Supermarkete që lejohet të punojnë pa licenca, tregtojnë ushqime të skaduara dhe pa etiketa shqipe.Ndërkohë, denoncimet e qytetarëve për këto subjekte hidhen në kosh nga DRAKU që mbulon shkeljet. Duke kontrolluar praktikat e inspektimeve, KLSH ka zbuluar fshehjen e thyerjes së ligjit nga kompanitë e mëdha..
Qendra Alert disponon raportin e auditimit të kryer në Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Tiranë (DRAKU) për periudhën nga data 1 janar 2018 deri 30 dhjetor 2020. Nga kontrolli rezultojnë shkelje të rënda financiare, të Ligjit për ushqimin dhe vendimeve të qeverisë për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore, duke mos mbrojtur interesin e konsumatorit.
Supermarketi i njohur, 6 vite pa licencë
Shkojnë për të verifikuar kushtet e marrjes së licencës nga supermarketi C dhe bëjnë sikur nuk e dinë se, kjo njësi ndodhet aty pre vitesh dhe ka zhvilluar aktivitet pa leje. Zbulimi i KLSH erdhi nga kontrolli i praktikës së inspektimit të kryer me Autorizimin nr.131/8, datë 31.01.2018, në subjektin C., Rruga e Kavajës, pranë Bllokut të ambasadave.
Brenda ditës është hartuar lista e verifikimit të kushteve të supermarketit dhe i vendoset nota dhjetë. Aty pasqyrohet se subjekti i plotëson të gjitha kërkesat ligjore, për higjienën, HACCP* dhe gjurmueshmërinë.
Më tej me një procesverbali shoqëron vendimin përfundimtar nga grupi i inspektimit, ku është vendosur miratimi i kërkesës për licencim.
Por çfarë gjen KLSH? “Nga shqyrtimi i dokumentacionit të praktikës së inspektimit, konstatohet se:
-Nuk dokumentohet planimetria e subjektit;
-Nuk dokumentohet sistemi HACCP;
-Nuk dokumentohet sistemi i gjurmueshmërisë, megjithëse inspektorët janë shprehur se funksionon”.
Por më e bukura vjen në fund të raportit të KLSH për këtë inspektim. “Gjithashtu, në datën që është kryer inspektimi pranë këtij subjekli me vendndodhjen e mësipërme, rezulton se sipas verifikimit të grupit të auditimit, në faqen zyrtare të QKB-së, ky suhjekt ka filluar të ushtrojë aktivitet në këtë adresë, në datë 15.02.2012, pra rreth 6 vite më përpara, dhe ndodhur në këto kushte ndaj subjektit nuk duhej të kryej inspektim për licencimin e tij, por për zhatimin e kuadrit ligjor në aktivitetin e tregtimit të produkteve me origjinë shtazore për njerëz”.
Supermarketi shiste mish pa licencë. Po të ishte ndonjë tregtar i thjeshtë do t’ia kishin nxirë jetën me gjoba dhe do t’ia konfiskonin që nga hanxhari deri tek frigoroferët dhe mishin brenda. Do t’i çonin edhe kamerat e televizioneve ta shihin kur t’i vendosnin shiritin e mbylljes së aktivitetit.
KLSH insisiton se supermarketi duhej të merrte gjobë dhe të mos licensohej atë ditë. “Sa më sipër, nga inspektorët duhet të ishte vendosur masë administrative gjobë në vlerën 1,000,000 lekë (vlera minimale e gjohës për ushtrim aktiviteti pa licencë), ndalim ushtrim aktiviteti, lënie e afatit për korrigjimin e shkeljeve (aplikimin për licencë, njoftimin e DRAKU së), dhe më pas verifikimin e kushteve, nëse duhet të pajiset me licencë subjekti apo jo”.
Fakti që supermarketi ka ushtruar aktivitet më përpara se të kryhej inspektimi, konfirmohet edhe nga shënimi i inspektorëve në procesverbalin e inspektimit, për funksionimin e sistemit të gjurmueshmërisë (pra, subjekti është furnizuar me produkte dhe ka tregtuar).
Produkte pa etiketë shqipe
Supermarketi C vazhdimisht nuk e zbaton kërkesën për të pahisur produktet ushqimore me etiketë në gjuhën shqipe.
Një rast është ai i datës 6 shkurt 2018, kur DRAKU ka shkuar për inspektim në magazinat e supermarketit me adresë Autostrada Tiranë-Durrës, Km 6, Kashar. Kontrolli është formal pasi nuk përcaktohet objekti i inspektimit. Në Listë-verifikimin e kryer pasqyrohet se subjekti ushtron aktivitetin në përputhje me të gjitha kërkesat ligjore, për higjienën, HACCP dhe gjurmueshmërinë.
Por në një procesverbal të kësaj date pasqyrohet se subjektit i’u gjetën produkte pa etiketën në gjuhën shqipe, dhe për këtë shkelje është vendosur gjobë në vlerën 50,000 lekë.
Në praktikën e mësipërme Mga KLSH konstatohet se: Inspektimi pranë subjektit është kryer jashtë afatit të përcaktuar në autorizimin e inspektimit dhe kjo ebën atë ligjërisht të pavlefshëm sepse bie në kundërshtim me Ligjin “Per inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Mustarda zhduket pa arritur inspektimi
Në 20 mars 2018 është autorizuar një inspektim i ri në subjektin C, Autostrada Tiranë-Durres, Km 6, Kashar, me objekt: Verifikim për njoftimin alert nga Drejtoria e Pergjithshme, mbi produktin “Crisps paprika”, i cili në brendësi ka paprika dhe mustard, e cila nuk është e deklaruar në listen e përbërësve, dhe shkakton probleme ndaj njerëzve alergjik.
Por ky produkt është hequr shumë kohë më parë. Procesverhali i inspektimit pasqyron se subjektit nuk i’u gjendën produktet për të cilat ishte bërë njoftimi alert. Gjithashtu pasqyrohet se subjekti më datë 9 mars 2018 ishte njoftuar nga eksportuesi në Itali, për tërheqjen nga tregu të produktit, dhe me datë 10 mars 2018 ishte bërë tërheqja e produktit nga tregu (bashkëlidhur praktikës, fatura e tërheqjes nga tregu, njoftimi alert, komunikimi ndërmjet subjekteve eksportuesimportues)..
Qytetarët denoncojnë se fshihen afatet e skadencës
Rasti i mëposhtë tregon se si i trajtojnë denoncimet inspektorët e DRAKU-së. Në inspektimin e autorizuar më 24 shtator 2018, pranë subjektit C, me vendndodhje Autostrada Tiranë-Durrës, Km 6, në bazë të indicies së ardhur nga një konsumator në faqet sociale, ka një pjesë shumë komike tësjelljes së inspektorëve. Denoncimi përshkruan se produktit “Djathë Fresco Spalmabile Light”, në subjektin C , në filialin që ndodhet në Rrugën Andon Zako Çajupi, i fshihet data e skadencës.
“Nga verifikimi u konstatua se produktit nuk i fshihej data e skadencës. Produkti shoqërohej me faturë tatimore nga magazinat e C dhe me etiketë në gjuhën shqipe. Vendimi përfundimtar i inspektimit: Nuk ka asnjë shkelje dhe asnjë masë”, shkruajnë inspektorët e dërguar për të ndjekur denoncimin e konsumatorit.
Në praktikën e mësipërme, nga KLSH konstatohet se: Ankesa vjen për produktin i cili tregtohet në subjektin C me vendndodhje në rrugën Andon Zako Çajupi, ndërkohë grupi i inspektimit kryen verifikimin në magazinat qendrore.
Pra ka një mospërputhje midis veprimit që duhet të kryenin inspektorët dhe vendin ku duhet të kryenin inspektimin, me veprimin që kanë bërë konkretisht.
“Inspektorët si fillim duhet të shkonin për inspektim në vendin ku tregtohet produkti për të cilin është bërë ankesa, pra në C, Rruga Andon Zako Çajupi, për të verifikuar nëse subjekti ka gjendje nga ky produkt dhe të kryenin provat, nëse fshihet data e skadencës apo jo. Dhe më pas të shkonin, edhe në magazinën qendrore, për të verifikuar të njëjtin produkt nga i njëjti Lot, për arsye se produkti që kanë verifikuar inspektorët, mund të jetë i një Loti tjetër, nga ai produkt për të cilin është bërë ankesa”, sqaron raporti i KLSH.
Mga ana tjetër nuk dokumentohet se me çfarë materiali/send është provuar, nëse fshihet apo jo data e skadimit të produktit. Po ashtu, nuk është marrë produkti me qëllim verifikimin, ekzaminimin, ekspertizën e fshirjes apo jo të datës së skadencës.
“Për sa më siper, inspektimi nuk është i plotë dhe nuk pasqyron saktë situatën”, konkludon KLSH. Në fakt, një kopje e materialit mund t’i dërgohej edhe emisioneve të humorit, pasi është skenar i gatshëm për t’u luajtur. (vijon)
——
*Çfarë është HACCP?
HACCP, i cili përshkruhet si analiza e rrezikut në industrinë ushqimore, quhet “Analiza e Hazardit dhe Pikat e Kontrollit Kritik”. Qëllimi i HACCP është që të marrë masa për eleminimin e elementeve që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut. Gjatë ekzaminimit, merren parasysh të gjitha fazat në zinxhirin ushqimor. Këto faza mund të renditen si përgatitje, përgatitje, prodhim, transport, ruajtje, paketim, ruajtje dhe dërgesë. Pajtueshmëria me kushtet e higjienës është thelbësore në çdo fazë. Rreziqet e konsumatorit lindin nga ekspozimi ndaj ndërveprimit mikrobiologjik, kimik ose fizik të ushqimit. Shkurtimisht, HACCP mund të konsiderohet si një sistem i sigurimit të cilësisë së ushqimeve.
Qendra Alert
alert.al/
LINI NJË KOMENT