Menu

Komisioni Europian: ‘Prodhimet e pyjeve shqiptare, dhe atyre të rajonit, vazhdojnë që të jenë të kontaminuara nga shpërthimi i Çernobilit’

Produktet shqiptare shpeshherë shihen me skepticizëm nga vendet europiane për shkak të mungesës së një dokumentacioni të saktë gjatë prodhimit të tyre ose dhe ankesave të regjistruara në mekanizmat e saj të kontrollit të brendshëm. I tillë është dhe rasti i kërpudhave, të cilat pavarësisht se janë shumë të kërkuara në tregun evropian, iu kërkohet nga autoritetet europiane certifikime speciale dhe të veçanta të cilat tregojnë moskontaminimin e tyre nga shpërthimi i Çernobilit, i ndodhur 35 vite më parë. Ndërkohë që e njëjta gjë nuk i kërkohet Rumanisë apo Bullgarisë që tashmë janë anëtare me të drejta të plotë në Bashkimin Europian, apo dhe Lihtejnshtejnit dhe Norvegjisë të cilat nuk janë.

Komisioni Europian në bazë të ankesave të brendshme, të cilat kanë qenë shumë të pakëta, ka lëshuar dhe një Rregullore në gusht të vitit 2020 Nr.1158, e cila rregullon kushtet e importimit të ushqimeve të ardhura nga vendet e treta pas aksidentit të ndodhur në centralin bërthamor të Çernobilit. Kjo rregullore përcakton dhe nivelet maksimale të radioaktivitetit në disa produkte të caktuara bujqësore të cilat vijnë nga vende të treta, të tilla si Shqipëria, Bjellorusia, Bosnia Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rusia, Serbia, Zvicra dhe Ukraina.

Sipas këtij dokumenti zyrtar, pas aksidentit në Çernobil më 26 Prill 1986, sasi të konsiderueshme të elementëve radioaktivë u lëshuan në atmosferë duke prekur një sërë vendesh. Një ndotje e tillë vazhdon që të përbëjë një kërcënim për shëndetin publik në vendet e Unionit dhe për këtë arsye duhen ndërmarrë masa për të siguruar që ushqimi që vjen nga vendet e treta të jetë i sigurtë. Raporti i vitit 2020 evidenton që disa produkte me origjinë nga vendet e treta të prekura nga aksidenti i Çernobilit ende tregojnë ndotje radioaktive të ceziumit që tejkalon nivelet maksimale të lejuara të lartpërmendura. Gjetjet në vitet e fundit japin prova se ndotja me cezium-137 pas aksidentit në Çernobil mbetet e lartë për një numër produktesh me origjinë nga speciet që jetojnë dhe rriten në pyje dhe zona të pyllëzuara. Kjo lidhet me nivelet e vazhdueshme të rëndësishme të ceziumit radioaktiv në këtë ekosistem dhe gjysmën e jetës së tij fizike prej 30 vjetësh.

Rastet e mosrespektimit të niveleve maksimale janë njoftuar në 10 vitet e fundit në Sistemin e Shpejtë të Njoftimit për Ushqimet (RASFF) në dërgesat e kërpudhave të importuara nga një numër vendesh të treta. Në 10 vitet e fundit, disa mospërputhje me nivelet maksimale janë raportuar në RASFF në dërgesat e boronicave dhe frutave të tjerë dhe produkteve të gjinisë Vaccinium dhe nuk është raportuar ndonjë mospërputhje në mishin e gjahut.

Rregullorja e BE thekson se nga faktet e mësipërme rrjedh se ushqimi dhe ushqimi i kafshëve të importuara nga disa vende të treta mund të përmbajë ndotje radioaktive, dhe për këtë arsye ka të ngjarë të përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin e njeriut, shëndetin e kafshëve ose mjedisin dhe kërkon që të merren masa përpara se ato produkte të hyjnë në tregun e Unionit Europian.

Deri tani është proceduar më lëshimin e certifikatave speciale, dhe kjo gjë nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Burimi: Komisioni Europian, Regulation 2020/1158

Qendra Alert

alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed