Menu

Investigimi / Pesticidet me lëndë aktive të ndaluara në BE, ndryshe nga etiketa, por dhe kontrabandë, që rrezikojnë shëndetin publik dhe fermerët

Nga Rudina MUÇA*

“Kemi frikë nga ushqimet. Frutat dhe perimet i rrisin me hormone, nuk e dimë se me cfarë po ushqehemi”. Këtë përgjigje merr sa herë që konsumatori pyetet për prodhimet bujqësore. Vitet e fundit media e shkruar dhe ajo audiovizive ka ngritur zërin për përdorimin e “helmeve” të rrezikshme që përdoren në bujqësi. Pesticidet janë një e keqe e domosdoshme për të ruajtur prodhimin bujqësore. Por, përdorimi i pesticideve dhe i plehrave kimike ka sjellë zhvillimin modern në bujqësi. Po çfarë janë pesticidet që konsumatori i trembet kaq shumë?

Termi “Pesticide” përfshimin një numër të madh të komponimeve që përdoren për mbytjen ose kontrollin e dëmtuesve sic janë: insektet, kërpudha, bimë të padëshirueshme (bar i keq) brejtës dhe mikroorganizma. Pra pesticidet ndihmojnë fermerin për të përmirësuar sasinë, cilësinë dhe shumëllojshmërinë e kulturave bujqësore. Shumë herë prodhimet bujqësore shqiptare janë përfshirë në skandale abuzimi pesticidesh. Për këtë arsye, “Agjencia për kontrollin cilësor, higjenik dhe të kimikateve në fruta perime” e Greqisë ka kthyer disa herë mbarpsht prodhimet bujqësore “Made in Albania”, pasi ato kanë rezultuar me ngarkesë të lartë të pesticideve. Por, edhe shtete të tjera në BE.

Gjatë zbatimit të këtij projekti ne kemi analizuar disa pesticide në laborator te akredituar. Konkretisht gazetarët investigativ të Qendrës ALERT kanë bërë blerje rastësore në farmaci disa bujqësore. Pesticidet që Qendra ALERT ka zgjedhur të analizojë janë ato që gjejnë përdorimin më të gjërë në të mbjella. Konkretisht kemi kërkuar analizimin e pesticideve: Imidaclorpd (Confidor), Chlorpyrifos (Adama pyrinex), Laser Planta shpk (Spinosad) dhe Affirm (Emamectin-Benzoate). Qendra ALERT kërkoi që në këto PMB të analizohej përmbajtjen reale e lendëve aktive, duke e krahasuar me sasinë e lëndës aktive të deklaruar në etiketën e produktit. Sipas specialistit të imputeve bujqësore, njëherësh pedagog ne Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fredi Brahushi, nga katër kampionët e pesticideve të analizuar pranë laboratorit të akredituar NOVAL, dy prej pesticideve janë në mungesë të lëndëve aktive, nëse krahasimin e bëjmë me ambalazhimin tregtar.

Ekspertët lëshojnë alarmin për rrezikun e shëndetit të konsumatorëve, pasi mospërputhja e lëndës aktive me deklarimin në etiketë, bën që të përdoren mbidoza dhe që në fund, hyjnë në trupin tonë nëpërmjet perimeve e frutave, pasi ato mbingarkohen me sasitë e hedhura.

Rezultati i analizave të PMB-ve

“Bazuar në rezultatet e analizave të marra si dhe në gjykimin si specialist i fushës dalim në konkluzionet si vijon:

Analiza e formulimit tregetar Pyrinex 48 EC me përmbajtje të lëndës aktive në etiket 480 g/l  Chlorpyrifos rezulton me një diferencë -91 g/l në vlerë absolute ose -19% në vlerë relative, krahasuar me etiketën. Në gjykimin tim kjo vlerë devijimi konsiderohet shumë e lartë dhe përbën problem të madh në përdorim duke mos dhënë efektin e dëshiruar në mbrojtjen e bimëve. Theksoj që kjo lëndë aktive është hequr nga përdorimi në vendet e BE, ndaj duhet që edhe në vendin tonë të hiqet nga tregtimi i mëtejshëm”, analizon Ferdi Brahushi.

Nr. Emri tregetar i formulimit Lenda aktive

(l.a.)

Permbajtja e l.a. Rezultati i analizes Rikuperimi

(%)

Diferenca

absolute

Diferenca

relative (%)

1 Adama Pyrinex 48 EC Chlorpyrifos[1] 480g/l 389 84 -91g/l -19.0
2 Confidor Imidakloprid[2] 200 g/l 191 82 -9g/l -4.5
3 Laser Spinosad[3] 48 % 47.3 83 -0.7% -1.5
4 Affirm Emamectin benzoate[4] 0.95% 0.94 85 -0.01% -1.1
[1]Eshte lejuar perdorimi ne BE deri 16.01.2020
[2]Eshte lejuar perdorimi ne BE deri 01.12.2020
[3]Lejohet perdorimine BE
[4]Lejohet perdorimine BE

Një tjetër insektid që vë në rrezik bujqësinë dhe shëndetin e konsumatorit është Confidor.

“Analiza e formulimit tregtar ‘Confidor’ me përmbajtje të lëndës aktive në etiket 200 g/l Imidacloprid, rezulton me një diferencë -9 g/l në vlerë absolute ose – 4.5% në vlerë relative, krahasuar me etiketën. Në gjykimin tim, kjo vlerë devijimi konsiderohet mesatarisht e lartë dhe përbën problem në përdorim, duke mos dhënë efektin e dëshiruar në mbrojtjen e bimëve dhe mashtrim ekonomik për fermerët. Theksoj që edhe kjo lëndë aktive është hequr nga përdorimi ne vendet e BE”, tha Brahushi.

Eksperti dhe profesori Brahushi thotë se, analiza e formulimit tregetar “Laser” me përmbajtje të lëndës aktive në etiketë 48% Spinosad rezulton me një diferencë  -0.7% në vlerë absolute ose -1.5% ne vlere relative krahesuar me etiketen dhe formulimi tregetar “Affirm” me përmbajtje të lëndës aktive në etiketë 0.95% Spinosad rezulton me një diference -0.01% në vlere absolute ose -1.1% në vlerë relative krahasuar me etiketën. “Ne gjykimin tim dhe siç e parashikon legjislacioni shqiptar, kjo vlerë devijimi mund të konsiderohet normale”, thekson ai.

“Përdorimi i pesticideve me më pak lëndë aktive në etiketë sië është në rastin e Pyrinex 48 EC dhe Confidor është një mashtrim ekonomik, pasi fermeri e blem sipas çmimit që bazohet në % e lëndës aktive dhe për shkak të përmbajtjes së ulët, nuk jep efektin e duhur në mbrojtjen e bimëve, duke ulur rendimentin. Nga ana tjetër, fermeri, për të siguruar mbrojtjen e bimëve detyrohet të përdorë sasira më të larta të pesticideve ose përseritje të trajtimit me pesticide, gje e cila rrit koston e prodhimit. Një problematikë tjetër shumë e rëndësishme është që, nga përdorimi i përsëritur ose me doza të larta i pesticideve, kemi rritje të mbetjeve të tyre në mjedis, pra ndotje të tokës, ujit dhe të produkteve bujqësore, duke cënuar sigurinë ushqimore të konsumatoreve”, thekson Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Prof.Ferdi Brahushi

Ndërkohë, siç dhe lehtësisht mund të verifikohet nga videoja një produktet që është marrë për analizë, “Afirm” pavarësisht rezultatit, ka hyrë në Shqipëri kontrabandë. Tregtari e thotë vetë se është një produkt i importuar në mënyrë ilegale nga Greqia dhe është detyruar që në Shqipëri ta ambalazhojë në paketime të vogla dhe me etiketë në Shqip. Kjo tregon qartë se, edhe shumë pesticite që mund të jenë të ndaluara të përdoren në bujqësi, të futen lehtësisht në territorin tonë në mënyrë ilegale, por të shiten lirshëm në tregun tonë.

Qendra ALERT gjithashtu intervistoi dhe fermerin e ri, Franc Kaloshi. Sipas Kaloshit, cilësia e pesticideve në Shqipëri lë për të dëshiruar. Mungesa e lëndës aktive, shumë herë ka vënë në rrezik prodhimin e tij bujqësor. Familja Kaloshi u shpërngul nga Tirana për t’u marë me bujqësi, por sfidat e mëdha që përballet fermeri po i çojnë ata drejt falimentimit.

“Që nga viti 2000 e deri më tani kemi 150 ha të mbjella me kultura të ndryshme. Në shumë raste pesticidet nuk e kanë efektin real, nuk janë sic shënohen në etiketë. Ato që riambalazhhen këtu kanë probleme  bëhen me shtesa të panjohura. Insekticidet dhe herbicidet janë ato që ne hasim më shumë probleme. Këto dy pesticide jemi të detyruar t’i   përdorim në të gjitha kulturat. Pyrinex e përdor për të luftuar karkaecin tek lakra. Por asgjë nuk ndodhe detyrohem që lakrën në fushë ta spërkas mbi dy herë me Pyrinex, por përsëri vezët e karkalecit më shtohen”, thotë fermeri nga Lushnja, Franc Kaloshi.

Po për çfarë përdoren këto dy pesticide?

Sipas agronomit Demir Muça, përdorimi më i lartë i pesticideve ndodh kur kalohet periudha e qëtësisë, pra dimërimi

“Insekticidet Confidor dhe Pyrinex, më së shumti përdoren në sera. Kur perimet e kultivuara kalojnë periudhën e qetësisë dimërore, dalin krahëbardhat. Ky insekt del më shpejt për shkak të kushteve atmosferike që ka brënda në serë. Ndërsa në fushë përdorimi i tyre fillon në muajin maj-qeshor. Fermerët shumë herë drejtohen përsëri në derën e farmacisë sime. Insektet vazhdojnë të jenë në bimë edhe kur bëhet spërkatja me këto pesticide. Sa do që i ofroj një tjetër insekticid, cilësia e tyre e zhgënjen gjithnjë bujkun”, përfundoi agronomi Demir Muça.

Arben Shytaj

Ndërkohë, sipas ekspertit të imputeve bujqësore Arben Shytaj  kompanitë importuese nuk janë transparente me fermerin. Në etiketen e imputeve bujqësore përvec lëndës bazë aktive, pothuajse gjithnjë jemi në mungesë të lëndës dytësore.

“Një pesticid është i efektshëm nëse ka masën e  duhur të lëndës aktive. Farmacitë bujqësore, kur dyshojnë % e lëndës aktive rrisin dozën e spërkatjes së prodhimit. Sigurojnë eleminimin e insketit dhe nuk mendojnë mbetjen në produkt. Ndërsa lëndët dytësore gjithnjë mbesin mister për fermerin dhe agronomin. Ato janë të shënuara vetëm në kartën teknologjike që e disponon tregtari”, tha Arben Shytaj. Sipas tij, përdorimi me mbidozë rrezikon shëndetin publik, pasi hedhja mbi normën, pasi dozat standarde nuk japin efekt, reflektohen në produktet përfundimtare që ne konsumojm,ë perime apo fruta.

Efektet negative të PMB-ve jo-cilësore

Përdorimi i pesticideve me më pak lëndë aktive në etiketë, siç është në rastin e formulimit tregtar Pyrinex 48 EC dhe Confidore është një mashtrim ekonomik së pari, pasi fermeri e blen sipas çmimit që bazohet në % e lëndës aktive dhe për shkak të përmbajtjes së ulët nuk jep efektin e duhur në mbrojtjen e bimëve. Gjithashtu, fermeri për të siguruar mbrojtjen e bimëve detyrohet të përdor sasi të mëdha të pesticideve ose përsëritje të trajtimit me pesticide, gjë e cila çon në rritjen e kostos së prodhimit të bimëve. Sipas Brahushit dhe Shytajt, risku më i madh shfaqet te konsumatori dhe shëndeti i tij. “Nëse një fermer përdor në serën apo arën e tij, një pesticid apo insekticid me lëndë aktive më të ulët, ai nuk jep rezultatin e pritshëm. Në këto kushte, ata blejnë dozë tjetër dhe e ripërdorin, duke bërë që pima dhe produkti perime apo edhe fruta të tejngarkohet me lëndët e rrezikshme për shëndetin e njeriut”, thonë.

“Kam mbjellë 60 ha grurë. Për të eleminuar barërat e këqija kam përdor herbicide të ndryshme. Për të eleminuar barin e keq nga sipërfaqia prej 20 ha tokë të mbjellë me grurë kam përdor herbicidin Dy4D. Ky herbicid nuk ka dhënë asnjë efekt. Për faj të importuesit dhe shtetit që nuk i kontrollon, gruri do të dalë i pisët dhe fabrika do të më ulë çmimin. Pra, sipas fabrikës, ky grurë nuk duhet të vlerësohet për konsum human, por për kafshë. Për mua është dëm i madh ekonomik sepse për 20 ha prodhoj 100 ton, gruri i mirë shitet me 30 mijë lek kuintali, ndërsa gruri pisët meret 20 mijë lekë kuintali. Me një llogari të thjeshtë, unë këtë vit do të humb të gjithë fitimin që prisja, pra 10 milionë lekë”, – dëshmon Franc Kaloshi.

Një problematikë tjetër shumë e rëndësishme është që nga rispërkatja  kalojmë në rritje të mbetjeve të rrezikshmë në mjedis, pra ndotje të tokës, ujit, dhe të produkteve bujqësore duke cënuar sigurinë ushqimore.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në organikën e saj ka disa institucione që duhet të kujdesen për ndalimin e pesticideve të skaduara apo jocilësore. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Agjensia e Mbrojtes së Bimëve dhe Qendrat e Laboratoreve Shtetëror, së bashku me trupat inspektuese duhet të shërbejnë si  “shtylla” e mbrotjes së integruar të bimëve.

“Për kontrollin e cilësisë së PMB-ve, duket më shumë që kemi një boshllëk ligjor. Ligji i Mbrojtjes së Bimëve nuk parashikon dispozitë, vetëm një paragraf i VKM 1188 ka detyrimin për vlerësimin e cilësisë, por pa e detajuar, sidomos qëndrimin ndaj subjektit abuzues edhe vetë AKU nuk di si të veprojë”, tha specialisti Shytaj.

Në vitin 2008, me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 1555 u mor vendimi “Për përcaktimin e rregullave të regjistrimit të kritereve të produkteve për mbrojtjen e bimëve”. Ky vendim që tashmë është shfuqizuar, i jepte të drejtë inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit të analizonte dhe të kontrollonte të gjitha njësitë tregtare të imputeve bujqësore. Me largimin e këtij vendimit, sipas ekspertit Shytaj, tregtarët e mëdhenj, në disa raste, abuzojnë në kurriz të djersës së fermerit dhe shëndetit të konsumatorit.

Qendra ALERT / Alert.al

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

 

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Related Posts