Menu

Ekskluzive / Skandal me vajin e ullirit, po tërhiqen nga tregu dhjetra lote. Laboratori italian tregoi se, kanë përzierje me vajra vegjetal dhe mbetje pesticidesh. AKU fsheh lajmin, asnjë komunikim për konsumatorët

Skandal me sigurinë ushqimore dhe konkretisht me vajin e ullirit. Disa prej markave më të mëdha e më të njohura në vendin tonë po tërheqin nga tregu dhjetra lote prodhimi, për shkak të problemeve që kanë rezultuar nga analizat e kryera. Ndërkohë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ka mbajtur lajmin të fshehtë, duke mos bërë asnjë komunikim për publikun.

Bëhet fjalë për emrat e njohur të prodhimit e tregtimit të vajit të ullirit, si Dhërmiu, Borsh (Y.Hajdini), Borshi, Sidnej, Lundra, Petrela, Vaj Ulliri Berati, të cilët janë analizuar për shumë tregues dhe referuar Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.235, datë 21.03.2017, Për Mirarimin e Rregullores “Për karakteristikat e cilësisë dhe kriteret e natyrshmërisë së vajit të ullirit dhe bërsive të ullirit”. Dhe, rezultatet sipas ekspertëve, janë skandaloze. Madje, në shumë prej këtyre vajrave janë gjetur dhe ngarkesa të larta persiticesh.

Qendra ALERT ka mundur të mësojë se, në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë dhjetra mostra vaji ulliri “Made in Albania” dhe i ka analizuar në Itali, në laboratorin “Chemiservice”. Sipas analizave të referuara nga laboratori italian, vetëm 1 mostër ka dalë konform legjislacionit dhe dhejta tjera nga 7 kompanitë e sipërpërmendura, ndërsa gjithë të tjerat kanë treguar se vajrat e ullirit, disa kanë norma të papastërtisë, gjë që do të thotë se janë të përzier më vajjra të tjerë si luledielli apo mistri, disa kanë përmbajtje të lartë persticidesh etj. Në shumicën e analizave kanë rezultuar jashtë normave të lejuara acidet yndyrore si acidi linolenic, acidi erucic, që janë tregues se vaji i ullirit mund të jetë përzier me vaj vegjetal. Gjithashtu, nga analizat e “Chemiservise” tregohet se shumica e vajrave kanë përmbajtje të acideve yndyrore trans, një tregues ky i një vaji të rafinuar, jo vaji ulliri. Treguesit e raport-analizës që kanë dalë jashtë normave të lejuara referuar standardeve të Bashkimit Evropian dhe VKM-së Nr.235, datë 21.03.2017, janë tregues të papastertisë së vajit të ullirit. Gjithashtu, edhe sasia e lartë e dyllrave (wax ose cera), sipas analizave, tregon pastërtinë dhe cilësinë e vajit te ullirit. Rritja e këtij komponimi mund të vijë dhe si rezultat i një cilësie jo të mire të frutit, sidomos kur është prekur nga disa sëmundje, apo dhe frutat që kanë kaluar temperatura të larta gjatë kohës së pjekjes, mund të rrisin sasinë e këtyre komponimeve.

Këto të dhëna tregojnë abuzimin nga vetë prodhuesit. Kjo, pasi treguesit e mësipërm vërtetojnë faktin se prodhuesit shtojnë në vajin e ullirit vajra të tjerë si ai i lulediellit apo nga vaji i gjëmbaçit indian Safflower Carthamus Tinctorius, sasin nga i cili importohen jopak në Shqipëri.

Por, më të rrezikshme janë mbëtjet e pesticideve që kanë rezultuar në këto vajra, kryesisht insekticide dhe fungicide. Disa per pesticideve që kanë rezultuar në vajrat e ullirit, deri në dhjetra herë më të larta se normat e lejuara janë Chlorperyfos Ethyl, Difenocoleazole, Diphenylamine, Boscalid, Cypermethine, Deltamethrine dhe Lambda Cyhalothine.

Qendra ALERT ka mundur të mësojë se dhjeta lote të kompanive Dhërmiu, Borsh (Y.Hajdini), Borshi, Sidnej, Lundra, Petrela, Vaj Ulliri Berati që janë analizuar dhe kanë dalë jokonform, po tërhiqen nga tregu dhe kompanitë e sipërpërmendura nga gjobitur secila me nga 200.000 lekë.

Por, askush nuk mund të thotë diçka të saktë për produktet që janë në treg. Sepse duke qenë të panalizuara, janë dhejtra lote të tjera për të cilat nuk ka asnjë garanci që nuk janë në gjëndjen e atyre të analizuara.

Nga verifikimet e bëra, janë me qindra tregtarë, fermerë, të cilët u kanë shitur ullinjtë apo vajin e ullirit prodhuesve. Dhe, sipas dokumenteve të gjurmueshmërisë e faturave tatimore, ata mund të verifikohen, por  është shumë vonë për të marrë masa ndaj tyre, për faktin se tasghmë nuk ka asnjë të dhënë për PMB-të që kanë përdorur në ullinj, kushtet si i kanë vjelur, sa i kanë mbajtur në thaës, apo si e kanë ruajtur vajin e ullirit, ata apo fabrikat.

Skandaloz është fakti që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, prej më shumë se 2 javësh e fsheh këtë skandal, për të cilin minimalisht mund të kishte njoftuar konsumatorët për të mos blerë produktet në fjalë (vaj ulliri) me numrat e loteve respektiv dhe afatet e përdorimit. Ose, nëse dikush mund t’i ketë në shtëpi, të mos i konsumojë, apo t’i kthejë në vendin ku i ka blerë.

(vijon…)

SHENIM: Qendra ALERT disponon disa prej raport-analizave të laboratorit “Chemiservice” për disa prej kompanive të lartpërmendura. Por, nuk do t’i publikojmë përsa kohë nuk i disponojmë të gjitha analizat për të gjitha kompanitë në fjalë, me qëllim që të mos ketë selektime. E sigurt është që në këto analiza dhe që kanë rezultuar jokonform produktet e analizuara (përveç 1 mostre të vetme) janë Dhërmiu, Borsh (Y.Hajdini), Borshi, Sidnej, Lundra, Petrela, Vaj Ulliri Berati.

©Qendra ALERT

Related Posts