Menu

Disa vende të BE shfaqin infektime nga Salmonela në nënproduktet e susamit dhe të hallvës të importuar nga Siria

Pesë vende evropiane kanë raportuar raste të infektimit me salmonela, disa prej të cilave janë të lidhura me kremin e susamit dhe hallvën e importuar nga Siria.

Mbi 80 njerëz mund të jenë prekur që nga viti 2019 në Gjermani, Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Holandë, me disa lloje dhe variante të Salmonelës.

Bazuar në informacionin epidemiologjik dhe të gjithë analizën e sekuencave të gjenomeve, ekspertët gjermanë të Institutit Robert Koch janë shprehur që po marrin në shqyrtim disa variante të Salmonelës të tilla si Mbandaka, Havana, Amsterdam dhe Orion, të cilat kanë qenë pjesë e shpërthimit të infektimeve. Gjermania ka rreth 51 pacientë, ku përfshihen 21 raste gjatë vitit 2019, 12 në vitin 2020 dhe 18 në vitin 2021.

Zyrtarët e Institutit Robert Koch u shprehën që fillimisht ato panë një rritje të rasteve me Salmonelën Havana gjatë vitit 2019, por aktualisht nuk kanë qenë në gjendje që të identifikojnë burimin e infeksionit. Rastet e raportuara i përkasin periudhës janar 2019 deri në maj 2021. Mosha e rasteve varion nga 6 muaj në 69 vjeç dhe 53% prej tyre janë gra. Ata jetojnë në të gjithë Gjermaninë dhe janë të shpërndarë në 15 nga 16 shtete federale gjithsej.

 

Rastet në Norvegji

Norvegjia ka dy pacientë me Salmonela Mbandaka, të cilët kanë raportuar ngrënien e produkteve dhe farave të susamit. Ata janë të moshës 5 dhe 45 vjeç, të dyja të seksit femër, dhe të vendosura në rajone të ndryshme të vendit. Datat e infektimit të tyre i përkasin muajit mars të vitit 2020 dhe qershorit të vitit 2021.

 

Ndalimi i produkteve në Norvegji

Nënproduktet e farave të susamit Al Burj Tahini dhe Al Burj Hallvë të prodhuara në Siri, dhe të importuara në Norvegji, janë ndaluar në fillim të korrikut të këtij viti.

Ndalimi është bazuar në zbulimin e Salmonelës në testimin në Suedi dhe rezultateve paraprake nga laboratori Mattilsynet në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo. Ekzaminimet janë duke u zhvilluar për të kuptuar nëse produktet e ndaluara në Norvegji janë të ndotura me Salmonela Mbandaka.

Edhe Suedia po heton për dy variantet e Salmonelës Mbandaka dhe Salmonela Havana, të cilat kanë shkaktuar 11 raste secila.

Në total, janë 22 pacientë, të shpërndarë në 10 rajone të ndryshme me rastin e parë të raportuar në Maj 2019 dhe rasti më i fundit qershor 2021. Mosha e tyre varion nga 0 deri në 77 vjeç, por 12 raste janë fëmijë nën 5 vjeç.

 

Produktet e ndaluara në Norvegji

Hetimi i shkaqeve të mundshme

Shpërndarja e informacioneve dhe të dhënave të rasteve të izoluara me Salmonela në sistemin shëndetësor evropian ka bërë të mundur që të bëhet një lidhje midis këtyre rasteve dhe rasteve të mëparshme si dhe lidhjen e tyre me nënproduktet e susamit.

Mikrobiologu në Agjencinë e Shëndetit Publik të Suedisë Rikard Dryselius shprehet që: ‘Testet dhe analizat e zhvilluara nga Autoriteti Suedez i Ushqimit, kanë zbuluar infektimin me Salmonela të shumë nënprodukteve të tahinit dhe hallvës. Rastet tashmë janë të izoluara dhe po hetohen për lidhjet e tyre me variantet e Salmonelës si dhe mendohet që mund të ketë dhe lloje të tjera të Salmonelës të përfshira përveç Salmonelës Havana dhe Salmonelës Mbandaka.

Danimarka ka dy raste me Salmonela Mbandaka që kanë të bëjnë me shpërthimin e infektimeve në këtë vend. Ato i përkasin shkurtit të vitit 2021 dhe kanë infektuar një fëmijë dhe një të rritur.

Holanda ka identifikuar një rast me Salmonela Mbandaka në bazë të analizës së sekuencave të gjenomit. Personi i prekur është 1 vjeç e gjysëm dhe ai është infektuar në 21 mars të këtij viti.

 

Burimi: Food Safety News

Related Posts