjithë palët e interest nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit.

Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed