Menu

Foto – Video / I ftuar nderi në ceremoninë e diplomimit në Kolegjin AAB, filantropi Lazim Destani, ka një “amanet”për të rinjtë: Kurrë mos e largoni vëmendjen nga familja dhe atdheu

Kolegji AAB në Prishtinë, mbajti ditën e hënë ceremoninë e diplomat të më shumë se 1000 studentëve të gjeneratës së diplomuar në vitin 2023. Në një aktivitet madhështor në sallën “1Tetori” në kryeqytetin e Kosovës, u zhvillua ceremonia, mes studentëve që diplomoheshin, familjarëve të tyre, stafit akademik të kolegjit, merrnin pjesë edhe zyrtarë të Kosovës, e personalitete të njohura. Ndër ta ishte dhe Rifat Jashari, ku bashkë me më shumë se 1000 studentë, diplomohej dhe nipi i tij, Shaban Jashari i ri, njofton Gazeta Zëri (Zëri.info)

I ftuar nderi në këtë aktivitet, ishte dje edhe filantropi e biznesmeni i njohur nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, Z.Lazim Destani.

Në fjalën e tij përshëndetëse të ceremonisë së diplomimit, Z.Destani tha se e pranoi me kënaqësi ftesën e drejtuesve të Kolegjit AAB. Por, ndër të tjera, kishte një porosi të veçantë për diplomantët. “Në rrugën tuaj që keni përpara, kurrë mos e largoni vëmendjen nga familja dhe atdheu juaj”, u tha Destani të rinjëve, karriera ë të cilëve nisën pikërisht nga ky moment.

Më poshtë, gjeni të plotë fjalën e Z.Destani në ceremoninë e diplomimit ku ishte i ftuar”

“Të dashur studentë,

I nderuar rektor Z.Lulzim Tafa,

Të nderuar profesorë të Kolegjit AAB,

i nderuar Baca Rifat Rashari,

Të nderuar prindër e familjarë të studentëve,

Të nderuara media dhe gjithë ju të pranishëm,

Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë ceremoni ku po kurorëzohet puna disavjeçare e ju studentëve dhe gjithë stafit akademik të Kolegjit AAB.

Miqtë e mi, drejtues e pedagogë të këtij Kolegji. Ju falënderoj për ftesën dhe njëkohësisht dua me këtë rast t’ju përgëzoj për arritjet që ka shënuar ndër vite Kolegji AAB. duke u bërë një ndër pjesët thelbësore të arsimit në Kosovë!

Të dashur studentë, përzemërsisht ju përgëzoj në këtë ditë të veçantë të jetës suaj. Diplomimi juaj është mjaft domethënës pasi ai përbën kurorëzimin e dijeve të gjithësecilit në drejtimet që keni ndjekur. Jam i bindur se ju sot, krahas gëzimit dhe emocioneve, keni edhe ndjenjën e mirënjohjes ndaj profesorëve tuaj të cilët ju kanë pajisur me dituri, pra me “armën” më të fuqishme për të ecur përpara në karrierën tuaj profesionale dhe në jetë. Arsimi cilësor është për t’u çmuar jashtëzakonisht shumë pasi ai përbën themelet e zhvillimit të përgjithshëm socio-kulturor dhe ekonomik të një vendi.

Sot këtu të gjithë pjesëmarrësit po përjetojmë çaste të mrekullueshme gëzimi, dhe me këtë rast dua t’jua sjell në vëmendje ju studentëve se ky nuk është thjesht një kurorëzim individual i dijeve tuaja por është dhe një investim i jashtëzakonshëm i familjeve tuaja dhe mbi të gjitha, i shoqërisë sonë. Sot prindërit tuaj janë më të lumtur se ju, prandaj një urim të veçantë unë po ua bëj të gjithë prindërve tuaj sepse investimi për edukimin e fëmijëve është investimi më i rëndësishëm që bën çdo prind në jetën e tij dhe për familjen e tij.

Jam i bindur se ambicjet tuaja nuk përfundojnë me këtë diplomim. Ju duhet t’i vazhdoni të gjitha etapat me vendosmëri edhe më tej. Kini guxim dhe besim te vetja, kurrë mos thoni se kjo apo ajo nuk mund të arrihet, me vullnet, me punë e përkushtim, me nder e korrektesë, patjetër arrihet suksesi.

Nga eksperienca ime mund t’ju them se në rrugëtimin tuaj profesional, ju do të hasni sfida nga më të ndryshmet, pra që nuk keni pasur mundësi t’i gjeni nëpër librat tuaj, por kurrë mos u tërhiqni. Me vendosmëri arrihet çdo synim.

Dhe në mbyllje të fjalës sime do të doja t’ju bëj një porosi.

Në rrugën tuaj që keni përpara, kurrë mos e largoni nga vëmendja familjen dhe atdheun tuaj. Ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj akademik e profesional, punoni për veten tuaj, punoni për familjen tuaj, dhe punoni për atdheun tuaj!

Ju faleminderit!”

Z.Dedtani është një ndër përkrahësit më të mëdhenj të diasporës shqiptare për rinisë, forcimin dhe shkollimin e saj, krahas aktiviteteve tjera që zhvillon përçështje të ndryshme shqiptare. Njëherësh,ai është dhe promotor i thirrjeve që, si të rinjtë, ashtu edhe diaspora, nuk duhet ta largojnë asnjëherë vëmendjen nga trojet shqiptare, pavarësisht ku jetojnë.

Alert.al

Related Posts