Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Lavdrim Sahitaj, ka reaguar ndaj denoncimeve në median sociale ‘Kukësi Denoncon’, nga ana e një qytetari, se ka parregullsi në tregtimin e bukës në lidhje me gramaturën. Ky denoncim ka shërbyer si indicie për ISHMT-në se ka mungesë apo përdorim të parregullt të instrumenteve matëse ligjërisht të kontrolluara nga subjektet tregtare të denoncuara.
ISHMT ka autorizuar menjëherë ngritjen e një trupe inspektimi dhe në ditët e fundit të muajit korrik janë inspektuar 7 subjekte të cilat operojnë në fushën e prodhimit dhe tregtimit të bukës, në qytetin e Kukësit.
Sipas asaj që vetë kryeinspektori Sahitaj ka publikuar në median e tij sociale në Facebook ‘në përfundim të inspektimeve në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”, si dhe ligji 126/2020 “Për Metrologjine” nuk u konstatuan parregullsi nga subjektet si dhe nuk u krijuan indicie për shkelje në këtë fushë veprimtarie’.
Institucioni që ai drejton, ISHMT, shprehet që është e angazhuar për të kryer inspektime të vazhdueshme për monitorimin e instrumentave matëse të përdorura gjatë aktivitetit tregtar, bazuar në plane mujore dhe vjetore, si dhe është në dispozionion të qytetarëve që konstatojnë dhe denoncojnë raste të tilla mashtrimi në treg.
Qendra Alert
alert.al
LINI NJË KOMENT