Në prag të festave të fundvitit, moderator i emisionit Alert në Ora News, Granit Sokolaj, ka bërë një apel të fortë për qytetarët lidhur me rrezikun që përbëjnë disa produkte që po qarkullojnë në treg, të cilat cënojnë jo vetëm sigurinë shëndetësore, por edhe jetën dhe pronën e konsumatorëve.
Sokolaj, duke iu referuar njoftimeve të fundit të RAPEX, ka paralajmëruar për kujdesin që duhet treguar veçanërisht me produktet si dritat dekorative të Vitit të Ri. Ai ka theksuar se duhet të kontrolloni që kordonët e dritave të jenë të paktën 1.5 metra nga spina deri tek paketa elektrike, pasi ndryshe ato mund të shkaktojnë rrezik për zjarre, siç kanë ndodhur në raste të tjera në Shqipëri.
Gjithashtu, ai ka përmendur rrezikun që paraqesin produktet kozmetike dhe lodrat për fëmijë, të cilat mund të përmbajnë kimikate të dëmshme. Sokolaj u ka bërë thirrje qytetarëve të kontrollojnë me kujdes etiketat e produkteve dhe të shmangin ato që nuk kanë informacion të plotë mbi cilësinë e tyre.
“Ju lutem, kontrolloni çdo produkt që blini, sidomos ato që lidhen me sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja. Produktet e paautorizuara dhe ato që nuk përmbushin standardet janë një kërcënim për jetën dhe shëndetin tuaj dhe të fëmijëve tuaj,” ka theksuar Sokolaj.
Ky apel ka ardhur pas identifikimit të disa produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe cilësisë nga njoftimet RAPEX, duke rritur ndjeshëm rrezikun për konsumatorët dhe duke cënuar cilësinë e jetës së individëve. Sokolaj ka përfunduar me një thirrje për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mbrojnë sigurinë e familjeve të tyre gjatë festave.


