Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Skandal me asgjësimin e frutave dhe perimeve të kalbura, DRAKU Tiranë s’ka dokumente, mashtron me sasitë

Frutat dhe perimet janë produkte që nuk mund të qëndrojnë gjatë nëpër magazina, sepse kalben shpejt dhe bëhen të pakonsumueshme. Boshllëku kohor dhe ligjor mes afatit të skadencës dhe momentit të asgjësimit në prani të zyrtarëve AKU, Tatimeve dhe Mjedisit, shfrytëzohet nga subjektet për të vazhduar tregtinë e produkteve të tilla.

Neglizhenca dhe abuzimi i inspektorëve të AKU u krijojnë kompanive mundësinë të bëjnë evazion fiskal, po ashtu të shmangin shpenzimet e asgjësimit të produkteve të skaduara. Raporti i auditimit të KLSH* zbulon procedurat e paplotësuara të asgjësimit, përgjithësisht të pambuluara me dokumente, të dyshimta sepse edhe sasitë nuk përputhen në dokumentet e subjektit me ato të DRAKU-së Tiranë.

Pa procesverbal asgjësimi

Sipas raportit të KLSH, nga dosja e inspektimit datë 14 prill 2020, rezulton se është bërë asgjësimi me kërkesë të subjektit X, datë 8 prill 2020, për 24,121 kg “Perime +Fruta të kalbëzuara” me vlerë 2,220,129 lekë. Asgjësimi është kryer nëpërmjet një mjeti transporti, ku janë hedhur fruta-perimet e dëmtuara dhe më tej thuhet se janë groposur në vendin Landfili Bushat Shkodër.

Nga auditimi konstatohet mungesë procesverbali i asgjësimit, i nënshkrimit të përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, i fletëdaljes së subjektit, po ashtu nuk është dokumenti i shoqërimit i kompanisë për transportin në linjën Tiranë-Bushat Shkodër. Më tej, theksohet se nuk ka foto në ambientin e subjektit dhe në vendin e asgjësimit të produkteve të dëmtuara.

Nga këto të dhëna të KLSH-së, të lindin disa dyshime. Të gjithë kemi parë se si dyqanet dhe tregtarët ambulantë furnizohen në disa raste me fruta aspak të freskëta që i mbajnë nëpër vitrina deri sa kalben. Këto më pas përfundojnë nëpër kazanët më të afërt të plehrave. Mund të jenë pikërisht këto fruta që gjoja asgjësohen nga DRAKU.

Sasitë që kompanitë nuk arrijnë t’i shpërndajnë tek tregtarët e vegjël, duke dashur të ulin kostot e humbjeve, nuk preferojnë t’i asgjësojnë sipas procedurave të ligjit. Për të shmangur shpenzimet i hedhin ku të munden. Jo rrallë herë, shohim sasi të mëdha të këtyre mbeturimave të hedhura buzë lumenjve dhe përrenjve.

Problemi tjetër, që krijohet nga “lëshimet” e inspektorëve të DRAKU-së Tiranë, është evazioni fiskal që krijohet nga qarkullimi i një malli, pas datës së skandencës, megjithëse me letra ekziston si i asgjësuar.

Mashtrim me sasitë e frutave të asgjësuara

Qershia mbi tortë vendoset më pas në një praktikë tjetër asgjësimi. Sado që janë munduar t’i rregullojnë mirë “letrat”, ka mospërputhje shifrash. “Nuk përputhet sasia e asgjësuar 6,244 ton, sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 28 janar 2020 me faturën tatimore të subjektit datë 28 janar 2020 prej 5,6  ton mbeturina produktesh, nënshkruar nga subjekti. Pra, ka një diferencë 0,6 ton për vlerën 175,000 lekë”, konstaton KLSH.

I njëjti fenomen del në dosjen e inspektimit datë 25 shkurt 2020, në subjektin tjetër me adresë: Kashar Tiranë, ku rezulton se janë asgjësuar 8,548 kg “artikuj ushqimor të skaduar” me vlerë  425,429 lekë.

Shkeljet e renditura nga KLSH janë mungesa e procesverbalit të asgjësimit, nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve tek procesverba1i i inspektimit, nuk përputhet sasia e asgjësuar 8,548 kg sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 25 shkurt 2020 me faturën tatimore të subjektit prej 5,9 ton, pra diferenca 2,6 ton. Nuk disponohen fotot e produkteve dhe ambientit të subjektit.

Përse nuk firmosin inspektorët e Mjedisit dhe të Tatimeve?

Nga kontrolli në një subjekt tjetër, dosja e inspektimit datë 17 janar 2020, në adresën Autostrada Tiranë-Durrës, Kashar, rezulton se: Me kërkesë të subjektit i kërkohet DRAKU-së Tiranë asgjësimi i 39,840 kg “Perime+Fruta të skaduara” me vlerë 3,054,852 lekë.

Sipas procesverbalit të inspektimit dhe vendimit përfundimtar datë 17 janar 2020, të firmosur nga isnpektorët si dhe nga subjekti, asgjësimi është kryer nëpërmjet një makine vetshkatërruese.

Në dokument thuhet se morën pjesë inspektorët e Tatimeve dhe Mjedisit. Nga shkeljet e konstatuara, veçohen: Mungon procesverbali i asgjësimit, por është mjaftuar me procesverbalin e inspektimit 17 janar 2020, i cili është i pjesshëm. Ky dokument nuk është firmosur nga përfaqësuesit e inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve.

Mungon fletëdalja e subjektit, për efekt të shkarkimit nga magazina, dokument bazë që fakton daljen nga magazina të produkteve të asgjësuara; nuk ka dokument të shoqërimit për transportin e produkteve të skaduara; mungon përcaktimi i vendit se ku janë asgjësuar produktet e dëmtuara; nuk disponohen fotot e produkteve, ambientit të subjektit dhe vendit ku janë asgjësuar produktet.

Katër muaj më vonë, më 17 prill 2020, në dosjen e inspektimit të asgjësimit të 47,731 kg “Perime+Fruta  të skaduara”, ka gjetje të shkeljeve të ligjit. Kjo sasi frutash dhe perimesh kap vlerën 3,763,393 lekë (sipas listës të fruta+perime).

Asgjësimi është kryer nëpërmjet makinës vetshkatërruese në prezencë të inspektorëve Tatimeve dhe Mjedisit. Shkeljet  e konstatuara nga auditimi janë mungesa e procesverbalit të asgjësimit, po ashtu nuk është firmosur nga përfaqësuesit të inspektoratit Mjedisor dhe të Tatimeve.

Dy standarde asgjësimi në të njëjtën kompani

Shkelje dallohen edhe tek dosja e inspektimit datë 21 gusht 2020, në një kompani tjetër tregtare. Nga subjekti i kërkohet DRAKU-së Tiranë asgjësimi i 47,281 kg “Perime+Fruta të skaduar” me vlerë 5,331,789 lekë. Sipas dokumenteve, asgjësimi është kryer nëpërmjet makinës vetshkatërruese, në prezencë të inspektorëve të Tatimeve dhe Mjedisit. Ndër shkeljet e konstatuara nga auditimi është mungesa e procesverbalit të asgjësimit.

Vihet re se inspektorët ndjekin standarde të dyfishta, edhe në kontrollet brenda të njëjtit subjekt. Inspektorët janë kthyer në datën 30 tetor 2020 tek kompania e mësipërme. Ndryshe nga radha e kaluar, është mbajtur procesverbali i asgjësimit datë 30 tetor 2020 me nënshkrimin e 2 përfaqësuesve të Mjedisit, të përfaqësuesit të Tatimeve dhe inspektoreve të DRAKU-së Tiranë, si dhe nga subjekti. Gjithsesi mungon fletedalja e subjektit për daljen e mallit nga magazina.

Duket sikur ky subjekt nuk shet, por vetëm asgjëson frutat, aq shumë letra ka DRAKU në emër të tij. Kërkesa e re e kompanisë për asgjësim u bë në datë 26 tetor 2020 i për 42,857 kg “Perime+Fruta te skaduar” me vlerën 4,331,013 lekë.

Si ta besosh se janë asgjësuar këto ushqime?

Në një subjekt tjetër më 21 janar 2020,  Autostrada Tirane-Durrës, km 11, rezulton se nga DRAKU është bërë asgjësimi i 2,232 kg “Artikuj të ndryshëm të skaduar” me vlerë 2,658,835 lekë.

Nga shkeljet e konstatuara renditen mungesa e procesverbalit të asgjësimit, nuk ka nënshkrim nga përfaqësuesit e inspektoratit Mjedisor dhe Tatimet mungon dokumenti i shoqërimit për transportin e produkteve të skaduar, nuk përcaktohet vendi se ku janë asgjësuar produktet e dëmtuara, nuk disponohen fotot e ambientit të subjektit dhe vendit ku janë asgjësuar produktet, po ashtu mungon fletëdalja e subjektit për efekt të shkarkimit nga magazina dhe justifikimit të detyrimeve fiskale.

Tre muaj më pas, më 24 prill 2020, nga i njëjti subjekt, DRAKU-t iu kërkua asgjësimi i 4,469 kg “produkte ushqimore të skaduar” me vlerë 1,840,369 lekë.

Praktikës i mungon procesverbali i asgjësimit, dokument bazë ligjor që justifikon asgjësimin e produkteve, mungon nënshkrimi i përfaqësuesit të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, për efekt të mbrojtjes së mjedisit dhe shmangies së detyrimeve fiskale.

Një sasi e madhe ushqimesh raportohet të jetë asgjësuar më 17 shkurt 2020, por dokumentet nuk ekzistojnë. Subjekti ndodhet tek Rruga e Kavajës, Tiranë. Procedura ka nisur pasi i është kërkuar DRAKU-së asgjësimi i 7 088 kg “produkte ushqimore të dëmtuara” me vlerë 2,163,085  lekë. Sipas raportit të KLSH, mungon procesverbali asgjësimit, nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor tek procesverbali i inspektimit 27 shkurt 2020, fotot e produkteve të dëmtuara.

Ndërkohë në dosjen e inspektimit datë 4 mars 2020,  në një subjekt tjetër në Kashar, Tiranë, rezulton se: DRAKU ka asgjësuar 12,1 ton “produkte  ushqimore të skaduara” me vlerë 5,534,597 lekë.

Rezulton se nuk ka procesverbal të asgjësimit, nuk ka firma të përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve tek procesverbali i inspektimit, mungojnë fotot e produkteve të dëmtuara, madje s’ka listë të produkteve. Vinin re, nuk ka dokumentacion të gjurmueshmërisë për efekt të argumentimit të skadencës. Nuk ka fletëdalje nga subjekti për efekt të shkarkimit nga magazina, mungon dokumenti i shoqërimit për transportin e produkteve. “Përfundimisht, praktika e asgjësimit nuk ka asnjë dokument shoqërues dhe argumentues për të justifikuar asgjësimin 12,1 ton produkte ushqimore të skaduara”, konkludon KLSH.

A u asgjësuan këto banane të prishura?

Dosja e inspektimit datë 20 shkurt 2020, tek një subjekt me adresë në Vaqarr, Tiranë përshkruan se nga DRAKU u bë asgjësimi i 14,600 kg  “Banane të dëmtuara” me vlerë  2,7641,365 lekë. Por shkeljet e konstatuara nga KLSH të bëjnë të dyshosh se ky veprim nuk ka ndodhur. Kështu, mungon procesverba1i asgjësimit, pjesëmarrja dhe nënshkrimi i përfaqësuesve të inspektoratit Mjedisor dhe Tatimeve, gjithashtu nuk ka fletëdalje të mallit nga subjekti. Në bazë të dokumenteve, kja sasi babanesh nuk ka lëvizur nga magazina!

*KLSH ka kryer një  konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed