Menu

Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, kundër heqjes së qeseve shumëpërdorimshme

Shoqatën e Konvertuesve të Plastikës, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kundërshtuan miratimin e projektligjit për ndalimin e prodhimit, eksportimit, importimit dhe përdorimit të qeseve plastike shumëpërdorimshe apo siç njihen ndryshe qeset për shoping.

Kërkesat e prodhuesve të këtij sektori kishin në fokus mbrojtjen e biznesit vendas, mbrojtjen e konsumatorit dhe zbatimin e direktivave evropiane në mbrojtje të mjedisit nëpërmjet ekonomisë qarkulluese.

Kryetari i shoqatës të Konvertuesve të Plastikës, z. Vullnet Haka tha se miratimi i këtij vendimi do të krijonte dëm ekonomik te 27 kompanitë e kësaj industrie deri në rrezikimin e mbylljes të tyre. “Në 27 subjekte është investuar sot më shumë se 50 milion euro dhe mbyllja e menjëhershme e aktivitetit do të kishte një pasojë të fortë ekonomike dhe sociale, si dhe mjedisore, duke ndërprerë edhe riciklimin e mbetjeve të plastikës.

Për këtë arsye ne refuzojmë të konsiderohemi si shkaktarë të ndotjes, përkundrazi, kërkojmë njohjen e meritës tonë për mbledhjen nëpër rrugë, kanale, lumenj, bregdet e kudo, të mijëra ton mbetjeve plastike që hidhen nga njerëzit dhe kompanitë e pastrimit në shumë njësi vendore.

Prodhuesit e qeseve plastike, nuk janë thjeshtë prodhues ambalazhesh, por janë njëkohësisht edhe pastrues potencialë të territorit, pasi për prodhimin e qeseve ne përdorim në masë lëndën e parë që vjen nga riciklimi mbetjeve të gjitha llojeve të plastikës. Ne i shndërrojmë këto mbetje në lëndë të parë, i shndërrojmë në punë për mijëra njerëz dhe taksa për buxhetin e shtetit”.Haka e cilësoi vendimin selektiv, pasi sipas tij nga totali i mbetjeve në vend qeset shumëpërdorimshme zënë 1%.

“Sipas statistikave publike, në të gjithë sipërfaqen e banuar të vendit, mbetjet mblidhen dhe transportohen në rreth 65% të territorit. Në vend janë vetëm 4 landfille që përmbushin kushtet mjedisore ndërsa pjesa tjetër e këtyre mbetjeve hidhet në rreth 208 venddepozitime ilegale të krijuara nga organet e qeverisjes vendore, dhe që nuk përmbushin asnjë kusht mjedisor.

Për më tepër që janë të vendosur buzë përrenjve, lumenjve dhe minimalisht në dy vërshimet e ujërave nga reshjet e pranverës dhe vjeshtës të gjitha mbetjet përfshi edhe ato plastike përfundojnë në lumë, nëpër degë pemësh e në det. Në këto kushte, kur pak a shumë rreth 50% e mbetjeve që krijohen në shkallë vendi nuk menaxhohen por përfundojnë në territor, në pejsazhe në sipërfaqet ujore e nënujore, qeveria adreson si zgjidhje një ndërhyrje selektive dhe kaq drastike, jo proporcionale me ndikimin që ato kanë në mjedis duket një “non-sens” i madh. Duam të theksojmë se në raport me të gjitha mbetjet e tjera plastike që krijohen, na rezulton se “qeset plastike shumëpërdorimshe” nuk përbëjnë as edhe 0.8%-1.0% të totalit të mbetjeve të plastikës”, pohoi ai.

Për shmangien e ndotjes të mjedisit dhe mosdëmtimin e industrisë të ricikluesve, Shoqata e Konvertuesve të Plastikës propozoi marrjen e disa masave me karakter teknik, si: trashësia (spesori) i qeseve plastike të “rënda” shumë përdorimshe të bëhet nga 35 micron për anë në 50 micron për anë; qeset plastike të “rënda” shumë përdorimshe të prodhohen me 100% lëndë të para që vijnë (përftohen) nga procesi i riciklimit.

(Përveç rasteve kur ligji për “food contact” e përcakton ndryshe); në kuadrin e Ekonomisë Qarkulluese kompanitë që prodhojnë ambalazhe, qese plastike marrin përsipër që në afatin kohor jo më shumë së një vit të instalojnë impiante riciklimi, në mënyrë që sasitë e prodhimeve të plastikës që do të hedhin në treg, ti rimarrin, riciklojnë e rifusin në zinxhirin ekonomik të vlerës. (Monitor)

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed