Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim nga data 05.01.2021 deri në datë 05.03.2021, në Drejtorië Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Qarku Tiranë (DRAKU) për periudhën nga 01.01.2018 deri 30.12.2020, “Mbi funksionimin dhe veprimtarinë ekonomiko-financiare”. Auditimi ka gjetur shkelje të rënda financiare, por edhe të protokolleve të inspektimit që përbëjnë rrezik për konsumatorin.
Dokumenti të cilin Qendra Alert e disponon, përmend një sasi prej afro 35 mijë kilogram mish derri dhe pule me Salmonela, vetëm në një kompani. Ky mish nuk është bllokuar sipas rregullave, por ka qëndruar në ruajtje tek subjekti i kontrolluar. Madje nuk ka as fotografi apo procesverbal që të tregojë se ky mall është asgjësuar. Të gjitha dyshimet janë se kjo sasi mishi është hedhur në treg.
Mishi i derrit me Salmonele
Audituesi vëren se bllokimi i një sasie mishi derri nuk është bërë brenda ligjit, madje i është lënë në dorë subjektit ta asgjësojë këtë sasi mishi. Ironia është se në detyrën lënë kompanisë për asgjësim nuk ka një afat se kur duhet kryer kjo.
“Në vijim të inspektimit të kryer më datë 26 janar 2018, ku u morën mostrat: tremiks derri; kofshe derri me kocke dhe shpatull dem pa kocke, si dhe pas daljes së rezultatit të analizës, nëpërmjet raport-provës nr.454, date 05.02.2018, ku produkti tremiks dem, ka dalë me përmbajtje salmonele, pranë këtij subjekti është kryer përsëri inspektim më 06.02.2018. Nga inspektorët është vendosur gjobë në vlerën 300 mijë lekë për tregtimin e produktit të pasigurt, tërheqjen nga tregu të sasisë së shitur nga ky produkt deri me datën 09.02.2018, si dhe është lënë detyrë që të korrigjohet shkelja, duke bërë asgjësimin e sasisë 360 kg, por pa një afat të caktuar”, raportojnë audituesit.
Në këtë praktikë KLSH konstaton se:
“Sipas përcaktimeve të Ligjit të Inspektimit, ku parashikohet bllokimi dhe marrja në administrim e kafshëve, bimëve, mallrave, makinerive, produkteve apo sendeve, dhe në këtë rast, produkti i bllokuar duhej të merrej në administrim nga grupi i inspektimit
Por malli është lënë në ruajtje të subjektit, gjë e cila nuk parashikohet në asnjë akt ligjor apo nënligjor.
-Nuk është përcaktuar afat konkret për asgjësimin e produktit;
-Nuk dokumentohet me foto (produkti i bllokuar, me shenjat dalluese);
-Në vendimin përfundimtar, nuk vendoset edhe detyrimi për likujdimin e shpenzimeve të analizës laboratorike, për produktin tremiks derri.
-Gjoba në v1erën 300 mije lekë është paguar nga subjekti në datën 08.10.2020;
Ndaj këtij subjekti nuk është arkëtuar kamat-vonesa 2% në muaj të masës së gjobes, ku sipas llogaritjeve të grupit të auditimit është një vlerë e humbur prej 174 mijë 1ekë”
Mishi i pulës me Salmonele dhe Typhimurium
Akoma më uluritëse janë shkeljet me të njëjtën kompani po për nje prudukt tjetër dhe në një sasi shumë të madhe.
“Pranë subjektit është kryer përsëri inspektim më 15.05.2018, ku u morën sërish 5 mostra për analizë.
-Në vijim të praktikës së mësipërme, si dhe përgjigjes së analizës së produktit, gjoks pule i ngrirë pa kocka, nëpërmjet raport-provës nr.2515, datë 23.05.2018, ku është konstatuar prezencë e Salmonelles dhe e Typhimurium, pranë këtij subjekti, në datë 24.05.2020, është kryer inspektimi.
-Procesverbali i datës 07.06.2018, pasqyron se janë marrë mostra në masën 5 kampione me 25 gr secila, nga produkti kima pule, si dhe bllokohet sasia prej 6144 kg, e këtij produkti, deri ne daljen e përgjigjes së analizës.
Në këtë praktikë konstatohet se:
Inspektimi është kryer një muaj pas afatit të përcaktuar në autorizimin e inspektimit, si dhe në kushtet e mungesës së autorizimit të Drejtorit të DRAKU Tiranë për shtyrje të afatit të inspektimit. Në këto kushte ky inspektim është i pavlefshëm sipas ligjit “Per inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
-Nuk administrohet fletë-shoqërimi i marrjes së mostrës, ç’ka nuk vërteton veprimin e kryer nga inspektorët;
-Nuk administrohet procesverbali i bllokimit të produktit”.
E si mund të besosh se ai mish nuk ka përfunduar në stomakun e qytetarëve të kryeqytetit apo gjetkë?
Ja si përgjigjet AKU: “Më 12 mars 2021 është bërë observacion lidhur me praktikën e inspektimit, ku në menyrë të përmbledhur parashtrohet:
Në vitin 2018 inspektimet janë kryer me bllok dhe jo në sistemin online, si dhe në atë periudhë nuk ka patur ndonjë format për shtyrjen e afatit. Për mungesën e fletë-shoqërimit, kjo është e pamundur pasi laboratori nuk ta pranon mostrën dhe ne si grupe i dorëzojmë praktikat në arkiv dhe mund të jetë shkëputur”.
Por në fakt formati për kërkesën për shtyrje të autorizimit është i përcaktuar në Urdhrin nr.58, datë 21.08.2014, të Inspektorit të Përgjithshem në RSH.
Pranë këtij subjekti është bërë kontroll i ri me qëllim verifikimin e korrigjimit të shkeljes të asgjesimit/kthimit të 27 510 kg të produktit gjoks pule i ngrire pa kocka. Kompania nuk e asgjëesoi kurrë këtë sasi mishi. Është AKU që i krijoi terren kësaj situate absurde me pasoja të rënda për shëndetin e konsumatorit.
“Procesverbali i inspektimit me nr.AKU-TR-2018-002500-2, date 24.07.2018, pasqyron se subjekti edhe pas kalimit të këtij afati, nuk e ka realizuar detyrën e lënë, por sasia është gjendur përsëri e bllokuar dhe jo e asgjësuar/kthyer. Si arsye për moskorrigjimin e shkeljes është pasqyruar se subjekti është në pritje të përgjigjes së analizës nga një laborator në shtetin e Holandës.
Vendimi përfundimtar i inspektimit me nr.AKU-TR-2018-002500-2, datë 24.07.2018, nuk jepet asnjë masë.
Në këtë praktikë konstatohet:
-Nuk është vendosur gjobë për moskorrigjimin e shkeljes brenda afatit të përcaktuar sipas ligjit”.
Është vetë AKU që ka miratuar kërkesën e kompanisë që të analizat t’i kryejë në Holandë, por nuk lë afate.
Në përgjigjen e DRAKU ndaj KLSH-së për këtë rast njoftohet se:
“Kemi marrë autorizim për verifikim të korrigjimit të shkeljes (asgjësim apo kthim në origjinë të sasisë prej 27 510 kg produkt “gjoks pule i ngrirë pa kocka”).
Me miratim nga DPAKU, subjekti kishte çuar mostër për analizë në Holandë, për këtë arsye nuk u vendos masë administrative për mosrealizim detyre”. Çfarë u bë me këtë mish? Nuk ka asnjë provë se është asgjësuar! Popullata ka konsumuar mish me Salmonelle për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve abuzive të DRAKU. Për dëmet që i sjell shëndetit të popullatës me mosveprimet e paligjishme, këtij institucioni i shkon emri DRAKU-la.
Qendra ALERT – Alert.al
LINI NJË KOMENT