Menu

Investigim i Alert: Ja si po vidhen shqiptarët me çmimet e ilaçeve

Nga Agime Kastrati (Basha)*

Barnat nëpër farmacitë e Tiranës nuk kanë çmime të unifikuara. Edhe pse, sipas zyrtarëve institucional, Shqipëria e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte çdo çështje për çmimin e barnave por sërish duket se ka probleme.

Qendra Alert ka kryer një investigim të detajuar mbi çmimet e barnave në farmacitë e Tiranës, duke u përqendruar vecanërisht në çmimin e analgjezikëve konkretisht brufenit një ilaç i njohur për trajtimin e dhimbjeve dhe inflamacionit dhe okitask. Ky artikull synon të hedhë në dritë mbi çmimet e medikamenteve në farmacitë e ndryshme në Tiranë dhe faktorët që ndikojnë në këto çmime.

Investigimi i Qendrës Alert përfshiu një numër të madh farmacish të shpërndara në zonat e ndryshme të Tiranës. Qendra Alert grumbulloi të dhëna për çmimin e brufenit 600 mg, dhe brufenit 400 mg si dhe okitask duke vizituar personalisht farmacitë dhe duke regjistruar çmimet e afishuara mbi kutite e medikamentit. Jo vetëm kaq por, rezultatet e investigimit zbuluan se çmimi i Brufenit ndryshon ndjeshëm nga një farmaci në tjetrën. Disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në këto variacione çmimesh përfshijnë:

Vendodhja e Farmacisë: Farmacitë në zonën qendrore të Tiranës shpesh kanë çmime më të larta edhe për shkak të qirasë më të lartë dhe kostove të tjera operative.

Politikat e çmimeve të farmacisë. Ky fakt është i dukshëm pasi disa farmaci vendosin çmime më të larta për barnat si një stategji për të rritur fitimet ndërsa të tjera mbajnë çmime konkurruese për të tërhequr më shumë klientë.

Furnizuesit dhe Markat. Një e dhënë tjetër kryesore është origjina e furnizimit dhe marka specifike e cdo medikamenti konkretisht e brufenit, e cila mund ti ndikojë direkt në çmim. Vlen për tu theksuar se farmacitë që furnizohen nga distribucionet me çmime më të ulëta kanë mundësi të ofrojnë çmime me të ulëta.

Oferta dhe zbritje. Nga investigimi i bërë, një numër i pakët i farmacive publikojnë zbritjet ose ofertat për barnat. Zakonisht sezonet e festive janë periudhat qe konkretizohen me ulje ose oferta festive.

Ankesat e konsumatorëve për luhatjet e çmimeve

Për të ilustruar variacionet e çmimeve ja disa shembuj konkretë nga investigimi i bërë nga Qendra Alert.   Sipas hulumtimeve të bëra konstatohet se çmimet janë më të shtrenjta në zonat e kryeqytetit siç është rrjeti farmacive në Rr. Komuna e Parisit, ato në qendër dhe farmacitë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mungesa e çmimeve të unifikuara konkretisht për medikamentet në rastin tonë të brufenit në farmacitë e Tiranës është një problem i përhapur që prek shumë pacientë. Çmimi i një pako brufen nga një farmaci në tjetrën luhatet gati me 33 leke. Në farmacinë e parë që investigoj Qendra Alert në qendër në farmacitë e zonës së 9-katësheve një pako brufen u ble me 294 lekë, ndërsa po i njëjti produkt në  një farmaci në zonën e rrugës “Komuna e Parisit” u ble me 327 lekë pakoja. Ndërsa në “pellgun” e farmacive të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ble 345 lekë një pako e tillë. Ndërsa një qyterare e quajtur Ermonela Pepkola dhe që flet për Alert.al tregon se, i mungon koha fizike dhe shumicën e rasteve edhe medikamentet ka filluar ti blejë online. Kjo e fundit tregon se një okitask 40 mg me 10 bustina blihet nga 590 leke në një farmaci në 630 lekë në një farmaci tjetër. Madje çmimet janë të afishuara edhe online ku ajo e ka verëjtur këtë luhatje të madhe.

Tre vite të pandryshuara për listën e barnave të rimbursuara

Për tre vite me radhë lista e barnave të rimbursueshme nuk ka ndryshuar. Ka funksionuar ajo e vitit 2021.

Çka do të thotë që qytetarët nuk kanë pasur as barna të reja që duhet të shtoheshin çdo vit dhe nuk është rritur as numri i përfituesve. Për vitin 2024 nuk dihet se kur do të dalë lista e barnave me rimbursim pasi ende nuk është ngritur komisioni që do të vlerësojë se cilët barna do t’i shtohen kësaj liste.

Në mesin e vitit 2023 ndonëse shumë vonë nisi puna për hartimin e listës se re te barnave të rimbursueshme dhe që nga filimi majit kur duhej të dilte, nuk u arrit të miratohej as në muajin dhjetor.

Komisioni i vlerësimit kishte nisur punë për hartimin e listës që gjatë verës të vitit 2023 dhe në dhjetor dorëzoi një draft të listës së re të barnave të rimbursueshme, por ky draft u rrëzua nga komisioni administrativ, ku kryetar është ministri i Shëndetësisë. Kjo përkon edhe me ndryshimin e drejtimit të kreut të komisonit administrativ nga Ogerta Manastirliu tek Albana Kociu. Tani më për listën e re të barnave të rimbursueshme për vitin 2024 duhet ngritur një komision i ri dhe mësohet se disa nga anëtarët nuk do të jenë në  grupet e punës.

Vonesa e miratimit të listës së re të barnave të rimbursueshme ka sjellë një sërë problemesh. Në treg ka mungesa të shumë barnave që janë në listën e barnave të rimbursueshme, pasi distributorët e barnave nuk duan të riskojnë të krijojnë stok pasi nuk kanë një përgjigje se kur mund të dalë lista dhe me çfarë çmimesh do të futen. Por ndërkohë një tjetër dëm është shkaktuar në buxhetin e fondit të kujdesit shëndetësor pasi çmimi barnave për llogaritet me kursin e këmbimit të euros në dy gjashtëmujore të vitit.

Burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se para pak ditësh janë miratuar çmimet dhe në bazë të tyre komisioni duhet të hartojë listën e re të barnave të rimbursueshme që sipas parashikimeve citojnë burimet mund të jetë gati në muajin prill.

Raporti i KLSH për Barnat

Pikërisht në vitin kur shitja dhe importi i produkteve farmaceutike kapi vlerën më të lartë në dy dekadat e fundit, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk ushtroi asnjë kontroll mbi to. Ky është rezultat i auditimit të Kontrollit të Lartë të  Shtetit, i cili, pasi ka analizuar punën disavjeçare të këtij institucioni, vë në dukje se numri i analizave laboratorike të medikamenteve ka ardhur në tkurrje vit pas viti (shiko tabelën përbri) deri në pikën kur për 11 muaj rresht nuk është kryer asnjë analizë.

“Për periudhën 2017- 2018, institucioni ka kryer vetëm 12% të barnave që duhet të analizonte. Në vijim të problematikave të trajtuara janë lënë dhe rekomandimet përkatëse, por pavarësisht tyre, situata nuk duket e përmirësuar, por ka pësuar ulje deri në moskryerje të tyre. Prej muajit tetor 2019, në të cilën është bërë analiza e fundit, institucioni për 11 muaj nuk ka nxjerrë asnjë analizë çka nuk ka mundësuar analizimin e barnave në treg me cilësi dhe efikasitet për popullatën”, citohet në raportin e auditimit që shtron si emergjencë vijimin e kryerjes së analizave si qëllimin bazë, përpos nevojës për përmirësimin e infrastrukturës.

Për këtë mungesë flagrante, gishti i akuzës drejtohet jo nga titullarët e institucioneve, por dukuritë natyrore si tërmeti i 2019-ës që dëmtoi laboratorët e ISHP-së dhe situata pandemike, e cila në vend që të rriste kontrollet në pikun e pandemisë, i zeroi. “Ngjarjet e jashtëzakonshme si tërmeti i 26 nëntorit, por edhe pandemia COVID-19 shpallur në fund të muajit mars 2020 kanë pasur gjithashtu ndikimin e tyre negativ në këtë situatë.

Megjithatë, mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit  të popullatës”, thuhet në raportin e audituesëve, të cilët nënvizojnë gjithashtu se transferimi i laboratorit të kontrollit pas tërmetit ka qenë një lëvizje e pastudiuar dhe  me ndikim afatgjatë në ruajtjen e shëndetit.

Thënë ndryshe, është vënë në rrezik shëndeti i popullatës duke iu ofruar barna të pakontrolluara. Laboratori i Kontrollit është ai që përmes analizave garanton vendosjen në treg të  barnave të sigurta, cilësore dhe efikase. Ai kryhen analizat fiziokimike dhe mikrobiologjike të disa doza barnash  që importohen a prodhohen në vend, të lëndëve të para  farmaceutike, analizë të mostrave që shoqërojnë dokumentacionin për dhënie autorizimi për tregtim të tyre, si dhe në çdo rast kur ka import të tyre lëshon certifikatën e analizës.

Me pak fjalë, siç audituesit e KLSH-së e përshkruajnë, ky laborator është jetik për procesin e garantimit  të ilaçeve që prodhohen në vend apo importohen nga jashtë. Pavarësisht se nuk  janë kryer analiza, në laboratorin e kontrollit, edhe pse jo- funksional, figurojnë 18 të  punësuar, ndërsa kostoja për laboratorët kap shifrat e më shumë se 26 milionë lekëve

Çfarë solli investigimi i Qendrës Alert për konsumatorët?

Investigimi i Qendrës Alert tregon qartë se konsumatorët duhet të jenë të informuar dhe të kujdesshëm kur blejnë barna, duke bërë krahasime çmimesh midis farmacive të ndryshme.

Qendra Alert rekomanton konsumatorët:

Konsumatorët të kontrollojnë disa farmaci para se të blejnë barna për të gjetur çmimin më të lirë e më të mirë.

Farmacitë të jenë transparente në lidhje me çmimet mes tyre de të ofrojnë informacion të qartë për klientët.

Institucionet përkatëse të monitorojnë dhe të rregullojnë çmimet e barnave për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar akses të drejtë për të gjithë qytetarët

Ky investigim shërben si burim I rëndësishëm për konsumatorët dhe autoritetet për të kuptuar dhe adresuar ceshtjet e çmimeve të barnave në Tiranë.

 

*Autorja e shkrimit është gazetare me eksperiencë 20-vjeçare në mediat e shkruara, e fokuzuar kryesisht në çështjet sociale dhe shëndetësore

Related Posts