Ambientet e jashtme të institucioneve publike, rrugët ndërqytetase kryesore dhe dytësore, objektet e kulturës, monumentet dhe shatërvanet do të jenë në errësirë çdo ditë pas orës 20:00.
Këto janë disa nga masat e përshkruara në aktin normativ që u depozitua sot në Kuvend. Po ashtu nënvizohet se gjatë verës, kondicioneri nuk duhet të gradohet në temperaturë më të ulët se 27 gradë Celsius, ndërsa gjatë dimrit nuk duhet të jetë më i lartë se 21 gradë.
Në projektligj, thuhet se klientët jofamiljare publike zbatojnë masat e nevojshme për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike të godinave.
Ky akt normativ do të jetë në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike dhe nuk është i zbatueshëm për institucionet e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, shkollat, kopshtet, komisariatet e policisë dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Dokumenti detyron klientët buxhetorë të reduktojnë konsumin e energjisë elektrike të godinave të tyre, në masën 15%, krahasuar me muajin përkatës të një viti më parë, ndërsa në të kundërt do të gjobiten:
“Mosarritja e përsëritur në dy muaj e masës së kursimit të energjisë nga institucioni, shoqëria apo ndërmarrja konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 50 000 lekë. Masa administrative i vendoset titullarit të institucionit, administratorit të shoqërisë apo ndërmarrjes, që ka përgjegjësi administrimi pronën përkatëse”.
lnstitucioni që ngarkohet për zbatimin e këtij akti normativ është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OSHEE-së është ngritur struktura e posaçme “Task-Forca e Energjisë.
Qendra Alert/Alert.al
LEAVE A COMMENT