14 C
Tirana
Thursday, May 6, 2021
No menu items!

Investigimi / Si mashtrohen fermerët me cilësinë e plehrave kimike dhe rreziku i shëndetit nga prania e tyre në produktet ushqimore / Foto – Video

Nga Rudina MUÇA*

Toka e punuar çdo vit gradualisht bëhet jo pjellore. Për këtë arsye fermerëve u lind nevoja që tokat bujqësore t’i ushqejnë me pleh. Plehu organik nuk i përmbush nevojat që ka fermeri për tokën e tij, për këtë arsye bima e mbjellë në këtë tokë ushqehet me plehra kimike. Plehrat
kimike përdoren nga fermerët me qëllim që prodhimi bujqësore të ketë rendimet të lartë, në kohë dhe sasi. Por si është cilësia e plehra kimike që importohen në Shqipëri? Fermeri vendas jo rrallë herë ankohen për cilësinë e tyre.
Franc Kaloshi është 31 vjeç. Ai zotëron një fermë të madhe në fshatin Ferras të Divjakës. Në 250 hektarë fushë, Franci kultivon kultura të ndryshme bujqësore duke filluar që nga drithërat, si gruri, perimet: domate, spec, presh, qepë hudhër, lakra e duke vazhduar deri te frutat si shalqini. Më pas ky prodhim Made in Albania, eksportohet drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Prodhimet bujqësore që fermeri, Franc Koleshi kultivon në parcelën e tij i mbjell të gjitha në fushë, në 250 hektarë tokë në një periudhë 1 vjeçare atij i duhet 400 ton plehra kimike. Duke filluar që nga dapi, ure, nitrat dhe formula kristalore. Çmimi për 1 ton plehra kimike afërsisht kap vlerën e 45 mijë lekëve të reja, në total Franci për plehra kimike shpenzon 18 milion lekë të reja.
“Importuesit fusin dorën në xhepat e fermerëve”, thotë Franci, sipas të cilit, konkretisht kur bujqësia nuk ka nevoja për nitrat çmimi për ton është 20 mijë lekë të reja, por kur ky pleh kimik përdoret gjerësisht në fusha dhe sera çmimi i tij dyfishohet, për pasojë çmimi shkon në 40 mijë lekë reja për ton.

Madje, pak ditë më parë, Autoriteti i Konkurecës njoftoi se, nisur nga shqetësime të ngritura në media mbi rritjen e çmimit të plehrave kimike, bazuar në nenin 28, germa a), të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, Autoriteti i Konkurrencës në datën 11 Mars 2021 realizoi një monitorim të tregut të importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore, për evidentimin e kushteve të tregëtimit të këtyre produkteve, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg. Konkurenca vijon me njoftimin e saj, duke sqaruar se, “nga vlerësimi i informacionit të mbledhur gjatë monitoritmit të kryer pranë ndërmarrjeve kryesore në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore, si dhe në ambientet e Shoqatës Shqiptare të Plehrave Kimike dhe Inputeve Bujqësore “AFADA”, rezultoi:

Disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve;
Ndërmarrjet kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazine duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre;
Në treg operojnë ndërmarrje të konsoliduara dhe me pjesë të konsiderueshme të tregut.

Për sa më sipër, ngrihen dyshime të arsyeshme se mes ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, ka element të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4, pika 1 dhe nenit 9 të ligjit nr 9121, datë 27.08.2003 “Për mbrojten e konkurrencës”, i ndryshuar. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi “Hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore”.

Po, shqetësim tjetër mbetet cilësia e këtyre produkteve plehëruese, përbërja e të cilave rezulton, sipas një investigimi, ndryshe nga deklarimet në etiketë.
Qendra ALERT, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për fermerët dhe për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës. Gazetarët investigativë duke pasur si qellim të vetëm mbrojtjen dhe informimin e konsumatorit, në disa subjekte të ndryshme tregtare si farmaci bujqësorë blenë plehra të ndryshme kimike. Më pas me temperaturë ambienti ato u depozituan pranë laboratorit “Noval” për të analizuar ato elemente kimike që janë paraqitur në etiketën e produktit. Konkretisht u analizuan produktet:
Agriful (biostimulant naral me veprim të shpejtë), Nitrat Amoni (substanca kimike të ngurta), Olifer (substanca kimike të ngurta), Urea (substanca kimike të ngurta), Zenith Orange (substanca kimike të ngurta). Ambalazhimi i plehrave kimike ka qenë në thasë dhe plehrat kimike në laborator janë dorëzuar sipas një protokolli, pra të pahapura.
Konkretisht u kryen analizat kimike në laborator të akredituar, konkretisht Noval, me të cilin Qendra ka një kontratë bashkëpunimi në kuadër të realizimit të projektit në fjalë, për përmbajtjen e elementeve ushqyese si azot, fosfor, kalium, bor në përbërjen e tyre. Këto analiza u realizuan për të krahasuar të dhënat që deklarohen në etiketë për përmbajtjen e produktit, me ato reale të nxjerra nga laboratori.

Dy ekspertë të kësaj fushe, analizuan rezultatet e analizave. Konkretisht, Ferdi Brahushi, pedagog në Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Arben Shytaj, ish-Përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve dhe ish-Inspektor në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Sipas Prof. Brahushit, disa nga plehrat kimike që tregtohen në vendin tonë nuk janë brenda standardeve që kërkohen.

Brahushi deklaron se, prezenca e nitrateve në produkte është mjaft e dëmshme për shëndetin e njeriut, gjë për të cilën flitet pak sot. “Ne sot marrim në treg perime më prezencë të nitrateve e nitriteve. Për të shtuar prodhimin dhe aq më tepër kur produktet plehëruese janë me lëndët kimike më të ulëta sesa normalja e deklaruar në etiketë, fermeri hedh sasi të mëdha plehu kimik që të rrisë rendimentin. Por, për pasojë kemi nitrate e nitrite në bimë, duke shkaktuar dhe sëmundje të pashërueshme”, theksoi Profesor Brahushi.

Ndërsa eksperti Srben Shytaj deklaron se, “kemi patur raste të problemeve të ushqimeve të plehrave kimike, të mangësisë së lëndëve aktive, të përzierjeve të ndryshme dhe kemi marrë masat përkatëse”.

Prof.Ferdi Brahushi

Interpretimi i Z.Ferdi Brahushi:
” Bazuar në VKM Nr. 774, datë 7.11.2012, Për rregullat, kërkesat e prodhimit, etiketimit e të paketimit për vendosjen në treg e tolerancat dhe listën e tipave të plehrave kimike Ec Fertilizers”, për normat e lejueshme të devijimit të lejuar nga normat minimale e maksimale të elementit ushqyes, të përcaktuar në Shtojcën 2 të këtij vendimi, dhe rezultatet e marra si dhe ne gjykimin si specialist i fushes dalim në konkluzionet si vijon:
Analiza e plehut të Nitrat Amoni me përmbajtje në etiket 34.4% azot rezulton me një diferencë -1.99% në vlerë absolute krahasuar me etiketën dhe + 1.19% më shumë nga norma e lejueshme e devijimit.

Analiza e plehut Urea me përmbajtje në etiket 46.2% azot rezulton me një diferencë +1.4% në vlerë absolute krahasuar me etiketën dhe + 1.0% më shumë nga norma e lejueshme e devijimit.

Analiza e plehut Olifert me përmbajtje në etiket 22% azot, 6% fosfor (P2O5); 12% potas (K2O) dhe 0.5% bor rezulton me
diferencat -0.26%, +0.52%, -0.22% dhe -0.18% respektivisht, dhe me një total devijimi (1.18%) në vlerë absolute krahasuar me etiketën është më i vogël nga norma e lejueshme e devijimit (1.9%). Pra, ky pleh rezulton me përmbajtje të elementeve ushqyes sipas etiketës.

Analiza e plehut Zenith Orange me permbajtje në etiket 15% azot, 15% fosfor (P2O5); 15% potas (K2O), 0.5% mikroelement ushqyes (Fe, Zn, B, Cu, Mg)dhe 15% squfur (SO3) rezulton me diferencat -1.21%,-0.8%, -1.15%, +0.4 dhe -0.96% respektivisht dhe me një total devijimi 4.52% në vlerë absolute, krahasuar me etiketën është më i madh nga norma e lejueshme e devijimit (1.9%).
Në gjykimin tim, kjo vlerë devijimi vjen kryesisht nga përmbajtja më e ulet e azotit dhe kaliumit (K2O) që rezulton në mostrën e marrë, duke e konsideruar këtë pleh jashtë standardit të përdorimit.

Analiza e Biostimulantit natyral me veprim të shpejtë AGRIFUL me përmbajtje në etiket 4.5% azot, 1.0% fosfor (P2O5); 1.0% potas (K2O), rezulton nga analizat e bëra me një përmbajtje më të lartë të tre elementeve kryesor ushqyes azot, fosfor dhe kalium.

Por, çfarë ndodh kur vlerat plehrave kimike janë nën normë?
Në rastet kur plehu ka përmbajtje më të ulët se vlera e përcaktuar në etiketë është një mashtrim ekonomik për fermerët, pasi ata paguajnë për këtë pleh dhe sasia që marrin për përdorim është në bazë të përmbajtjes së elementëve ushqyes mbi bazën e së cilës përcaktohet doza e përdorimit të tyre. Kështu, kur fermerët përdorin këtë pleh nuk çon në rritjen e redimentit të bimëve bujqësore për shkak të përmbajtjes më të ulët të elementëve ushqyes duke shaktuar mungesë të tyre në bimë.”
Po ne rastet kur vlerat e plehrave kimike rezultojnë të jenë mbi vlerën e reflektuar në etiketë cfarë ndodh? Brahushi thekson se, vlerat e larta të këtyre elemnteve kimike do të kristalizonin tokën dhe do të shkaktonin ndotje të lartë mjedisore. “Në rastet kur plehu ka përmbajtje më të lartë se vlera e përcaktuar në etiketë, që mund të jetë rast i rrallë mund të çoj në probleme mjedisore si përmbajtje të lartë të tyre në bimë sidomos për shembull në rastin e plehrave azotike përmbajtja e lartë e azotit do të shoqërohet me përmbajtje të lartë të nitrateve në bimë dhe kalimin e tyre në ujërat sipërfaqësor dhe nëntokësor”. Një kohësisht, Brahushi ngre alarmin edhe për sigurinë ushqimore. Sipas tij, kur fermeri përdor në tokat e tij produkte plehëruese, përmbajtja e të cilave është jashte normes së deklaruar në etiketë, shkakton dhe dëme edhe përbën një potensial serioz për konsumatorin, pasi hedh më shumë dhe këto reflektohen në produktin përfundimtar, ku rreziku më i madh është prania e nitrateve në perime.

Ndërkohë, Arben Shytaj, ish-Inspektor dhe ish-Përgjegjës i Sektorit të Mbrojtjes së Bimëve në AKU, por dhe njohës i mirë i ligjeve mbi etiketimin e plehrave kimike, deklaron se disa nga mostrat e analizuara, referuar fletëanalizave të “Noval”, kanë në mungesë të lëndës aktive dhe në disa raste, kthehen në rrezik për sigurinë ushqimore.

Interpretimi i plotë i Z.Shytaj:

Nëse i referohemi dispozitave ligjore, një gjë e tillë dënohet me gjobë.

Arben Shytaj

Produkti Olifert

Etiketa 22-6-12(NPK)+0.5Bor.
Analiza: N( azoti) 21.71 %
P2O5(fosfori) 6.52%
K2O(kaliumi) 9.76%
Bori 0.32%
Toleranca e lejueshme është 1.1% e deklarimit. Azoti është në normë, po ashtu edhe Fosfori.

Oksidi i Kaliumit është me mungesë, nga 12% i deklaruar, lejohet 11.862%, i mungon 2.1%.
Bori: Toleranca e lejueshme për mikroelementet me përmbajtje nën 2% është 0.4% e deklarimit. Pas përllogaritjeve, norma e lejueshme për deklarimin 0.5% , është 0.425%, në analize ka dale 0.3%.
Zenith orange

Etiketa: 15-15-15 (NPK)+15% So3+0.15%( Fe, Zn,
B, Cu, Mg)
Analiza: 13.79(N)-14.2(P2O5)-13.85(K2O)+14.04 SO3
Toleranca e lejueshme për makro elementët është 1.1% e
deklarimit.
Nga përllogaritjet del: Për te tre treguesit norma e lejueshme është 14.8, kështu qe te tre elementet ushqyes janë me mungesë përkatësisht 1%, 0.6%, 0.95%.
Analiza e mikroelementeve: hekuri dhe magnezi janë përkatësisht
0.28% dhe 0.20%, mbi deklarim 0.15%.
Bori 0.05%, Zinku 0.02%, Bakri 0.002%. Në bazë të përllogaritjeve, toleranca e lejueshme është 0.00225%, ku sipas etiketës lejohen deri 0.14775%. Siç shihet rezultatet janë shumë te ulëta nga toleranca e lejueshme dhe deklarimi në etiketë.

Nitrat Amoni

Treguesi në etiketë N(azoti) 34.4%, rezultati në fletë analize 32.4%.

Toleranca e lejueshme 0.8%.

34.4×0.8÷100=0.275 % është shifra e lejueshme, e cila i zbritet 34.4% që është deklarimi. 34.1% është lenda aktive N(azot) e lejueshme per këtë deklarim, këtij loti i mungon 1.7%.

Ure

Treguesi në etiketë N(azoti) 46.2% rezultati  N(azoti) 47.6%.

Agriful

Etiketa: Azoti 4.5%, Fosfori 1%, Oksidi i Kaliumit 1.49%.

Rezultati:

N(azot) 5.7%, P2O5(Fosfori) 2.4%, K20 (kaliumi) 1.49%

Te tre treguesit me tepricë, mbi normat e lejueshme.

Treguesit për produktet me mungesë të lendës aktive, siç u permendën me lart, jane ne shkelje të Nenit 27 të ligjit Nr 17/2020 “Për Produktet Plehruese”, pasi jane produkte të tjetersuara, ku subjekti përkatës dënohet me gjobë. Ndërsa demi që i shkaktohet fermerit është së pari ekonomik, pasi ai blen një produkt me mungese në lendë aktive për bimët e tij.

Kur të dhënat e etiketës janë të tjetërsuara, një gjë e tillë prodhuesin apo importuesin e dënon me gjobë ose deri në asgjësimin e atij produkti. Saktësisht kjo masë administrative shënohet në “Ligjim për produktet plehëruese”, Neni 28, Ligji 17/2020, pasi janë produkte te tjetërsuara, subjekti përkatës dënohet me
gjobë e në rast përsëritjeje ka dënim plotësues, bllokim dhe asgjësim produkti.
Fermeri Frac Kaloshi thotë se, shumë herë fermerët duke parë që fruti i bimës së tyre deformohet, humbet ngjyrën apo bie rendimenti, detyrohen që analizat e plehrave kimike t’i bëjnë në rrugë private. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të shpëtojnë të mbjellat e tyre. Saktësisht, urea duhet të ketë në përbërje 46% azot, ndërkohë që analizat e kryera dolën në rezultatin që ky produkt kishte vetëm 20% ure. Fermerëve, shumë kultura bujqësore u mbetën të pashitura, një domate, spec dhe kastravec, të deformuar nuk është i pëlqyer nga konsumatori, për këtë arsye tregjet evropiane tërheqin porosinë. Ish Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, propozoi përjashtimin e inputeve bujqësore nga TVSH. Ky vendim kishte për qellim uljen e kostove të prodhimit dhe të rriste fitimin.
“Me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale që kanë hyrë në fuqi në janar 2019, kategorizohet si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët. Ky përjashtim përcaktohet në nenin 51, gërma “nj)”, të ligjit nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar. Përjashtimi nga TVSH-ja e inputeve bujqësore iu krijon mundësi shoqërive të importit dhe tregtimit të tyre, të ulin me të njëjtin masë çmimet e shitjes tek fermerët.”
Fermerët thonë, që ky ligj nuk është reflektuar në rënien e çmimit të imputeve bujqësorë. Sipas Kalosiht, “ky ligj nuk i ndihmoi ata, por i ka siguruar me tepër fitim importuesve të inputeve bujqësore. Çmimi plehrave kimike nuk është ulur, ndërkohë që përjashtimi nga faturat e TVSH i ka sjellë atij dëm ekonomik, pasi 20% TVSH që ai përfitonte nga këto fatura është një
mungesë investimi në fermën e tij”.

Shoqëritë tregtar abuzojnë me cilësinë dhe çmimet e inputeve bujqësorë, një gjë e tillë e fakton edhe hetimi i bërë nga Autoriteti i Konkurrencës.

Ky investigim ka për qellim mbrojtjen e fermerit, konsumatorit dhe prodhimit vendas. Kur etiketa e produktit nuk respektohet atëherë fermeri përballet me mashtrimin, vepër penale kjo që kryhet nga prodhuesi dhe importuesit e inputeve bujqësore. Edhe pse fermerët shqiptarë e ngrënë zërin në media dhe para ministrisë së bujqësisë për pakënaqësitë e tyre mbi cilësinë dhe përmbajtën e lëndëve aktive në inputet bujqësore, deri më tani asnjë abuzues nuk është dënuar. Janë fermerët dhe konsumatorët ata që paguajnë shtrenjtë abuzimin e tyre.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

Materiali është realizuar nga Qendra ALERT, si pjesë e projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, të mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Qendra ALERT / Alert.al

- Advertisement -

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmi i fundit

Plotësoni në çast nevojat e trupit tuaj për magnez me Magne D’Oro

Të gjithë e dimë se Magnezi është një mineral shumë i rëndësishëm, që merr pjesë në një sërë proçesesh...

Filantropi dhe kompania e tij Ecolog, kupona në ndihmë të mijëra familjeve. Lazim Destani thirrje biznesmenëve: T’u shtrijmë dorën nevojtarëve

Ecolog International, kompania e familjes së filantropit dhe biznesmenit nga Tetova, iu vjen në ndihmë familjeve në nevojë në Maqedoninë e Veriut. Iniciativa e...

Gazetari Agim Blloshmi: Dëmet e parikuperueshme të HEC-eve në mjedis, bombardimi i Librazhdit nga këto ndërtime

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Agim Blloshmi, gazetar në Librazhd dhe një ndër fitueset për gazetarinë më...

Gazetarja Anila Sefa: Ndotja e plazheve është problem prej dekadash, si dështuan projektet e iniciuara

Në një lidhje Skype në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Anila Sefa, gazetare në Lushnje dhe një ndër fitueset për gazetarinë më...

Daniela Mane: Si po shkatërrohet mjedisi dhe rëndësia e publikut në vendimmarrje

E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Daniela Mane, menaxhere projektesh në INCA, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri ka...

More Articles Like This

- Advertisement -