TVSH-ja 10% që aplikohet që prej 1 janarit për imputet bujqësore vetëm sa shtrenjtoi më tej çmimet. Ky është Shpëtim Allushi, fermer në zonën e Maminasit, i cili tokën e ka mbjellë me grurë. Por, tani nuk ka mundësinë ekonomike për ta plehëruar bimën sepse çmimet janë trefishuar në krahasim me një vit më parë.
SHPETIM ALLUSHI, FERMERI
“Sivjet nuk kemi hedh asnjë dorë, si do t’ia bëjmë për ta korrur nuk dimë, gruri është zverdhur. Vjet ishte 33-34 mijë lekë, sivjet 110, trefish më shtrenjtë”.
Për të hedhur plehrat kimikë, bujqit kanë edhe pak ditë në dispozicion. Në rast të kundërt, mundi i tyre do të shkojë dëm. Nëse nga qeveria nuk merren masa për t’i mbështetur drejtpërdrejt fermerët, shumë shpejt të mbjellat do të zëvendësohen nga ferrat.
DRITAN KARREÇI, FERMER
“Po nuk i hodhëm tani deri në 10 shkurt, nuk vlen më sepse nuk rritet. Korre për bar pastaj.”
DURIM ALLUSHI, FERMER
“Deri tani kemi rezistuar, por fundi do të jetë shumë i afërt.”
Teksa thonë se rritja e çmimeve të imputeve bujqësore është e pashmangshme përsa kohë janë mallra importi, operatorët në treg tregojnë se fermerët po shohin mundësitë e mbijetesës. Pavarësisht kundërshtime të shumta, qeveria vendosi TVSH 10% për imputet bujqësore, duke argumentuar se njerëzit e bujqësisë do të mbështeten drejtpërdrejt. (Vizion Plus)
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT