Mishin që u sekuestrohej tregtarëve në Rrogozhinë e Kavajë, inspektorët e AKU e çonin në “ruajtje” tek frigoriferët privat në Tiranë. Më vonë bënin një procesverbal asgjësimi. Gjasat janë se këto përfundonin sërish në treg, pasi KLSH* në kontrollin e bërë në DRAKU Tiranë, nuk ka gjetur asnjë dokument që të vërtetojë se këto sasi mishi janë asgjësuar.
Mishi “ruhej” tek frigoriferi privat
Kontrolli i KLSH nis me autorizimin e datës 23 janar 2018, sipas të cilit, janë nisur inspektorët për asgjësim të mishit dhe nënprodukteve të tij të konfiskuara në njësitë e tregtimit të mishit, peshkut, etj, për periudhën 30 dhjetor 2017 deri me 22 janar 2018.
Në Procesverbal inspektimin, Vendimin Përfundimtar të mbajtur në subjektin X, cilësohet sasia në total 1160 kg (pa certifikatë veterinare), transportuar me mjetin me targë. Por në proces verbal nuk përshkruhet dhe nuk është vlerësuar vlera në lekë e sekuestrimit të sasisë së mishit të asgjësuar.
Mishi i konfiskuar është dërguar pranë subjektit privat, i cili është vetë objekt inspektimi nga AKU. Ky veprim, sipas auditimit, nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore, pra është kryer në kundërshtim me procedurën e përcaktuar në ligjin “Për kundërvajtjet administrative”.
Referuar këtij veprimi të inspektorëve, arrihet në konkluzionin se ky është kryer në tejkalim të kompetencave ligjore, në kushtet e mungesës së minimulisht të një akti ligjor (kontratë qiraje për dhomë/magazinë frigoriferike) midis institucionit dhe subjektit, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar.
Sipas KLSH është cenuar siguria ushqimore, pasi në çdo moment subjekti, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar (ku theksojmë se në këtë praktikë nuk administrohet as dokumenti i pranimit nga subjekti, të mallit të konfiskuar), mund ta nxjerrë në treg mishin, mund ta trajtojë, përpunojë dhe ta përdorë për një qëllim tjetër, si dhe ndikon negativisht në konkurrencën në treg.
Nga ana tjetër, në asgjësimin e pretenduar të sasisë së mishit, nuk janë prezent përfaqësuesi i subjektit të mallit të konfiskuar ose përfaqësues tjetër ligjor nga institucionet e Mjedisit dhe Tatimeve.
“Në praktikën e mësipërme, dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe nuk dokumenton vërtetësinë e kryerjes së asgjësimit”, thekson KLSH.
Por ka edhe një fakt që përforcon mendimin se abuzimet nuk janë të rastësishme. Në autorizimin e lëshuar nga ish/Drejtori i DRAKU Tiranë për kryerjen e asgjësimit, është i njëjti grup që ka kryer inspektimin dhe sekuestrimin. Pra, ky është një konflikt interesi i inspektorëve.
“Zhduken” 5 qengja, zbulohet mashtrimi i inspektorëve
Sipas pasqyrës, rezulton se nga periudha 30 dhjetor 2017 deri 22 janar 2018 janë gjithsej 1215.4 kg mish nga të cilat janë asgjësuar 1160 kg, dhe nuk dokumentohet asgjësimi i 53.4 kg mish qengji ( 4 qengja).
-Në një prej subjckteve, tek Y, ku janë konfiskuar 12.8 kg mish qengji dhc 60.9 kg mish vici, nga të cilat janë asgjësuar 60.9 kg dhe janë lënë pa u asgjësuar 12.8 kg ( edhe këtu mungon një qengj).
Në vazhdën e shkeljeve, KLSH trajton edhe procesverbalin e asgjësimit, ku nuk përshkruhet saktë formulari me të gjitha specifikimet, nuk është cilësuar data e marrjes së vendimit, sasia për çdo rast dhe vlera totale e asgjësimit.
Gjithashtu, nga komunikimi me koordinatorin e sektorit të inspektimit të produkteve me origjinë shtazore, si dhe nga inspektimi i kryer në subjektin Y thuhet se: “Ka mbyllur aktivitetin”. Mirëpo konstatohet se nuk ka asnjë dokumentacion bashkagjitur praktikës, me qëllim vërtetimin nga ana e inspektorëve të faktit se ky subjekt është mbyllur.
Këto veprime janë në kundërshtim me rregulloren e brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”.
Me sa duket abuzimet e inspektorëve kanë lënë pas shumë gjurmë. Konstatohet se ndaj subjektit Y nuk janë kryer inspektime në vijim, për të evidentuar nëse dyqani vazhdon të ushtrojë aktivitet apo jo.
Theksojmë se nga verifikimi i grupit të auditimit në QKB, rezulton se subjekti Y është aktiv. Auditimi ka dalë në konkluzionin se “inspektimi i kryer nga inspektorët nuk pasqyron me vërtetësi situatën reale të subjektit të kontrolluar”.
Mishi i Rrogozhinës tek tregtari në Tiranë
Sipas autorizimit me datë 21 dhjetor 2018, inspektorët janë dërguar për asgjësim të mishit dhe nënprodukteve të mishit të konfiskuara në njësitë e tregtimit të mishit, peshkut, etj, përgjatë periudhës 14 nëntor 2018 deri më 19 dhjetor 2018.
Mishi i konfiskuar në sasinë 18.8 kg është dërguar pranë subjektit privat, i cili është vetë objekt inspektimi nga AKU, veprim i cili nuk ka
asnjë bazë 1igjore që lejon kryerjen e tij.
Sipas grupit të auditimit, “është cenuar siguria ushqimore, pasi në çdo moment subjekti, në të cilin është dërguar malli i konfiskuar (ku theksojmë se në kete praktikë nuk administrohet as dokumenti i pranimit nga subjekti, të mallit të konfiskuar), mund ta nxjerrë në treg atë, mund ta trajtojë, përpunojë dhe ta përdorë për një qëllim tjetër. Kjo ndikon negativisht edhe në konkurrencën në treg”.
Ndërkaq, nuk administrohet procesverbali i asgjësimit, i cili duhet të nënshkruhet nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e asgjësimit (Inspektoret e Tatimeve, Inspektorët e DRAKU dhe Inspektoret e TSHMPOT), dokumenti i transferimit të mbetjeve, sipas përcaktimit të bërë në VKM “Për miratimin e rregullave për transferimin e mbetjeve jo të rrezikshme dhe të dokumentit të transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme”. Në këtë kuadër, vihet re se nuk dokumentohet me foto ngarkimi i produkteve në mjetin e transportit dhe dërgimi i tyre në landfill.
Këto shkelje përsëriten edhe në datën 23 janar 2018, kur janë autorizuar inspektorët për asgjësim të mishit dhe nënprodukteve të mishit të konfiskuara në njësitë e tregtimit të mishit, peshkut,etj. Bëhet fjalë për periudhën 30 dhjetor 2017 deri me 22 janar 2018.
Sipas auditimit, nuk ka asnjë dokument përse është sekuestruar sasia e mishit e marrë nga subjektet në Qytetin e Rrogozhinës, si është bërë hyrje në frigoriferin e kompanisë në Tiranë, ku dhe lihet në ruajtje.
Gjithashtu, në asgjësimin e pretenduar të sasisë së mishit nuk janë prezent përfaqësuesi i subjektit të mallit të konfiskuar ose përfaqesues tjetër ligjor.
“Në praktikën e mësipërme dokumentacioni i paraqitur është i paplotë dhe nuk vërteton e kryerjen e veprimit si dhe trasportimin nga Rrogozhina në Tiranë”, thekson raporti i KLSH.
Përveç shkeljeve ligjore, inspektimi ka edhe konflikt interesi. Në autorizimin e lëshuar nga drejtori i DRAKU për grupin e asgjësimit të mallit është një inspektor i cili ka kryer sekuestrimin dhe përsëri është vendosur në kryerjen e asgjësimit të sasisë 29.6 kg mish viçi.
Konkluzioni i i KLSH është: “Në praktikën e mësipërme dokumentacioni i paraqitur është i paplotë, nuk dokumenton vërtetësinë e kryerjes së veprimit”.
Pra, AKU nuk ka vërteton se ku kanë përfunduar mijëra kilogramë mish, që tregtohej në mënyrë të parregullt. Me të drejtë KLSH dyshon në “vërtetësinë’ e asgjësimit të këtyre sasive të mishit të sekuestruar. (vijon)
*KLSH ka kryer një konktroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.
Qendra Alert
alert.al/
LINI NJË KOMENT