Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Suzami me oksid etileni, erdhi nga India, Greqia dërgoi “alert”, Shqipëria nuk e asgjëson

Buka me fara të zeza susami mund t’ju dëmtojë shëndetin në ndonjë rast, sepse AKU nuk i kontrollon as tregtarët, as importuesit. Susami bëhet shumë i rrezikshëm për t’u konsumuar, kur ka mbi normë oksid etileni. Të paktën tre raste janë të konfirmuara zyrtarisht nga kontrolli i KLSH* tek DRAKU Tiranë, pasi janë konstatuar sasi të produktit fara të zeza susami me këtë përmbajtje të rrezikshme. Shqetësimi i ardhur nga indiciet nuk i detyroi inspektorët të asgjësonin rreth 5 ton susam të ardhur nga India përmes Greqisë, por e lanë produktin në dorë të importuesve.

“Asgjësoje vetë ose ktheje në Indi”

Në inspektimin e datës 14 dhjetor 2020, tek subjekti X, adresa Njësia 2 rruga e Elbasanit, me objekt “sipas indicieve të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.”, inspektorët kanë bllokuar produktin 100 kg fara të zeza susam me oksid etileni mbi normë. Ky produkt përshkruhet me risk të lartë në shëndetin e njeriut. Suzami ka ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke. Inspektorët i kanë bërë foto dhe kanë bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues, si dhe lënë detyrë pa afat subjektit për asgjësim ose kthimin në origjinë. Sipas auditimit, DRAKU nuk disponon dokumente për asgjësimin e tyre. Pra, malli i është lënë dorë tregtarëve, që dyshohet se mund ta kenë shpërndarë tek prodhuesit e bukës dhe pastiçeritë.

S’ka dokumnet asgjësimi për suzamin e futur nga Greqia

Inspektimi i datës 11 dhjetor 2020, në një subjekt tjetër me adresë në Kashar, ka të shënuar si objekt “me indice të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.”

Inspektorët kanë kryer verifikim të plotë, ku kanë trajtuar shkeljen e ankimuar, kanë bllokuar produktin 50 kg (fara të zeza susam me oksid etileni mbi normë, me risk të lartë në shëndetin e njeriut. Ky produkt ka ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke. Inspektorët kanë  bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues, madje dhe deklaratën doganore, akt-kontrollin e Pikës së kalimit Kufitar, faturat, dokumentin e origjinës Greqi, etj. Ata kanë lënë detyrë për asgjësimin e produktit, me risk të lartë në shëndetin e njeriut, me një firmë të specializuar, duke lajmëruar AKU-në për asgjësimin. Nga kontrolli rezultoi se nuk është kryer pasi nuk ka dokument asgjësimi.

Pse nuk u asgjësua brenda 2 javësh suzami?

Në inspektimin datë 11 dhjetor 2020, në subjektin e tretë, që ndodhet me adresë në Njësinë 6 Tiranë, me objekt “me indicie të veçanta nga konsumatorët, rrjetet, autoritet publik etj.” janë gjetur gjendje 4,1 ton fara të zeza susami me oksid etileni mbi normë me risk të lartë në shëndetin e njeriut, ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke.   Sipas  procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar  11 dhjetor 2020  thuhet se “bllokohet në subjekt sasia 4,1 ton” duke i bërë foto dhe i lihet subjektit detyrë 2 javore për asgjësim.       [

Por, sipas auditimit të KLSH, nuk disponohen dokumente që argumentojnë bllokimin dhe asgjësimin (proces verbal bllokimi, procesverbal asgjësimi me komision).

Në 3 subjektet paraqitet pasiguri ushqimore, konkludon grupi i auditimit i KLSH.  Fara e zezë susam me oksid etileni mbi normë e ardhur nga India nëpërmjet pikës kufitare greke, duhej të asgjësohej në vend me komision.

Kjo nuk është bërë. Mungon përgjigjja e subjektit brenda 2 javësh për asgjësimin e produktit, detyrë e lënë nga inspektorët, po ashtu nuk ka dokument për kthimin e produktit tek furnitori në Indi.

Përfundimisht, inspektimi ka mbetur në evidentim faktesh nga informacioni i të tretëve, duke mos eliminuar produktin e pasigurt  ushqimor.

Kjo sasi e bllokuar e produktit fara susami përmendet edhe në raportin vjetor të AKU, me detyrën që të asgjesohet. “Në momentin e kontrollit, sasia e produktit të importuar për Shqiperinë në sasinë 4.1

ton dhe datë skadence 31.07.2022 u gjend në ambientet e subjektit. OBU ishte njoftuar paraprakisht nga ana a subjektit eksportues grek se ky produkt me origjinë nga India duhet bllokuar. Ky produkt do të mbetet i bllokuar ne ambientet e subjektit deri ne asgjesimin përfundimtar të tij” nënvizohet në raportin e AKU.

Ajo që të bie në sy nga ky paragraf i raportit vjetor të AKU është se OBU  (Operatori i biznesit ushqimor) ishte njoftuar për rrezikun e produktit nga partneri i tij në Greqi, por nuk lajmëronte AKU-në, siç është ligji, që të bënte asgjësimin e produktit. Nëse do të kishte në plan ta asgjësonte ose ta rikthente në vendin e origjinës, këtë do ta kishte bërë me kohë. Fakt është se kontrolli i KLSH nuk gjen asnjë gjurmë, dokument në dosjen e praktikës së DRAKU Tiranë, që të vërtetojë fatin e susamit të rrezikshëm për shëndetin. Po ashtu, si në raste të tjera, në Pikën e Kalimit Kufitar ky produkt i rrezikshëm, i bllokuar nga Greqia, ka kaluar në Shqipëri pa problem.

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed