Në Sistemin e Alarmit të Shpejtë Europian për Ushqimin (RASFF) shpesh raportohen raste kur pije të ndryshme dietike me Aloe Vera kanë përmbajtje të lartë të aloinës, e cila ka po aq efekte pozitive, sa mund të bëhet e rrezikshme nëse merret në sasi mbi normën e lejuar. Një rast i tillë është verifikuar së fundmi gjatë muajit gusht në Gjermani, ku një lëng organik me përmbajtje Aloe Vera, i prodhuar në Itali, është denoncuar me përmbajtje të lartë mbi normën e lejuar të aloinës.
Aloina dhe derivate të tjera të hidroksiantracenit janë laksativë irritues, të cilët janë të përqendruara në lëngun e verdhë të gjethes së Aloe Verës. Një dozë e shtuar e lateksit Aloe mund të jetë burim i dhimbjeve të barkut, spazmave, dhe madje edhe hepatitit.
Një konsumim afatgjatë i aloinës mund të stimulojë shkatërrimin e elektroliteve, sjell një mospërthihje të lëndëve ushqyese, humbje të peshës, dhe sëmundje të tjera të ndryshme.
Xheli nga Aloe Vera apo produktet e ndryshme dietike apo kozmetike nuk duhet të përmbajë aloinë, por megjithatë ndarja mekanike e tyre është e pamundur.
Ushqimi me aloe vera dhe suplementet e tjera të cilët janë të pastra nga aloina konsiderohen më të sigurta sesa ato që e përmbajnë atë.
Në vendet europiane, kufiri për përmbajtjen e aloinës në ushqime apo në pije të ndryshme është përafërsisht 1 mg për litër, përjashtim bëjnë pijet alkoolike ku kufiri është 50 mg për kg.
Përdorimi i zgjatur dhe i vazhdueshëm i çdo substance mund të ketë efekte anësore të shumta. Dhe Aloe Vera nuk bën përjashtim në këtë gjë.
Ndonëse xheli i Aloe Verës është i sigurtë për përdorim të jashtëm, si për shembull për tu vendosur në lëkurë, ai gjithashtu mund të shkaktojë skuqje, djegie, dhe në disa individë të ndjeshëm dhe dermatit.
Burimi: RASFF & Science Direct
Qendra Alert
alert.al
LINI NJË KOMENT