Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: DRAKU Tiranë, pjesë e mashtrimit të fermerëve me fara që nuk mbijnë

Fermerët mashtrohen me farat që blejnë duke pësuar miliona lekë investime të shkuara dëm. Pjesë e mashtrimit është bërë edhe AKU, e cila nuk njofton në asnjë rast fermerët, kur analizat dalin nën normë. Kjo ndodh sepse tregtarët e farave dhe të fidanëve bujqësorë abuzojnë duke i pasur shpatullat të mbrojtura inspektorët e DRAKU Tiranë.

Për inspektimin  e MMSHB (materiali mbjellës dhe shumëzues bimor) janë kryer 274 inspektime nga të cilat janë asgjësuar 11.229 ton dhe janë marrë masa administrative me vlerë 120.000 lekë. Janë marrë 36 mostra për MMSHB, 2 prej të cilave janë pa përgjigje.

Por, raporti i KLSH zbulon se në shumë raste, mijëra kilogramë fara të skaduara lejohet të përfundojnë tek fermerët, edhe pse analizat e tyre tregojnë fuqi mbirëse të dobët.

Misri hibrid nuk bllokohet, analiza pa përgjigje

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 25janar 2018  në subjektin X është konstatuar një sasi prej 7 ton farë misri hibrid për të cilin subjektit i është lënë detyrë të ri analizojë treguesit e fuqisë mbirëse. Raporti zbulon se DRAKU nuk ka bërë akt-bllokimin për farën deri në momentin e daljes së analizës. Sipas raportit të auditimit, DRAKU Tiranë nuk ka kryer më asnjë inspektim për këtë çështje.

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit më datë 28 shkurt 2018 për ri-inspektimin e detyrave të lëna më datë 25 janar 2018 për ri-analizimin e farës së misrit hibrid, konstatohet se ende nuk janë marrë përgjigjet e analizës. Në  proces-verbalin dhe vendimin përfundimtar DRAKU Tiranë ka vendosur që subjekti të mos e tregtojë farën deri në daljen e analizës, por përsëri nuk ka bërë akt-bllokimin e farës.

Misri i bllokuar del në shitje

Nga  shqyrtimi  i  praktikës  së datës 30 prill 2018 me objekt inspektimin, ndjekjen e gjurmueshmërisë, referuar evidencës së marrë nga subjekti mbi shpërndarjen e farës së misrit më 27 prill 2018. Subjekti është furnizuar me farë misri nga importuesi i LG 30600 prej 5632.3 kg e ardhur në janar 2018, në sasinë 1000 kg prej dhe nga e cila në momentin e inspektimit kanë ngelur 30 kg për të cilat është bërë bllokimi. Pjesa tjetër është u është shitur fermerëve të zonës së Kavajës, ku bashkëlidhur me praktikën e inspektimit është lista e blerësve.

Ndërkohë ka edhe raste të tjera që të bëjnë të dyshosh në veprimet e DRAKU Tiranë. Kështu, nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 26 prill 2018 për ndjekjen e gjurmueshmërisë, referuar rezultatit të analizave të fuqisë mbirëse, nga mostrat e marra në një subjekt tjetër, tek i cili ishte furnizuar subjekti X, është konstatuar se sasia e farës së misrit LG 30600, afro 5632.3 kg e ardhur në janar 2018 është shitur e gjitha.

“DRAKU nuk ka bërë marrjen e mostrës, kjo në kundërshtim me ligjin “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, thekson raporti.

Me këtë ngarkesë fare misri lidhet edhe praktika e inspektimit më 30 prill 2018 me objekt ndjekjen e gjurmueshmërisë, referuar evidencës së marrë nga subjekti furnizues mbi shpërndarjen e farës së misrit më  27 prill 2018. Subjekti është furnizuar me farë misri nga LG 30600 prej 5632.3 kg e ardhur në janar 2018, në sasinë 1000 kg. Nga kjo sasi në momentin e inspektimit kanë ngelur 304 kg për të cilat është bërë bllokimi. Pjesa tjetër u është shitur fermerëve të zonës së Kavajës.

Mashtrim me analizat e mostrave

Nga shqyrtimi i praktikës se inspektimit datë 10 maj 2018 rezulton një mashtrim nga ana e inspektorëve të DRAKU Tiranë. Kontrolli kishte objekt inspektimin, zhbllokimin e farës së misrit referuar përgjigjes së analizave. Konstatohet se inspektorët kanë bërë zhbllokimin e sasisë prej 30 kg të bllokuar në subjekt pas përgjigjes së analizës  së datës 7 maj 2018 për farën VAR.LG  30600 (LANDERO) LOT F0964B0215855SM(120kg) dhe VAR LG 30600 LOT F0964B021583SM(5000KG).

Sasia e cila është zhbllokuar nuk është e të njëjtit LOT nga e cila ka dalë analiza, pasi në subjektin e furnizuar nuk është bërë marrja e mostrës për këtë farë, por për një tjetër LOT me të njëjtin varietet.

“DRAKU Tiranë nuk duhet të kishte bërë zhbllokimin  e sasisë së farës së misrit pasi “Kur nga inspektimi i kryer ose nga analizat e mostrave të marra rezulton se materiali mbjellës dhe shumëzues bimor nuk është analizuar furnizuesit i ndalohet nxjerrja në treg e tij”, konstaton KLSH.

Çfarë ndodhi me këtë sasi fare të dobët që erdhi nga jashtë?

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 29 mars 2018 për subjektin importues për veprimtarinë “importi dhe tregtimi me shumicë i MMSHB, konstatohet se kontrolli është kryer, referuar e-mail-it të ardhur nga sektori fitosanitar i PIK-ut Qafë-Thanë. Në magazinën e subjektit gjendet sasia prej 4456.95 kg farë misri e bllokuar nga PIK- Qafë-Thanë me Proces-verbal Bllokimi dhe Vendimi datë 27 mars 2018 deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjithashtu është bërë bllokimi i sasisë prej 19.853 kg e ardhur në datën 11 mars 2018 të cilat kanë rezultuar nën normë referuar përgjigjes së analizave të ardhura nga ESHFF. Nuk ka evidencë që këto sasi misri të bllokuara të jenë asgjësuar ose të jenë kthyer pas tek shteti nga erdhën.

Mostrat merren jashtë rregullave

KLSH evidenton edhe një fenomen të përsëritur në marrjen e mostrave të farave. Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 16 shkurt 2018 me objekt inspektimi marrje mostre për farën e misrit LG-30325-LOT-599SM(3013KG) e ndarë në 251 thasë x 12.004 kg, del se mostrat janë dërguar për analizim në datën 19 shkurt 2018. Kjo sipas auditivit është në kundërshtim me udhëzimin “për krijimin, shumëzimin, përpunimin, tregtimin, kontrollin, vlerësimin e farave dhe fidanëve dhe mbajtjen e trajtimin e materialit gjenetik bimor”.

DRAKU pjesë e zinxhirit të mashtrimit të fermerëve

Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit datë 18 prill 2018, konstatohet se është bërë marrja e mostrës së misrit për 3 lote; LG 3350 me sasinë 861.8kg/; LG 3395 me sasinë 7893.6 kg/; ANTIS me sasinë 12123.3kg.

Nga analiza, mostrat e marra  rezultuan me fuqi mbirëse nën normë. Nga verifikimi i bërë nga inspektorët e  DRAKU Tiranë, është konstatuar se në magazinën e subjektit nga 3 lotet e mësipërme ndodheshin: LG 3350 me sasinë 55.6 kg; LG 0166 me sasinë 66kg; ANTIS me sasinë 69kg.

Pjesa tjetër është shitur nga ana e subjektit tek tregtarët. Ne proces-verbal inspektimi dhe vendimin përfundimtar DRAKU ka lënë detyrë të bëhet njoftimi i të tretëve për rreziqet e mundshme dhe tërheqjen e menjëhershme nga tregu të sasisë së shitur. Ndërkaq, DRAKU Tiranë nuk kanë marrë masë administrative për shkeljen e ligjit nga subjekti.

Në vazhdim, më 25 prill 2018 inspektorët u kthyen për “detyrat” e lëna nga inspektimi i datës 18 prill 2018. Me proces-verbal inspektimi dhe vendim përfundimtar konstatohet se në magazinën e subjektit është rikthyer sasia prej 6059.8 kg farë misri VAR ANTIS dhe 719.2 kg kg farë misri VAR DIBRA LG 3350. Nga sasia e VAR ANTIS e kthyer mungojnë 5995.3 kg dhe nga sasia e VAR DIBRA LOT 3350 mungojnë edhe 87 kg të cilat duhet të riktheheshin në magazinën e subjektit. Per LOT-in LG 3395 me sasinë 7893.6 kg nga e cila në magazinën e subjektit ishin gjetur vetëm 66 kg, nuk është bërë tërheqja e sasisë. Bashkëlidhur praktikës janë foto tek te cilat janë të paqarta për të dalluar sasinë.

Pavarësisht se farës i ishte bërë njëherë analizimi, DRAKU Tiranë e vazhdon komedinë duke marrë përsëri mostër për analizim dhe ka bërë bllokimin e farës me Akt­ Bllokim deri në daljen e rezultatit të laboratorit. Kështu DRAKU vazhdoi të bëhet pjesë e abuzimit ndaj fermerëve.

Bizelet nuk mbijnë, DRAKU nuk i asgjëson

Nga shqyrtimi i praktikes së inspektimit me datë 13 mars 2018 pas rezultateve të analizës së ardhur nga ESHFF-ja, me Flete-Analizën datë 19 shkurt 2018, rezultojnë se fara e bizeles kishte fuqi mbirëse nën normë.

Subjektit i është dhënë dënim administrativ me gjobë në vlerën 40.000 lekë. Sipas auditimit, DRAKU Tiranë nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, pasi duhet të bënte sekuestrimin, asgjësimin ose kthimin në vendin e origjinës të produktit që ka dalë me fuqi mbirëse jashtë normës. Gjithashtu, DRAKU Tiranë ka vonuar njoftimin për dhënien e rezultatit

Kështu është vepruar edhe më vonë. Nga shqyrtimi i praktikës së inspektimit të datës 25 prill 2018, pasi analizat laboratorike rezultojnë pozitive, nga përgjigja e ardhur nga ESHFF, rezulton se fuqia mbirëse e mostrës është nën normë. DRAKU ka marrë masën dënim administrativ me gjobë me vlerën 40.000 lek për shkeljen e konstatuar dhe ka bërë bllokimin e farës prej 30.6 kg e ndarë në dy thasë

“DRAKU Tiranë nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, pasi duhet të bënte sekuestrimin, asgjësimin ose kthimin në vendin e origjinës të produktit që ka dalë me fuqi mbirëse jashtë normës”, thekson KLSH.

Por edhe kur bëhet asgjësimi, sipas letrave, DRAKU të lë të dyshosh se nuk ka e kryer. Në praktikën e inspektimit 23 maj 2018, pas kërkesës së subjektit për asgjësimin e dy produkteve (fara qepujka dhe patate), në proces­verbalin e inspektimit dhe vendimin përfundimtar, thuhet se asgjësimi është bërë konform kërkesave ligjore, por mungojnë evidencat nga momenti i asgjësimit.

Në këto kushte, fermerët duket ta marrin raportin e KLSH-së dhe të shkojnë gjykatë të kërkojnë zhdëmtimin për dëmin e shkaktuar dhe fitimin munguar nga blerja e farave me fuqi të dobët mbirëse. Jo vetëm kaq, por mund të bëjnë edhe kallëzim për mashtrim dhe shpërdorim detyre nga zyrtarët e DRAKU-Tiranë, që në dijeni të plotë kanë lejuar të dalin në treg fara të tilla.

*KLSH ka kryer një  kontroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

 

Related Posts

LEAVE A COMMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed