Menu

EKSKLUZIVE/ Raporti i KLSH 2018-2020: Laboratori i AKU pranon mostra të parregullta për analizat e bukës dhe miellit, manipulohen standardet

Laboratori i AKU i nxjerr brenda normave produktet ushqimore të fabrikave të miellit, makaronave, furrave të bukës dhe pastiçerive, por KLSH zbulon se shkelen standardet e marrjes së mostrave. Pra, rezultatet “brenda normave” të analizave bëhen të pabesueshme, sepse nuk respektohen procedurat ligjore. KLSH* gjatë kontrollit të DRAKU Tiranë auditoi edhe laboratorin, i cili për periudhën 2018-2020 e kishte varësinë nga ky institucion.

Sipas raportit, mostrat e prodhimeve të brumit dhe pasticerive, apo të fabrikave të miellit, jo vetëm që nuk duhet të pranoheshin në laborator, por në ndonjë rast ka edhe mashtrim me standardin e përdorur.

KLSH: Mostra e miellit nuk duhej pranuar në laborator

Bëhet fjalë për mostrën e analizuar nga një subjekt fabrikë mielli. Data e pranimit të mostrës në laborator është më 2 korrik 2018, ndërsa mbarimi i provës më 10 korrik 2018. Produktet e analizuara janë 5 lloje mielli për treguesit: G1uteni, Hiri i tretshëm, Aciditeti dhe Lagështia. Rezultati ka dalë brenda normës. Por, a është i certifikueshëm përfundimi i analizës? “Kampioni nuk duhet te ishte pranuar për analizë laboratorike”, thekson raporti i KLSH.

Në praktikën e mësipërme konstatohet se nga grupi i auditimit se Fletë-shoqërimi i mostrës nuk është plotësuar në përputhje me përcaktimet ligjore. Konkretisht nuk është plotësuar temperatura e transportit të mostrës, sasia e kampionit, paketimi i kampionit, ora e dorëzimit të mostrës, vendi i marrjes së mostrës, skadenca. Pra, nuk mund të analizohet një mostër që nuk plotëson kushtet bazë.

E njëjta histori është me mostrën e analizuar nga një subjekt tregtar për 6 lloje mielli. Data e pranimit në laborator është 11 korrik 2018 dhe e mbarimit të provës është 9 korrik 2018. Treguesit e analizuar janë: Lagështia, Aciditeti, Gluteni dhe Hiri i tretshëm.

Edhe në këtë rast rezultati “Brenda normës” do të ishte shumë qetësues për konsumatorin, nëse nuk do të ishin shkelur rregullat e marrjes së mostrave.

Analizat e bukës, të parregullta

Mostra e analizuar nga subjekti Furrë buke dhe pasticeri është pranuar në laborator më 2 korrik 2018, ndërsa data e mbarimit të provës 5 korrik 2018. Produktet e analizuara janë prodhime brumi, buke dhe embëlsirë.

Treguesit e analizuar: Aciditeti, Lagështia, Alkaliteti, Hiri i patretshëm, Kripa dhe Poroziteti. Rezultati është “Brenda normës”.

Por nuk është dakord KLSH. “Nuk është plotësuar temperatura e transportit të mostrës, sasia e kampionit, paketimi i kampionit, ora e dorëzimit të mostrës, vendi i marrjes së mostres, skadenca.

Për sa më siper, kampioni nuk duhet të ishte pranuar për analizë laboratorike, dhe për këtë mban përgjegjësi personi i cili ka firmosur fletë-shoqërimin e mostrës”, nënvizon raporti.

Mashtrime me standardet shtetërore

Mostrat e analizuara nga subjekti furrë buke dhe pastiçeri janë pranuar në laborator më 24 korrik 2018 dhe 30 korrik 2018. Produktet janë Amareta (3 copë), Embelsirë brumi mafishe (4 copë), Trileçe (4 copë), Tortë (4 copë), Pastë (4 copë), Prodhim brumi Kërcinja (4 copë), Bakllava (4 copë) dhe Bukë masive (4 copë). Treguesi e analizuar janë Alkalitet dhe Hiri i patretshëm.

Ndërsa për bukën masive janë analizuar aciditeti, lagështia, kripa, poroziteti. Rezultati “brenda normës” bëhet i dyshimtë, sepse KLSH zbulon manipulimin e standardeve.

“Standardet shtetërore të përdorura për përcaktimin e normave të treguesve të analizuar, në dy raste nuk janë në përputhje me përcaktimet e bëra në standardet shtetërore”, thekson raporti.

Konkretisht në 1 rast nga 4, për produktin mafishe, është përdorur standardi nr.1440/87 për përcaktimin e normave, ndërkohë që ky standard përdoret për pasta e torta. Ndërkaq, në 3 raste nga 4 është përdorur standardi nr.1444/87, për përcaktimin e normave për produktin prodhim brumi Kërcinja, ndërkohë që ky standard është për ëmbëlsirat prej brumi. Referimi i gabuar i standardeve vazhdon me shkelje të tjera, siç është fletë-shoqërimi e pafirmosur nga pergjegjësja e laboratorit dhe dorëzuesi i mostrës (subjekti).

Jo vetëm kaq, por në praktikën e mësipërme konstatohet se në analizën laboratorike ka marrë pjesë edhe pergjegjësja e laboratorit, duke krijuar premisë për konflikt interesi.

Më fakt, shkeljet nisin qysh në marrjen e mostrave dhe vazhdojnë deri tek raport-provat. Këto të fundit nuk janë sipas formatit të përcaktuar si dhe nuk janë plotësuar në përputhje me përcaktimet ligjore. Konkretisht nuk është plotësuar siç duhet vendi i kampionimit të mostrës, origjina e mostrës, sasia e kampionimit pasqyrohet me njësi dhe jo peshë.

Fletë-shoqërimi i mostrave nuk ka temperaturën e transportit të mostrës, vendi i marrjes së mostrës, vendi i origjinës, sasia e kampionit të sjellë, paketimi, ora e dorëzimit dhe marrjes së mostrës.

Mostrat e produkteve të Pastiçerive nuk dihet si janë ruajtur

Produktet e pastiçerive janë ushqime delikate që nuk i rezistojnë temperaturave dhe japin dëme tek shëndeti i konsumatorëve kur janë të prishura. Nga kontrolli i KLSH në laboratorin e AKU për Tiranën del se analizat janë krejt formale, nuk tregojnë as mënyrën e marrjes dhe ruajtjes së mostrave.

Praktika e analizave të një subjekti pastiçeri në datën 1 tetor 2018 tregon se analizat filluan në laborator më 2 tetor 2018 dhe 03 tetor 2018. Data e mbarimit të provave janë 5 tetor 2018, 8 tetor 2018 dhe 9 tetor 2018. Janë 30 produkte pastiçerie të analizuara për Alkalitet dhe hiri i patretshëm. Rezultati: Brenda normës

Ndërkaq, KLSH konstaton se Raport-provat nuk janë sipas formatit të përcaktuar si dhe nuk janë plotësuar në përputhje me përcaktimet  ligjore. Mungon vendi i kampionimit, origjina e mostrës; Fletë-shoqërimi i mostrave nuk përshkruan temperaturën e transportit të mostrës, vendin i marrjes së mostrës, vendin e origjinës, sasinë e kampionit të sjellë, paketimin, orën e dorëzimit dhe marrjes së mostrës. Me fjalë të tjetra, këto janë analiza që nuk plotësojnë asnjë kusht ligjor.

Kështu është vepruar edhe më 9 tetor 2018 kur është pranuar për analizë mostra nga subjekti prodhues i kroasantëve me mbushje. Prova ka mbaruar më 12 tetor 2018. Treguesit e analizuar janë Alkalitet dhe Hiri i patretshëm. Rezultati: Brenda normës. Mirëpo Fletë-shoqërimi i mostrës nuk ka temperaturën e transportit të mostrës, vendin e marrjes së  mostrës, vendi i origjinës, sasia e kampionit të sjellë.

Më 24 korrik 2018 janë pranuar janë pranuar me shkelje të procedurës për analizë mostrat nga një subjekt tjetër pastiçeri. Data e fillimit të analizës në laborator është 25 korrik 2018 dhe mbarimi i provës më 31 korrik 2018. Bëhet fjalë për 22 prodhime brumi.Treguesit e analizuar janë Alkalitet dhe hiri i patretshem. Rezultati “brenda normës” kompromentohet nga shkelja e rregullave.

Edhe në rastin e një subjekti tjetër pastiçeri, mostra e analizuar është jashtë kushteve ligjore. Nga pasitçeri janë marrë mostra për 12 produkte. Produkte delikate si këto duhet të trajtohen në mënyrë rigoroze nga Autoriteti, për të pasur rezultate ligjore.

Me shkelje renditen edhe pranimi i mostrave të analizuar nga një subjekti më 15 shkurt 2018. Produktet e analizuara janë 13 lloje Biskotash për treguesit: Alkalitlet, hiri i patretshëm. Rezultati: Brenda normës. Në këtë praktikë konstatohct se Fletë-shoqërimi i mostrës nuk është plotësuar në përputhje me përcaktimet Iigjore.

Analizohen makarona pa vend-origjine

Ky rast lidhet me mostrat e analizuar nga një subjekt tregtar për makaronat. Data e pranimit të mostrës në laborator është 16 korrik 2018, ndërsa data e mbarimit të provës 26 korrik 2018. Produktet janë 2 lloje makaronash. Treguesi i analizuar: Lagështia dhe aciditeti.

Rezultati: Brenda normës.

“Në praktikën e mësipërme konstatohet se: Raport-provat nuk kanë vendin e kampionimit të mostrës, origjinën, kushtet e ruajtjes”, thekson KLSH.

*KLSH ka kryer një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.

Qendra Alert

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed