Znj.Ministre! Në një deklaratë të një dite më parë, ju, pra MBZHR kundështoi dhe përgenjeshtroi një deklaratë të një zyrtari të Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Z.Gjok Vuksani, i cili marrë shkas nga Emisioni ALERT, kishte bërë një deklaratë në kuadër të subjektit politik që përfaqëson.
Së pari, Z.Vuksani, për rastësi ishte i ftuar në ALERT si pedagog në UBT, si agronom, si njohës i bujqësisë dhe si ish-Drejtor i AZHBR dhe është e drejta e tij te bëjë deklarata teknike apo politike. Këtë të fundit, nuk e ka bërë në asnjë moment gjatë emisionit, pasi kam dashur të qëndroj jashtë dhe larg politikës, anshmërive politike, pavarësisht se herë cënohen e herë mbrohen iniciativa apo vendimmarrje politike.
Së dyti, nga deklarata e vartwsve tuaj, u vu re se nuk ishit dakord as me shifrat e publikuara gjatë emisionit, të cilat për hir të së vërtetës, ishin të frikshme në raport me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Gjithësesi, duket se nuk ishit dakord me shifrat e publikuara nga vetë dy institucionet tuaja të varësisë, ligjzbatuese, AKVMB dhe AKU, te cilave jua kishim kërkuar dhe u përgjigjen në mënyrë zyrtare.
Znj.Krifca! Përsa më sipër dhe referuar deklaratës tuaj të djeshme, kam disa pyetje për Ju, përgjigjet e të cilave mund t’i ktheni po me një deklaratë publike, ose në Emisionin ALERT, kur të keni deshirë dhe mundësi ju. E rëndësishme është që publiku, konsumatorët të kenë një përgjigje dhe informacionin e duhur (personalisht unë jam i qartë). Siç dhe ka gjatë të ndodhë, edhe mund të mos përgjigjeni fare, ne kemi të drejtë vetëm t’ju bëjmë pyetjet.
- A iu duken normale statistikat e mbetjeve të antibiotikëve në vezë dhe mjalt?
- A iu duken normale rezultatet e analizave të mbetjeve të pesticideve në fruta-perime?
- A është normale që në këto rezultate analizash të rezultojë edhe prezencë pesticidesh apo antibiotikë të ndaluar?
- A iu duket normale se për të gjitha sa më lart, por edhe për rastet kur qumështi rezulton me aflatoksinë, nuk ka asnjë masë konkrete as nga ana e institucioneve për gjurmueshmërinë dhe asnjë informacion për konsumatorët, asnjë komunikim risku?
- Në lidhje me alert-et nga RASFF që ju e përmendni, sa raste eksportesh keni monitoruar ju? Sepse plani i mbetjeve nuk është për eksportet!!! Apo është për eksportet dhe tregu vendas nuk monitorohet???!!! (Vetëm nga 1 prill 2023 deri më 10 prill, në portaline konsumatorit RASFF, janë 3 raste produktesh ushqimore që kanë rezultuar me probleme në BE)
- Po Shqipëria sa raste ka deklaruar në RASFF?
- A është mostruar ndonjë produkti importit?
- Cilat janë masat që janë marrë në të gjithë zinxhirin, nga të gjitha institucionet dhe cilat kanë qenë rezultatet për rastet e analizave jokonform (pozitive)?
- Gjatë deklaratës tuaj, përse nuk thatë një fjalë të vetme për impaktin e Fletores së Fermerit, e cila “festoon” dhe 1-vjetorin?
- Çfare ka përmirësuar Fletorja në lidhje me gjurmueshmërinë?
- Çfare i kontrollon AKU kësaj fletoreje dhe si është reflektuar ajo në Planin e Mbetjeve?
- Çdo rast jokonform është ndjekur bazuar në ligj nga strukturat përgjegjëse për të zbuluar hallkën e zinxhirit e cila ka nevojë të përmirësohetm, thoni ju në deklaratën tuaj, pa sqaruar se cilat kanë qenë masat dhe sa rastë janë zbuluar; këshillime, studime për përmirësim nga MBZHR etj.?
- Sa ton produkte jokonfom janë asgjësuar dhe çfarë produktesh ushqimore?
- Kur flisni për RASFF, sigurisht që produktet blegtorale mbeten jashtë, sepse ne nuk eksportojmë. Po situata e produkteve blegtorale si është? Aflatoksina, qelizat somatike, infeksionet, antibiotikët…???
- Në RASFF dalin edhe raste me infeksione Jovetëm me mbetje!
- Si në rastin e Planit të Monitorimit të Mbetjeve, ashtu dhe në Planet Vjetorë të Inspektimeve të AKU dhe AKVMB, si nuk ka asnjë rast komunikimi që X produkt, X fermë, prodhues apo importues, ka këto produkte në treg që të mos konsumohen?
Duke iu falenderuar për vëmendjen, konsumatorët presin përgjigjet tuaja.
Granit Sokolaj
Drejtor i Qendrës ALERT
Autor dhe moderator i Emisionit ALERT
LINI NJË KOMENT