Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: AKU bën “amnisti” për 360 milionë lekë gjoba ndaj kompanive që shkelën ligjin

AKU merr atributet e Kuvendit, bën “amnisti” duke u falur kompanive afro 360 milionë lekë gjoba që i kishin marrë për tre vitet e fundit për shkeljen e ligjit për ushqimin. Duke parë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po abuzonte me vendimet në Komisionin e Ankesave, qeveria vendosi që të paktën gjobat me vlerë mbi 300 mijë lekë, do të shqyrtoheshin nga një komision i lartë pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit. Në këtë moment ka nisur një rebelim në kuptimin e parë të fjalës. Në vend që të dorëzonte dosjet tek ky komision ministror, AKU i ka marrë në shqyrtim gjobat e tre vjetëve dhe i ka falur me shpejtësi.

KLSH* kërkon që këto para të kthehen në arkën e shtetit, pasi nga auditimi rezulton që vendimet këtij komisioni janë pavlefshme. “Nga ana e titullarit të AKU dhe të DRAKU Tiranë të merren masa e të nxirren aktet administrative përkatëse dhe të kërkohen në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme në të gjitha shkallët e gjykimit, me qëllim kthimin e ligjshmërisë dhe kërkimin për shpërblimin e dëmit të krijuar ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 35,991,500 lekë”, thekson raporti i KLSH.

Rebelimi i AKU-së ndaj qeverisë?!

Vendimi i qeverisë që ua hiqte drejtuesve të AKU-së “thelën e madhe” ka dalë më 27 maj 2020 me nr.417 dhe është botuar në Fletoren Zyrtare më datë 1 qershor 2020. Ne Kreun V të VKM “Për procedura të organizimit dhe të funksionimit të komisionit për shqyrtimin e masave administrative në ministrinë përgjegjëse për ushqimin”, përcaktohet se: “Institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, kalon në Komisionin e Ministrisë së Bujqësisë, të gjitha ankesat dhe dosjet përkatëse brenda 2 ditëve nga hyrja ne fuqi e VKM-së”.

Sipas Nenit 70/1, për shqyrtimin e ankesave ndaj masave administrative të marra nga inspektorët e AKU gjatë kryerjes së një inspektimi, me vlerë të përgjithshme mbi 300,000 lekë, në ministri ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Masave Administrative, në përbërje të të cilit janë pesë anëtarë, tre përfaqësues të ministrisë dhe dy nga AKU.

Por çfarë ka ndodhur? Duke parë se u hiqej kjo e drejtë, komisioni i AKU ka nxituar dhe ka nxjerrë nga arkivi dosjet e tre vjetëve dhe ka falur me aksion gjobat, megjithëse u ka kaluar afati. Jo vetëm kaq, por ka vazhduar të falë këto masa administrative edhe pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë. Ky lloj rebelimi i ka kushtuar jo vetëm arkës së shtetit, por reflektohet edhe në punën e inspektorëve të cilët nuk mund të jenë të motivuar në këto kushte, të kontrollojnë me korrektësi zbatimin e ligjit nga subjektet.

Gjetjet e raportit të KLSH

Nga auditimi i praktikave të shqyrtimit të ankesave nga Komisioni pranë DPAKU, është konstatuar se në 22 raste janë shfuqizuar tërësisht ose pjesërisht gjobat e vendosura nga inspektorët e DRAKU Tiranë, duke krijuar të ardhura të munguara me efekt dëm ekonomik i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 34,700,300 lekë.

Nga këto, në 19 raste, në vlerën 27,150,000 lekë gjithsej, janë shfuqizuar gjobat në mungesë të kompetencës ligjore, jashtë afatit. Ndërkohë theksohet se në 5 raste nga këto 19, veç mungesës së kompetencës ligjore dhe jashtë afatit, kanë qenë në kundërshtim edhe me vendimet e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ose çështja ka qenë në gjykim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Por ka edhe raste krejt arbitrare, kur ky komision i bie shkurt në faljen e gjobave. Në 5 raste në vlerën 7,550,300 lekë, sipas KLSH, vendimet janë marrë në mungesë të arsyetimit ligjor nga Komisioni përkatës pranë DPAKU.

Këto veprime nga Komisioni përkatës pranë DPAKU, sipas raportit, bien  në  kundërshtim me përcaktimet ligjore të bëra në Ligjin “Për ushqimin”, të Ligjit “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, të Ligjit “Kodi i Procedurës Civile në RSH”, të Ligjit “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të Ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të VKM nr.417, date 27.5.2020 “Për procedurat e organizimit dhe të funksionimit të komisionit për shqyrtimin e masave administrative në ministrinë përgjegjëse për ushqimin”.

Me gjithë këto shkelje, KLSH nuk ka bërë ndonjë kallëzim në SPAK, megjithatë ka kërkuar në mënyrë të menjëhershme zhdëmtimin. Sipas rekomandimit, DRAKU Tiranë dhe DPAKU në bashkëpunim me ministrinë, duhet të marrin masat e nevojshme, për shpalljen e  pavlefshmërisë absulute të vendimeve të mësipërme. KLSH kërkon anulimin e këtyre vendimeve dhe përcjelljen e tyre pranë Komisionit të posaçëm në Ministri për shqyrtimin nga e para dhe vendimmarrje të re.

Parashkrimi i gjobave për faj të AKU-së

Nga auditimi i praktikave të ekzekutimit të gjobave, është konstatuar se në 2 raste për një periudhë 2.4 – 2.5  vjet nga momenti i vendosjes së gjobave, nuk është marrë asnjë masë për ekzekutimin dhe arkëtimin. Kjo ka sjellë parashkrimin e tyre dhe heqjen e të drejtës për arkëtimin nga AKU, me pasojë dëm ekonomik i shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit në vlerën 350,000 lekë. Këto mosveprime bien në kundërshtim me përcaktimet ligjore.

KLSH ka rekomanduar që DRAKU Tiranë në bashkëpunim me DPAKU të marrë masat e nevojshme, duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore dhe shkallët e gjykimit, për arkëtimin e të ardhurave të munguara me efekt dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, për vlerën 350,000 lekë, përkatësisht nga personat përgjegjës. Afati i vendosur është “menjëherë”.

Komisioni i fal një subjekti 4 gjoba brenda një dite

Me vendimin përfundimtar të inspektimit datë 23 shtator 2019, ndaj subjektit X në Tiranë, me aktivitet përpunim dhe tregtim me shumicë të ushqimeve me origjine shtazore, janë vendosur 4 gjoba me vlerën 2,900,000 lekë gjithsej (2,000,000 lekë për mungesën e licencës; 500,000 lekë për nxjerrjen në treg të ushqimeve të pasigurta; 200,000 lekë për mungesën e sistemit të gjurmueshmërisë dhe 200,000 lekë për veprimet në kundërshtim me pergjegjësitë e operatorit). Pra bëhet fjalë për një subjekt që nuk zbaton asnjë ligj.

Ndaj këtij vendimi, subjekti, më datë 7 nëntor 2019, ka bërë ankim, pranë DPAKU-së, për shqyrtimin e gjobave të vendosura nga DRAKU Tiranë. Me vendimin datë 27 korrik 2020, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në AKU, ka vendosur shfuqizimin e vendimit përfundimtar të  inspektimit dhe gjobave në vlerën 2,900,000 lekë.

Nga shqyrtimi i praktikës së mësipërme konstatohet se: Vendimi, i cili ka shfuqizuar  tërësisht gjobën prej 2,900,000 lekë, të vendosur nga inspektorët e DRAKU Tiranë, është marrë në shkelje të hapur të kuadrit ligjor dhe në mungesë të kompetencës ligjore; Së pari, ankimi administrativ i bërë nga subjekti, në DPAKU, për kundërshtimin e gjobës së vendosur nga inspektorët, nuk është shqyrtuar brenda afatit ligjor.

Por, komisioni ndodhet edhe në kushtet e mungesës së kompetencës ligjore, për shqyrtimin e ankimeve administrative te gjobave me vlerë mbi 300,000, pasi këto i kishin kaluar ministrisë. “Vendimi është absolutisht i pavlefshëm, dhe për pasojë ndaj buxhetit të shtetit është shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 2,900,000 lekë”, thekson raporti.

Një rast i ngjashëm konstatohet edhe me procesverbalin e vendimit të inspektimit datë 22 janar 2019, ndaj subjektit në Tiranë, me aktivitet magazinim dhe shpërndarje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore. Inspektorët kanë vendosur 3 gjoba me vlerën 450,000 lekë gjithsej (300,000 lekë për kushtet e higjienës, 100,000 lekë për mungesen e sistemit të gjurmueshmërisë dhe 50,000 lekë për etiketimin).

Kompania është ankuar më datë 5 shkurt 2019, pranë DPAKU-së për shqyrtimin e gjobës së vendosur nga DRAKU Tiranë; Më 11 shtator 2020, Komisioni ka vendosur shfuqizimin e vendimit   përfundimtar të inspektimit dhe gjobave në vlerën 450,000 lekë;

Nga shqyrtimi i praktikës konstatohet se: Ankimi administrativ i bërë nga subjekti nuk është shqyrtuar brenda afatit ligjor, por është bërë pas më shumë se një viti.

Po ashtu, shfuqizimi është në mungesë të kompetencës ligjore, sepse gjobat me vlerë mbi 300,000 lekë, i kanë kaluar ministrisë. Në këto kushte vendimi është absolutisht i pavlefshëm dhe për pasojë ndaj buxhetit të shtetit ështe shkaktuar dëm ekonomik në vlerën 450,000 lekë. Por ndaj këtij subjekti është falur edhe një gjobë prej 2 milion lekësh. Pra, në të njëjtën ditë, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimeve në DPAKU, me dy vendime, ka shfuqizuar 4 gjoba ndaj të një subjekti, në vlerën 2,450,000 lekë gjithsej.

Qytetarët i denoncojnë, AKU i fal!

Po e mbyllim përshkrimin e vendimeve të vlerësuara nga KLSH si “absolutisht të pavlefshme” me një rast që nxjerr në pah papërgjegjshmërinë e këtij institucioni para taksapaguesve. Me vendimin përfundimtar të inspektimit datë 29 maj 2019, ndaj një subjektit me aktivitet Bar-Kafe dhe Akullore, janë vendosur 3 gjoba me vlerën 900,000 lekë gjithsej (500,000 lekë për mosrespektimin e kushteve higjenike, 200,000 leke për sistemin e gjurmueshmërisë, 100,000 lekë për sistemin HACCP dhe 100,000 lekë për etiketimin e produktit të akullores).

Ky inspektim është iniciuar mbi bazën e ankesave të ardhura nga konsumatorët. Por çfarë ndodh?! Më 9 dhjetor 2020, Komisioni i Shqyrtimit të Ankimeve të AKU-së kujtohet dhe ndryshon vendimin përfundimtar të inspektimit dhe  gjobave nga vlera 900,000 lekë, bëhet në 500,000 lekë.

Kuptohet, se duke qenë me vlerë mbi 300,000 lekë, ku vendim i takonte komisionit të ngritur pranë ministrisë, është një vendim nul. Dhe, duke parë këtë përfundim, qytetarët që çuan indicie në AKU, nuk e besojnë më institucionin.

*KLSH ka kryer një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

 

Qendra Alert

alert.al/

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed