Menu

Gjurmë benzeni në kremërat e plazhit, ndalohen produktet

Kompania Johnson & Johnson ka tërhequr pesë nga produktet e saj për mbrojtjen nga dielli për shkak se janë konstantuar gjurmë të lëndëve kimike të tilla si benzeni, të cilat nga ekspozimi i vazhdueshëm në diell mund të shkaktojnë kancer. Produktet e ndaluara i përkasin katër versioneve të kremit të plazhit Neutrogena dhe Aveeno Protect + refresh.

Produktet janë të shpërndara kryesisht në tregun amerikan por ekziston mundësia që mund të jenë shpërndarë edhe në vende evropiane apo edhe në Shqipëri.

Përfaqësuesit e kompanisë gjigande amerikane Johnson & Johnson janë shprehur që ‘benzeni’ u gjend pas testimeve nga kompania dhe një laboratori të pavarur. Ata janë akoma duke hetuar sesi ky element kimik ka përfunduar brenda produktit.

J&J tha që po punonin për të hequr të gjitha produktet nga tregu, dhe iu bëri thirrje konsumatorëve që menjëherë të ndalonin përdorimin e këtyre kremrave të plazhit.

Sipas deklaratës zyrtare të kompanisë ‘përdorimi i këtyre produkteve nuk pritej nga kompania që të shkaktonte pasoja në shëndetin e tyre dhe që vetë kompania kishte vendosur për largimin e tyre nga tregu si një mënyrë parandalimi’.

Benzeni është një element kimik i cili merr flakë në mënyrë të shpejtë, dhe që përdoret gjerësisht në industrinë kimike dhe është i përhapur gjtihashtu në mjedis. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij mund të shkaktojë kancer. Ai gjtihashtu mund të dëmtojë sistemin imunitar dhe të pengojë qelizat që të funksionojnë në mënyrën e duhur, sipas qendrës amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Ndikimet e kësaj lënde kimike variojnë në bazë të mënyrës së përdorimit të tij, si për shembull kur një person mund ta gëlltisë në mënyrë aksidentale, apo nëse e merr me anë të lëkurës apo veshjeve. Simptomat variojnë nga marramendje dhe rrahje të çrregullta të zemrës deri në konvulsione dhe, kur merret në nivele shumë të larta mund të shkaktojë dhe vdekjen.

Kompania J&J e cila është e bazuar në New Jersej, u shpreh që kishte njoftuar edhe Agjencinë Amerikane për Ushqimin dhe Medikamentet për tërheqjen e këtyre produkteve.

Burimi: The Associated Press

Qendra Alert – Alert.al

Related Posts