Menu

Monedhat virtuale/ Komisioni i Ekonomisë kërkon nga AMF e AKSHI të përfundojnë aktet nënligjore! Miratohet projektligji për lejet dhe licencat

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin “Për një ndryshim në ligjin “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili i hap rrugën plotësimit të kuadrit ligjor për dhënien e licencave në fushën e përdorimit të kriptomonedhave. Ndryshimet e propozuara konsistonin më shumë në anën procedurale por që i hapin rrugën miratimit të akteve të tjera ku përcaktohen kushtet dhe kriteret e licencimit të kompanive që do të aplikojnë për të operuar në këtë lloj aktiviteti.

“QKB bën vetëm fushën dhe kategoritë ndërsa në AMF dhe AKSHI licencat i japim licencat dhe i shfuqizojmë ato. Pra të gjitha aplikimet për licencë do na drejtohen ne (AMF –AKSHI), ndërsa QKB vetëm do e regjistrojë”, u shpreh përfaqësuesja e AMF-së Vjolanda Theodhori, teksa shpjegoi ndryshimet që propozohen.

Teksa u shqyrtuan këto ndryshime kryetari i Komisionit Anastas Angjeli ka kërkuar ga AMF dhe AKSHI shpjegime se përse aktet nënligjore nuk janë miratuar ende, ndërkohë që janë kaluar të gjitha afatet e përcaktuara në ‘Ligjin për tregjet financiare bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

“Edhe pse jeni vonuar deri më sot dhe kanë kaluar të gjitha afatet ligjore qoftë AKSHI dhe AMF për të nxjerrë aktet nënligjore që duhet të kishin dalë 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, shpresoj të ketë qenë kjo arsyeja që nuk kanë dalë aktet dhe menjëherë do të dalin. Kam përshtypjen se ligji që kemi miratuar i ka rregulluar të gjitha procedurat dhe ka bërë ndarjen institucionale, për institucionet që do të lëshojnë licencën. Mesa duket ju kërkoni që të bëhet një ndryshim në ligjin për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar që edhe QKB-ja të jetë pjesë e kësaj veprimtarie për dhënien e licencave. Parë kështu krijohen disa shqetësime që nuk e di nëse zgjidhen dot në anën nënligjore apo ligjore, midis ligjit në fjalë dhe atij për tregjet financiare, sepse duket sikur do të ndërhyhet, dhe shpresoj që rregullimet të jenë në aktet nënligjore. Ju lutem përshpejtoni punën për të plotësuar aktet nënligjore”, u shpreh Kryetari i komisionit të ekonomisë Anastas Angjeli.

E pranishme në komision drejtoresha e AKSH-IT Mirlinda Karcanaj tha se aktet nënligjore janë finalizuar dhe janë drejt miratimit.

“Aktet nënligjore i kemi të finalizuara dhe menjëherë pas marrjes së vendimit nga institucionet dhe kryesisht nga MFE-ja për aktet në fjalë do jenë gati. VKM janë të detajuara dhe sapo të kalojnë do të fillojë edhe procesi i aplikimeve. Deri tani nuk ka pasur aplikime sepse baza ligjore për kriteret nuk ishte”, pohoi Karcanaj.

Ndërsa përfaqësuesja e AMF-së Vjolanda Theodhori, u shpreh se aktet nënligjore janë drejt përfundimit, dhe se ata po punojnë për zbatimin e plotë të këtij ligji.

“Jemi në projekte me FMN për të mbikëqyrur licencat, jemi në bashkëpunim me Drejtorinë e Parandalimit të pastrimit të parave për plotësimin e rekomandimeve të FATF, për të mos lejuar pastrimin e parave dhe rrezikun që paraqesin këto tregje për financimin e terrorizmit, kemi hartuar disa rregullore. Aktualisht nuk kemi asnjë kërkesë për të marrë licencim”, u shpreh Theodhori.

Ndërkohë pak ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që i hapte rrugën ngritjes së bazës së të dhënave shtetërore për kompanitë që do të licencohen në këtë fushë. Institucioni përgjegjës për ngritjen e kësaj baze të dhënash është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e cila do të jetë edhe përgjegjëse për administrimin e tyre.

Të gjithë personat që do të aplikojnë për tu licencuar në këtë aktivitet do të pajisen me një kod unik për ofrimin e shërbimit, dhe kodi do të gjenerohet automatikisht në sistemi pas çdo aplikimi për licencë.

Ky biznes në Shqipëri po lejohet për herë të parë, dhe do të bëjë të mundur që të bëhen pagesa mes dy subjektesh pa pasur nevojë për një ndërmjetës të tretë që jep garanci. Në thelb të këtyre monedhave qëndrojnë kode kompjuterike të kriptuara në mënyrë të sigurt, të cilat bëjnë kalimin e informacionit nga një platformë kompjuterike te tjetra.

\

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed