Menu

Kimikatet PFAS, 17 mijë zona të ndotura, mes të cilave 2000 janë pika të nxehta

Projekti “Forever Pollution Project” ka lokalizuar në mbarë Europën 17 mijë zona të ndotura me PFAS. Ky është një kërkim për të gjetur kimikatet e përjetshme që ndodhen në trupin tim.

Projekti “Forever Pollution Project”, në shqip “Projekti ndotja e përhershme” ka marrë nën vëzhgim vende që janë të ndotura nga kimikatet e përjetshme. Ata kanë zbuluar në gjithë Europën më shumë se 17 mijë zona të ndotura, mes të cilave 2000 janë pika të nxehta.

Çfarë të përbashkëtash kanë pardesytë që nuk lagen nga shiu, paketimet e perimeve të ngrira dhe tiganët e veshur me cipë? Të gjitha këto sende përmbajnë me siguri të ashtuquajturën PFAS, të cilat janë kompozime organike alifatike të florizuara, substanca sintetike. Mes tyre bëjnë pjesë 4500 substanca të ndryshme të prodhuara nga njeriu, të cilat mund të dëmtojnë shëndetin tonë dhe nuk mund të shpërbëhen nga natyra ose kërkojnë kohë të gjatë të shpërbëhen. Ekspertët i quajnë ato “kimikate të përjetshme”, “forever chemicals”.

“PFAS bëjnë pjesë tek kimikatet më të rrezikshme që janë zbuluar ndonjëherë,” thotë Roland Ëeber, këshilltar për çështjet e mjedisit në OKB. Ka kohë që mbetje të këtyre kimikateve gjenden kudo në botë, në tokë, në ujin e pijshëm, kafshë, lëndë ushqimore, por edhe tek trupi i njeriut.

A ndodhen edhe në trupin tim?

98 përqind e qytetarëve amerikanë kanë PFAS në gjak. Në studimet e bëra në Indi, Indonezi dhe Filipine, këto substance toksike janë parë të jenë të pranishme në gati të gjitha provat e bëra me qumështin e nënave. Edhe në Gjermani çdo fëmijë ka në trup kimikate të përjetshme, një e pesta e tyre në përqëndrim aq të lartë saqë ka kapërcyer kufirin kritik.

Unë pyes veten a kam edhe unë në trup substanca të tilla? Marrja e përgjigjes për këtë pyetje nuk është shumë e thjeshtë, sepse analizat mund të bëhen vetëm nga pak laboratorë të specializuar në Gjermani. Megjithatë unë arrij t’ia dal mbanë dhe dërgoj gjak për analiza në (IPASUM), Institutin për mjekësinë e punës, mjekësinë sociale dhe mjekësinë ambientaliste në Erlangen të Gjermanisë Jugore. Kështu unë e shuajta shpresën që të mos kem PFAS në trup. Instituti analizoi gjakun tim për të shumënjohurat “kimikate të përjetshme”, PFOA dhe PFOS, acidin florik karboksilik dhe acidin florik oktasulfonik. Këto substanca mund të shkaktojnë dëme të mëlçisë dhe veshkave, ulje të fertilitetit të burrave, uljen e peshës të të porsalindurve dhe uljen e efektit të vaksinave, si dhe kancer kur ndodhen në përqëndrim të lartë. Studimet e fundit tregojnë se ato kanë lidhje me rastet e rënda të COVID-19.

Analizat laboratorike tregojnë se unë kam 0,0000045 gram të këtyre kimikateve për çdo litër gjak, një sasi që është sa e një e mijta e kokrës së rërës. Kështu unë ndodhem në mesataren gjermane, dhe mbërrij tek një e dhjeta e vlerave maksimale kritike.

“Sipas asaj që dimë ne deri më sot, ky përqendrim nuk përbën ndonjë rrezik,” thotë profesor Thomas Göen nga IPASUM, i cili ka analizuar vlerat e mia.

Megjithatë unë nuk gjej qetësi, sepse shkenca nuk e ka sqaruar përfundimisht çështjen se sa duhet të jetë vlera që të fillojë të përbëjë rrezik. “Këto substanca janë shumë këmbëngulëse. Ato mund të shtohen kur ndodhen në trup. Dhe ky është problemi kryesor, që në fund ato mund të arrijnë një nivel, që mund të përbëjë një përqëndrim problematik,” shpjegon Göen.

Sepse këto substanca të prodhuara në rrugë kimike janë aq të qendrueshme, saqë nuk mund të shpërbëhen biologjikisht në natyrë, dhe trupi i njeriut do shumë kohë që t’i nxjerrë me jashtëqitjen. Përpjekjet për t’i shpërbërë ato në mënyrë artificiale ndodhen në fillimet e tyre.

Si mbërrijnë ato tek mjedisi dhe trupi ynë?

Pikërisht kjo qendrueshmëri e bën PFAS të gjejë shumë përdorim, ato nuk lagen nga uji, yndyra dhe ndotja dhe përdoren në çdo lloj industrie, në prodhimin e lëkurës së imituar, letrës së fotografive, pesticideve, shkumave për shuarjen e zjarrit si dhe ngjyrave dhe gjatë ndërtimit të avionëve. Njerëzit e marrin PFAS-in kryesisht nëpërmjet lëndëve ushqimore.

Sidomos mishi, peshku, qumështi, vezët dhe perimet nga rajonet e kontaminuara kanë vlera të larta PFAS-i. Mbetje të këtyre lëndëve përfundojnë në ambient nëpërmjet mbledhjes së plehrave, ujrave të zeza industriale dhe gazrave industriale, ose gjatë larjes së veshjeve të jashtme, shumica e impianteve të pastrimit të ujrave të zeza nuk janë në gjendje t’i filtrojnë këto substance.

PFAS është gjetur tashmë në malet e humbura të Patagonisë, në borën e Antarktikut dhe në malet Altai të Rusisë, tek arinjtë polar, zogjtë dhe delfinët.

Disa kafshë, që kanë përqëndrime të larta të PFAS kanë treguar ndryshime të nivelit të hormoneve si dhe dëmtime të funksioneve të tiroideve dhe mëlçisë. Deri tani nuk është studiuar çfarë efektesh kanë këto substance mbi sistemin ekologjik.

Fillimisht për bombën atomike, pastaj për ekonomitë shtëpiake

Një nga lëndët e para PFAS është prodhuar në vitin 1938 nga koncerni kimik amerikan, DuPont. Kjo lëndë ka qenë PTFE, politetrafloroetilen, një polimer termoplastik. Meqenëse substanca e re mund të mbrojë metalin nga korrozioni kur ndodhet në temperaturë të lartë, ajo u përdor edhe për zhvillimin e bombës së parë atomike. PTFE është përdorur më vonë për të veshur tiganët dhe u fut në ekonomitë shtëpiake të të gjithë botës me markën “Teflon”. Tefloni pati sukes të madh komercial. Por në vitin 1998, veshja jo ngjitëse e tiganit mori një gërvishtje të madhe, kur njëqind lopë të një ferme blegtorie që ndodhej në afërsi të ndërmarrjes së prodhimit të Teflonit në Parkersburg të  Virxhinisë Perëndimore, “ngordhën njëra pas tjetrës”, thotë Robert Bilott. Ai është jurist për çështjet e mjedisit dhe mbrojtës i blegtorëve në këtë konflikt juridik shumëvjeçar kundër DuPont. Fermeri ka parë “ujë që kishte shkumë të bardhë në një vend ku ndërmarrja hedh plehrat, që ndodhej në afërsi të tokës së tij, thotë Bilott kur flet për Deutsche Welle-n. Si përfundim doli se mijëra njerëz në rajon janë helmuar nga ujërat e zeza dhe plehrat e fabrikës DuPont, që përmbajnë PFAS. Dokumentat dëshmojnë se ndryshe nga autoritetet shtetërore, DuPont kishte dekada që e dinte për rrezikun e substancave, e megjithatë vazhdonte t’i derdhte në ambient. Studimet sugjerojnë se përmbajtja e PFAS në rajon ka lidhje me rastet e shumta të kancerit të veshkave dhe testikujve. Në vitin 2017, DuPont ra dakord t’u paguante viktimave 671 milionë dollar dëmshpërblim për dëmtime trupore në 3550 raste.

Industria bëhet kreative në gjetjen e alternativave dhe boshllëqeve të ligjit

Edhe në vende të tjera mes të cilave Holandë, Belgjikë dhe Itali ka pasur incidente me ndotje me PFAS të mjedisit ose ujit të pijshëm. Ndërkohë hap pas hapi është duke u ndaluar PFAS në Bashkimin Europian, SHBA dhe Japoni. Kështu helmimi i popullsisë me këtë substancë është duke rënë vazhdimisht. Në Gjermani mesatarja është përgjysmuar që nga viti 1990. Prandaj industria ka futur në përdorim një lloj të ri PFAS-i, i cili nga pikëpamja kimike nuk dallon shumë nga prodhimet e mëparshme, por nuk është ndaluar deri tani.

Si mund të mbrohemi?

Dhe çfarë do të thotë kjo gjë për mua personalisht? Unë nuk di se ç’të bëj. Si mund të pengoj marrjen e diçkaje që ndodhet në çdo produkt por nuk përmendet nga informacioni i paketimit? Sidoqoftë, tiganët e veshur unë nuk i përdor më. Unë nuk i preferoj ushqimet e çastit, Fast-Food, dhe nuk ha dhe pi në rrugë, “To Go”, dhe një pjesë e menysë është duke u nxjerrë nga lista, në mënyrë që të shmanget përdorimi i enëve me një përdorim, që përmbajnë PFAS. Por unë do të vazhdoj të përdor spinaqin e ngrirë, të paketuar, që e kam pas përdorur qysh në fëmijëri. Po ashtu do të instaloj një filtër uji, ose në çezmë ose në kanën e ujit, për të filtruar një pjesë të PFAS që ndodhet në ujin e pijshëm. Presioni kundër PFAS-it është rritur. Që kur Greenpeace bëri një fushatë, shumë firma që prodhojnë veshje për jashtë si Vaudde, Paramo dhe Rotauf nuk përdorin “forever chemicals” kur prodhojnë veshjet. Edhe rrjeti suedez i dyqaneve me mobilje, Ikea, e ka ndaluar, sipas të dhënave të veta, përdorimin e PFAS në produktet e saj. Dhe vende si Gjermania, Danimarka, Norvegjia dhe Suedia janë duke kërkuar me ngulm që deri në vitin 2030, PFAS të nxirret nga qarkullimi në Bashkimin Europian. (DW)

Qendra Alert/Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed