Menu

Hapet projekti “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”

Menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore në vendin tonë nuk është ende i integruar si duhet në politikat kombëtare dhe veçanërisht në ato lokale. Mospërfshirja e komunitetit dhe OSHC në vendimmarrjet lokale vjen përgjithësisht si pasojë e kapaciteteve të ulëta dhe mungesës se njohurive në grupet e komunitetit lokal dhe mungesës se koordinimit midis organizatave të shoqërisë civile që i përfaqësojnë. Nga ana tjetër komunitetet lokale nuk janë të mirë informuara mbi mundësitë e përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore si potenciale për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Aktualisht, kjo situatë pengon zbatimin efektiv të politikave lokale të ruajtjes së mjedisit dhe natyrës duke sjellë menaxhim jo të mirë të burimeve natyrore. Fuqizimi i zërit qytetar përmes rrjetëzimit të OSHC-ve lokale dhe kombëtare mbetet një nga sfidat për përmirësimin e demokracisë së brishtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm lokal dhe kombëtar.

Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) në bashkëpunim me Klubin Ekologjik – Lezhë, Shoqatën Horizont EU – Lushnje, Shoqatën “Mbrojtja e Mjedisit dhe Zhvillimi i Turizmit-Kukës, kanë nisur zbatimin e projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”. Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të projektit “Projekti LëvizAlbania”

Projekti synon të kontribuojë për ndërtimin e një qytetarie (lëvizje komunitare) aktive, partnere e njohur në procesin e qeverisjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel lokal dhe kombëtar. Ai do të nxisë dhe mbeshtesë koalicionet e organizatave përmes qasjes së shkëmbimit te informacionit  dhe rrjetëzimit për të arritur objektiva konkretë sa i përket demokracisë dhe angazhimit qytetar në nivel vendor në bashkinë e Lezhës, Divjakës dhe Hasit. Kjo nismë do të forcojë legjitimitetin rrjeteve lokale dhe zgjerojë hapësirën ndërvepruese për të ndërmarrë veprime konkrete mbi çështje të zhvillimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore lokale me rëndësi për komunitetet që ata përfaqësojnë.

Grupet e synuara në këtë projekt përfshijnë (i) Shoqëria shqiptare, veçanërisht komunitetet lokale, (ii) Sektori i OShC-ve shqiptare duke përfshirë OMSHC-të dhe (iii) Institucionet vendore – janë institucione publike lokale që janë në përmirësim të strukturave të tyre organizative në funksion të zbatimit të ligjit të vetqeverisjes vendore.

Advokimi dhe lobimi për të përmirësuar transparencën e vendimmarrjes mbi përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore do të jetë thelbi i kësaj iniciative. Aktivitetet e projektit do t’i shërbejnë këtij qëllimi kryesor, duke vepruar në dy drejtime kryesore: Të nxisë rrjetëzime kombëtare dhe lokale aktive të OSHC-ve për ruajtjen e natyrës dhe partneritetin e tyre në programe pune afatgjatë advokimi për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore; dhe të rrisë angazhimin qytetar/komunitar dhe mediatik në aktivitetet advokuese të OSHC-ve për të siguruar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore lokale, duke përdorur të drejtën për informacion dhe pjesëmarrje mbi procesin e zbatimit të politikave dhe vendimmarrjes që ndikon në burimet natyrore lokale. Gjatë zbatimit të projektit do të synohet rrjetëzimi dhe forcimi i bashkëpunimit mes OMSHC-ve lokale në tre drejtime kryesore: (i) koordinim të programeve të përbashkëta, (ii) marrjen e njohurive dhe shkëmbimin e eksperincave, si dhe (iii) përfshirjen në aksione/aktivitete të përbashkëta. Çdo aktivitet mbështet këtë qëllim thelbësor, përmes pesë metodave të zbatimit: 1) ndërtimi/zgjerimi dhe fuqizimi i rrjeteve lokale dhe kombëtare OMSHC-ve për të mbrojtur advokuar dhe lobuar në mënyrë efektive duke siguruar mjete dhe informacione, përfshirë informacione në lidhje me kuadrin ligjor për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe metodat e pjesëmarrjes publike në vendimmarrjet lokale, 2) përcaktimin e qëllimit/mesazhit duke identifikuar dhe shpërndarë gjerësisht rekomandimet për të përmirësuar transparencën e vendimmarrjes për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore; 3) sigurimi i një platforme për dialog të fuqishëm midis të gjitha grupeve të interesit: OMSHC, media, autoritetet kombëtare dhe lokale, komuniteti rinor dhe gratë; 4) krijimi i  forumeve rinore dhe 5) Aksione konkrete në secilën zonë. INCA dhe OJF-të partnere mbi bazën e mediave potenciale të perzgjedhura, lokale apo kombëtare, do të bashkëpunojnë për t’i nxitur në realizimin e ndërhyrjeve mediatike sipas tematikave të problematikave të identifikuara përgjatë vlerësimit të situatës në zonat pilote të projektit, si dhe nisma të rrjetit në nivel kombëtar. Bashkëpunimi me këto media do të jetë i dedikuar në kohë televizive përmes kronikave dhe vëzhgimeve për promovimin e nismave të OSHC-ve dhe problematikave që lidhen me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe demokracinë në vendimmarrje. Në këtë kuadër përgjatë jetës së projektit do të synohet realizimi i 8 publikimeve në mediat të ndryshme lokale e kombëtare me fokus advokimin për ruajtjen e natyrës shqipëtare. Në përfundim të projektit do të mundësohet organizimi dhe zhvillimi i konkursit “Gazetaria më e mirë e advokimit mediatik për ruajtjen e natyrës”.

Takimi i sotëm ka për qëllim prezantimin e objektivave dhe rezultateve të pritshme të projektit,  si dhe informimin dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës me Organizatat e Shoqërisë Civile rreth ndikimeve direkte dhe indirekte, që do të ketë zbatimi i projektit në forcimin e kapaciteteve të tyre.

Ky aktivitetet u realizua nga INCA në kuadër të projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale”, me mbështetjen financiare të LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts