Menu

Ekskluzive/ Investigimi – Djath me baktere për konsumatorët, dy në pesë mostra rezultojnë me stafilokok. Ja shkaqet dhe rreziqet për shëndetin e njeriut

Nga Rudina Muça*

Një pjesë të rëndësishme të dietës ushqimore e zënë produktet e bulmetit. Kultura e gastronomisë shqiptare tregon se, familjet shqiptare një herë në ditë konsumojnë qumësht ose nënproduktet e tij. Shpesh herë është dhënë alami për rrezikun që u kanoset konsumatorëve nga produktet që prodhohen e tregtohen jashtë standardeve e veçanërisht ato me origjinë shtazore.

Sipas një investimigimi të bërë nga Qendra ALERT, në kuadër të zbatimit të projektit “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, për të mësuar se çfarë cilësie djathi konsumojnë shqiptarët, rezultati i këtij hulumtimi është se, ne ushqehemi me djath të pisët, që është i ngarkuar me mikrobe dhe vë në rrezik shëndetin tonë. Bakteri Stafilokok (Staphylococcus auresus), i cili ka rezultuar në mostrat e analizuara, është shkatar i tetë sëmundjeve të ndryshme.

Gazetarët invetigatitë të kontraktuar nga Qendra Alert, shkuan në subjekte tregtare si supermarkete apo dyqane bulemti, ku blenë 5 kampionë djathi të punishteve/baxhove të ndryshme. Për të qenë sa më korrekt, mënyra e marrjes së monstrave të djathit dhe transporti u bë në prezencë të stafit të laboratorit “Noval”, me qëllim marrjen e mostrave sipas protokolleve zyrtare.

Djathi është blerë në markete të ndryshme të Tiranës, nga seria e produkteve që tregtohen vetëm me etiketën që i vendos shitësi dhe jo të ambalazhuara apo paketuara që në prodhim, për shembull “Djath lope X baxho oseprodhues” dhe çmimin bashkëngjitur.

Qendra Alert kërkoi analizimin mbi ngarkesën mikrobiale të Stafilokokut couagulaz pozitiv, si dhe të prezencës së miellit apo niseshtesë (amidon). Nga pesë kampione të analizuara, dy prej tyre rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale. Nga ana tjetër, fatmirësisht nga këto analiza mësuam se, nuk jemi duke konsumuar djath të përgatitur me niseshte.

Dr.Blerta Brati

Mjekja mikrobiologe, Dr. Blerta Brati do të na tregojë se çfarë është stofiloku.

“Stafilokokët janë bakterie Gram-pozitive me një diametër 0.8-1 mm, në formë sferike, jo të lëvizshme dhe që nuk formojnë spore. S. aureus është një patogjen human me një impakt madhor në shëndetin publik. Ai është i aftë të infektojë çdo ind të trupit të njeriut, duke shkaktuar një variacion të patogjenitetit, duke filluar nga një infeksion të lëkurës deri në sëmundje të rrezikshme për jetën”, thotë Blerta Brati.

Interprtimi i analizave u bë nga eksperti i sigurisë ushqimore, njëkohësisht Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë Ushqimore në UBT, Kapllan Sulaj. Sipas tij, dy kampione nga pesë të djathit që janë analizuar, kanë rezultuar me ngarkesë të lartë bakteriale dhe në mënyrë kategorike nuk duhet të konsumohen.

Kampioni Nr. 6, djath i bardhë “Mireli” i blerë në Spar

Staphylococcus auresus kuagulazë pozitiv:  Rezultati i analizes për këtë patogjen tregon vlerën 107200 CFU/g ose e shprehur > 1X105 CFU/g. Kjo vlerë tregon një numër të rritur të qelizave të pranishëme për 1 gr. mostër. Referuar Urdhërit Nr. 465 datë, 23.12.2016, Urdhërit Nr.234 të Ministrit të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave datë 20. 05, 2014 dhe Rregullores së B.E 2073/2005, limiti për këtë tregues varion në varësi të qumeshtit të përdorur si lëndë e parë. Nëse qumështi i përdorur për prodhimin e djathit ka qënë i patrajtuar termikisht atëherë ky tregues varin nga 10 4CFU/g-105 CFU/g djath. Në rastin kur qumështi ka patur një trajtim të lehtë termik me temperaturë më të ulët se ajo e pasterizimit, ky limit varion nga vlera 102 CFU/g -103CFU/g djath. Kur djathi është prodhuar nga qumështi që është trajtuar me temperaturë të lartë si temperatura e pasterizimit. ky limit luhatet nga vlera 10-100 CFU/g.

Prania e niseshtesë (amdidonit): Rezultatet analitike kanë konfirmuar mungesën e amidonit në përbërjen e djathit.

Ndërsa në kampionin e dytë që ka rezultuar me ngarkesë të lartë mikrobiale, eksperti Kapllan Sulaj, nuk arriti të dilte në një konkluzion përfundimtar, sepse kampioni i djathit që u mor në supermarketin e Tiranës nuk ishte i ambalazhuar. Mungesa e informacionit për mënyrën se si është përpunuar qumështi vë në diskutim cilësinë e këtij produkti.

Kampioni Nr. 7, djath i bardhe i blerë në market KMY

Staphylococcus auresus kuagulazë pozitiv: Rezultati i analizës për këtë patogjen tregon vlerën 500CFU/G ose e shprehur > 5X102 CFU/g. (Urdhëri Nr. 465 datë, 23.12. 2016, Urdhëri Nr. 234 të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave datë 20. 05, 2014). Kjo vlerë tregon një numër të rritur të qelizave të këtij patogjeni.

Prania e nisteshtesë (amdidonit): Rezultatet analitike kanë konfirmuar mungesën e amidonit në përbërjen e djathit.

Siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare, prania e stifilokokut në djath flet për një proces jo korrekt të përpunimit të qumështit në baxhot dhe fabrikat e bulmetit.

Prof.Kristaq Berxholi

“Ky djath, natyrisht nuk duhet të konsumohet, bazuar edhe në kriteret e BE-së, që nuk lejon përdorimin e produkteve me prezencë mikroorganizmash mbi 100.000 cfu/g. Ndotja e produkteve të tillë nga stafilokokët oportunistike, ndodh në rrugë të ndryshme. Njëra është vetë qumështi burim i këtij infeksioni, i cili përdoret për të prodhuar djath me disa menyra si: duke e përgatitur djathin me temperaturë të ngrohjes së qumështit në 38 gradë, diçka e tillë nuk shkakton vdekjen e patogjenëve. Këto baktere në djath, në ditët e para pas përfundimit të prodhimit kanë tendencën të shtohen sepse vlera e pH është 5, por me kalimin e ditevë pH ulët së bashku me numrin e baktereve”, shtoi Kristaq Bërxolli, Ekspert i Sigurisë Ushqimore, ish profesor dhe ish Drejtori i IKV-së (sot ISUV).

Cilësia e djathit të ndotur me bakterie është një tregues kryesor dhe për shëndetin tonë. Mungesa e higjenës ka bërë të mundur zhvillimin e baktereve në djath. Nëse në tryezën tonë ky produkt konsumohet çdo ditë, atëherë jeta e konsumatorit vihen në rrezik. Me djathin e “pisët” në rrezikojmë në mbushim organizmin me baktere.

Dr.Blerta Brati thotë se, Staphylococcus auresus mund të shkaktojë infeksione të vogla të lëkurës; ulçërizime, celulitis, folikulitis; mund të jetë shkaku i sindromës së lëkurës së zhveshur dhe absceseve; mund të çojë në infeksione të mushkërive apo pneumoni; mund të shkaktojë infeksionet e trurit apo meningjit; shkakron infeksionet e kockave apo osteomielit; infeksione në zemër ose endokardit; mund të jetë shkaku i sëmundjeve kërcënuese për jetën, si sindromi i shokut toksik (TSS), Bakteremi dhe septicemi.

“Prezenca e baktereve në djath vjen si pasojë e papastërtis në ferma dhe fabrikat e përpunimit. Për të mbledh 1200 litra qumësht duhet të lidhesh me 60 fermerë. Mungesa e stabilimenteve të mëdha bën që dhe grumbullimi i qumështit të bëhet në kushte jo higjenike. Që të zhdukim stafilokokun në bulmet para se të mjelim qumështin duhet të pastrojmë gjithnjë e lopëve, pasi në to ka hyrë ari i stallës, për këtë arsye këshillohet që pikat e para të qumështit të mos hidhen në enën ku do të mblidhet qumësht”, thotë teknologu Nazif Tivari, i cili është një nga prodhuesit e djathit më të vjetër në Shqipëri. Po përse fermerët shqiptarë preferojnë të punojnë në kushte jo higjenike? “Stallat e tyre janë të pista, jo nga dembelizmi, por padituria. Në regjimin e shkuar, në rajon kishte shkolla profesione, tani as kurse bujqësie nuk zhvillohen më. Fermerit të vogël i mungon këshillimi, ndërsa fermerit të madh mbështetja nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kjo është dhe arsyeja se, përse ne kemi pak kafshë qumështdhënëse”, tha Tivari.

Nazif Tivari

 “Këtu në baxhon time modeste kam ngritur një mini-laborator dhe çdo ditë bëj analizat e qumështit që dorëzohet nga fermerët. Të gjithë fermerët qumështin e shtojnë me ujë. Unë toleroj deri në 2%. Për mendimin tim, mund të jetë edhe uji ai që ka baktere të ndryshme. Bulmeti është terreni ideal për t’u shtuar këto baktere”, theksoi ai. Por, si zhduket stafilokoku nga djathi?

“Pasi të përpunohet qumështi, djathi nuk duhet nxjerrë menjëherë në treg. Ai duhet të stazhionohet për 45 ditë, duke u mbajtur në një ambient me pak dritë, në temperaturën 20 gradë celcius. Përpunuesit e djathit nuk e respektojnë këtë afat. Ata kërkojnë të hyjnë shpjet në treg, sepse duan të paguajnë  faturat që u detyrohen fermerëve. Nëse pagesa e fermerëve vonohet në baxho, nuk do të ketë më qumësht të freskët”, shtoi Tivari.

Kur  konsumojmë produkte ushqimore jocilësore, për të luftuar mikrobet duhet të kosumojmë medikamente. Nëse konsumatori konsumon vazhdimisht një produkt të tillë, a e vë në rrezik shëndetin?

Hyrida Basha

“Sigurisht që po! Individi fillon nauze, të vjella, dhimbje stomaku, diarre dhe ndonjëherë në rastet më të rënda, ky manifestim shoqërohet me dehidratim, dhimbje koke, dhimbje muskujsh si edhe ndryshime të presonit arterial dhe ritmit të pulsit. Këto situata, përgjithësisht kalojnë shpejt. Rëndimi apo lehtësimi i këtyre simptomave, varet nga disa arsye, si; ndjeshmëria e individit nga toksinat, nga sa i kontaminuar ishte ushqimi, nga sa toksina u përtypën, si edhe nga kushtet e përgjithshme të shëndetit të individit”, tha nutricionistja Hyrida Basha.

Ushqime të pasigurta nuk tregtohen fshehurazi. Ne i gjetëm ato në raftet e supermaketeve të kryeqytetit dhe gjithë vendit. Pavarësisht kësaj, pas historisë së abuzimit me kushtet higjen- sanitare, në Shqipëri çdo ditë prodhohet djath me baktere. Në vend të kalciumit, trupit tonë i japim bakterin stafilokok.

 

 

Në pesë mostrat e analizuara nga Qendra Alert në laboratorin Noval, dy rezultuan me ngarkesa. Ndërsa tri të tjerat brenda standareve shqiptare dhe atyre të Bashkimit Europian.

Kampioni  Nr.3, djath dhie, Bylmet Gjirokastra

Aerobët mezofilë: Mostra e analizuar për këtë tregues (mikroorganizmave që rriten në 30oC) rezulton me vlere <12 CFU/mL. Ky tregues është i ulët dhe referuar këtij produkti, matjet e kryera zakonisht janë në vlera më të larta. (Urdhëri Nr. 465 datë, 23.12. 2016, Urdhëri Nr. 234 te  Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave datë 20. 05, 2014 dhe Udhëzimi Nr.5, datë 25.3.2011).

Prania e nisteshtese (amdidonit): Rezultatet analitike kanë konfirmuar mungesën e amidonit në përbërjen e djathit.

Kampioni Nr.4, djath lope “Erzeni”, Spar

Staphylococcus auresus kuagulazë pozitiv:  Rezultati i analizes për këtë patogjen tregon vlerën <10 CFU/g. Rezultati paraqitur është brenda limiteve të përcaktuara në Urdhërin Nr. 465 datë, 23.12. 2016, Urdhërin Nr. 234 të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave datë 20. 05, 2014, Udhëzimit Nr.5, datë 25.3.2011 të bazuara në Rregulloren 2073/2005 të B.E.

Prania e nisteshtese (amdidonit): Rezultatet analitike kanë konfirmuar mungesën e amidonit në përbërjen e djathit.

Kampioni  Nr.5, djath “Arla”, i blerë në market EHW

Staphylococcus auresus kuagulazë pozitiv:  Rezultati i analizes për këtë patogjen tregon vlerën <10 CFU/g. Matjet e kryera për numrin e qelizave të këtij patogjeni rezultojnë brenda kufijëve të përcaktuara në Urdhërin Nr. 465 datë, 23.12. 2016, Urdhërin Nr. 234 të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave datë 20. 05, 2014 të bazuara në Rregulloren 2073/2005 të B.E.

Prania e niseshtesë (amdidonit): Rezultatet analitike kanë konfirmuar mungesën e amidonit në përbërjen e djathit.

*Autorja e shkrimit është gazetare me ekseriencë disavjeçare në media të shkruara dhe elektronike, si dhe ka qenë pjesë e emisioneve televizive investigative. Aktualisht, është pjesë e departamentit të informacionit në televizionin Top Channel.

 

 

Shënim: Ky publikim është ekzkluzivitet i Qendrës ALERT, e cila gëzon të drejtën e autorësisë, bazuar në Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Materiali mund të ripublikohet në mediat tjera, vetëm duke cituar burimin në fund dhe të vendoset linku i burimit. Në rast ndryshimi titulli nga mediat, në fund të shkrimit duhet të saktësohet, se cili ka qenë titulli i tij. Në të kundërt, çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi, sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

© Qendra ALERT – Alert.al

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed