Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Abuzimi i AKU, qytetarët fotografojnë mungesën e etiketave, inspektorët mbyllin kontrollin pa prova

DRAKU Tiranë, në të shumtën e rasteve i hedh në kosh indiciet e qytetarëve për ushqimet e skaduara apo për mungesën e etiketave në gjuhën shqipe. Kontrolli i KLSH* zbulon se është vepruar me 2 standarde lidhur me inspektimet në të njëjtën periudhë dhe me objekt te njëjtë “me indice të veçanta nga konsumatorët, rrjetet sociale dhe mediat etj.”

Grupi i auditimit ka kontrolluar praktikat e inspektimit, bazuar në e-mailin e datë 26 maj 2020 nga drejtoria e AKU  “për mos etiketim në gjuhën shqipe të produkteve nga subjektet e poshtëshënuara”.

Kështu, inspektorët, për disa subjekte kanë sjellë prova me foto të qarta, ndërsa të tjerat nuk i kanë ilustruar me fakte me foto, që ishte e domosdoshme për sqarimin sa më mirë të ankesave.

Dosje të rregullta

Dosja e inspektimit datë 26 maj 2020, në një Market ushqimor në  Kamzë është një nga dosjet e pakta të rregullta. Ka indicie për mos etiketim dhe rezulton se inspektorët kanë kryer veprimet sipas procedurave duke e kompletuar dosjen edhe me dokumente provë, si foto të qarta të ambienteve dhe produkteve të subjektit. Madje në këto foto, edhe skadenca është e lexueshme.

Po kështu është vepruar tek një njësi tjetër në të njëjtën datë, ku nuk janë konstatuar shkelje dhe dosja disponon dokumente prove me fakte të ilustruara me foto.

Dosje të parregullta

Dosja e inspektimit datë 26 maj 2020, në një Market ushqimor në Tiranë: Kontrolli ushtrohet pasi ka indicie për mungesë të etiketimit në gjuhën shqipe të produkteve ushqimore. Rezulton se inspektorët kanë kryer verifikimin sipas procesverbalit dhe vendimit përfundimtar datë 26 maj 2020, ku nuk kanë konstatuar shkeljen e ankimuar. Por nuk disponojnë dokumente shoqëruese me fakte të ilustruara me foto, siç është vepruar me subjektet më sipër.

Po kështu është vepruar në dy kontrolle të tjera në të njëjtën ditë, ku nuk janë gjetur shkelje dhe dosja nuk disponon dokumente provë me fakte të ilustruara me foto.

Një një rast tjetër, ku ka pasur indicie nga qytetarët për pijen energjike Redbull për mungesë të etiketës në gjuhën shqipe, inspektorët shkruajnë se nuk janë konstatuar shkelje. Ata raportojnë se ka kundër etiketa në gjuhën shqipe për artikullin Redbull, por megjithatë dosja nuk disponon dokumente provë, me fakte të ilustruara me foto.

Rasti më i keq është kur inspektorët nuk i ndjekin indiciet e qytetarëve duke raportuar thjesht “është mbyllur”. Kështu është vepruar me dy subjekte ku nuk është kryer inspektimi për mos etiketim të produkteve, pasi subjekti, sipas tyre, u gjend “i mbyllur”. Ky fakt, sipas KLSH: Nuk vërtetohen me dokumente provë ose foto

Qytetarët denoncojnë me foto, inspektorët përgjigjen pa prova

Në dosjen e inspektimit datë 17 dhjetor 2020, në një subjekt që tregton ushqime në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë, rezulton se: inspektorët nuk kanë konstatuar mos etiketim në gjuhën shqipe të artikujve pije joalkoolike, por nuk e kanë justifikuar me foto.

Por vini re, qytetari që ka denoncuar, e ka shoqëruar me foto ankesën për këtë subjekt. Pra, inspektimi nuk është i besueshëm dhe të lë të dyshosh se është favorizuar subjekti për të cilin ka indicie.

Inspektorët nuk e ndjekin denoncimin

E dyshimtë është edhe sosja e inspektimit datë 26 maj 2020, tek një subjekt në Paskuqan, me objekt “me indicie të veçanta nga konsumatorët, rrjetet sociale dhe mediar etj.”. Sipas kësaj praktike rezulton se: Inspektorët nuk kanë trajtuar shkeljen e ankimuar indice për mos etiketim në gjuhen shqipe dhe nuk bëhet fjalë për foto. Kështu kanë vepruar edhe në inspektimin datë 22 maj 2019 në një subjekt në Laknas.

Ndryshe janë sjellë në inspektimin e një subjekti më datë 11 nëntor 2020, ku kanë trajtuar shkeljen, kanë bërë foto të qarta e të lexueshme për çdo ushqim të skaduar (të pasigurt) si dhe kanë bashkëngjitur dokumentacionin shoqërues. Pra, kemi aplikim me 2 standarde të ndjekjes së indicieve të qytetarëve dhe shpesh nuk ndiqen këto denoncime.

*KLSH ka kryer një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed