Këto fruta pylli të ngrira, nëse i gjeni në markete, refuzojini. Janë të kontaminuara me Hepatit A. Bëhet fjalë për produktin “Ardo fruit berry mix”, të prodhuara në Hungari. AKU, si dhe sistemi RASFF (Sistemi i Alertimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë) në portalin e konsumatorit, kanë njoftuar për produktet me numër loti I42013 se është i kontaminuar me Hepatit A.
“Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASSF (Sistemi i Alertimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë), pas analizave laboratorike të kryera është konstatuar prani e virusit të Hepatitit A në fruta pylli të ngrira në produktin “Ardo fruit berry mix” (përzierje fruta pylli), me Nr. Loti I42013 dhe me origjinë nga Hungaria.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme nëpërmjet kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit. Në bashkëpunim me operatorët e biznesit ushqimor janë kryer menjëherë njoftimet paraprake dhe thirrja për konsumatorët që e kanë blerë atë, të mos e konsumojnë, por ta kthejnë pranë subjektit pranë subjektit ku e kanë blerë”, njofton Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
LINI NJË KOMENT