Menu

Institucionet qendrore përgjegjëse në fushën e mbrojtjes së konsumatorit nuk kanë as rubrikë në faqet zyrtare dedikuar atyre

Mbrojtja e konsumatorit konsiderohet një nga çështjet e rëndësishme për Integrimin Evropian të vendit në aspektin ekonomik. Aktualisht, vendi ynë është larg realizimit të standarteve, madje edhe në aspektin formal në këtë fushë.  30  bashki  nuk kanë ende Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ndërsa pjesa më e madhe e institucioneve në qeverisjen qendrore, nuk kanë dedikuar as një rubrike të posacme online për konsumatorin.

Qendra “Konsumatori shqiptar”, në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri për të arritur standardet evropiane – PROTECT ME”, mbështetur nga Bashkimi Evropain monitori 24 institucione në nivel qendror me kompetenca në fushën e mbrojtjes së konsumatorit. Nga ky monitorim rezultoi se pjesa me e madhe e këtyre strukturave nuk ofrojnë as informacionin bazë për qytetarët, në nivel qendror. Në nivel vendor mbrojtja e konsumatorëve është përgjegjësi e 61 bashkive.

Në nivel vendor, situata është po aq shqetësuese. Vetëm në 16 bashki ka zyra të posaçme, ku konsumatorët mund të marrin informacion por edhe të ankohen kur përballen me praktika të padrejta si nga institucionet  ashtu edhe sipërmarrja private. Në të gjitha njësitë e tjera vendore, nuk ofrohet asnjë nformacion për konsumatorët edhe në faqen zyrtare të bashkisë.

Mbrojtja e konsumatorëve nënkupton ekzistencën e mekanizmave të nevojshëm të garantuar nga ligji dhe aktet nënligjore  për mbrojtjen e konsumatorëve, si aktorët       më  të  dobët në marrëdhënien juridike konsumatore.

Ekspertja e kontraktuar nga Qendra “Konsumatori shqiptar” monitoroi faqet zyrtare dhe rubrikave dedikuar  mbrojtjes  së konsumatorëve së 24 institucione të qeverisjes qendrore, me kompetenca në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, si edhe 61 bashkitë. Nga monitorimi rezulton se 1 nga 24 institucionet shtetërore nuk edhe ka faqe zyrtare.

Vetëm shtatë institucione  qendrore kanë pjesë të faqes së tyre zyrtare një rubrikë të dedikuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe në të pasqyrojnë të gjithë informacionin e detajuar për mbrojtjen e tij. Institucionet e tjera nuk e kanë konsideruar ende si përgjegjësi ofrimin e një shërbimi të tillë. Në vetëqeverisjen  vendore,  mbrojtja  e  konsumatorëve është fokusuar tek bashkitë. Për herë të parë Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorëve në vetëqeverisjen vendore u hap në vitin 2011 në Bashkinë e Tiranës dhe sot  funksionon si Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, me një staf prej 188 punonjësish. Vec Tiranës zyrat për Mbrojtjen e Konsumatorëve funksionojnë edhe në 15 bashki, por me një apo dy specialist në secilën prej tyre.  Ndërsa në 15 njësi të tjera detyrat për mbrojtjen e konsumatorëve, edhe për produktet jo-ushqimore, u janë besuar nënpunësve të tjerë të bashkisë. Në 30 bashki nuk ka asnjë përpjekje për ngritjen e zyrave të tilla.

Znj Ersida Teliti, nga Qendra “Konsumatori Shqiptar” thekson se: “Hapja e zyrave për konsumatorin është detyrim ligjor për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ekzistenca e rubrikave dedikuar konsumatorëve me informacione që lidhen me kuadrin ligjor, detyrimet e palëve, mjetet dhe mënyrat e ankimit, lidhen jo vetëm me të drejtën e informimit, por gjithashtu me realizimin efektiv të të drejtave të konsumatorëve.” Teliti pohon se rezultatet e këtij monitorimi u janë bërë me dije institucioneve respektive, duke kërkuar prej tyre  edhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

*Ky raport monitorimi është kryer në kuadër të projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri për të arritur standardet evropiane – Protect me”, që po zbatohet nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, me mbështetjen e Bashkimitr Evropian. Projekti ka në fokus të tij, rritjen e kapaciteteve të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe jo vetëm, në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve në nivel qendror apo vendor.   

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed