Nga Alketa ÇEKU*
‘Ne jemi çfare hamë’. Kjo shprehje citohet shpesh nga mjekë dhe dietologë. Por, në Shqipëri shpesh qytararët nuk e dinë çfarë konsumojnë, kjo pasi produktet ushqimore tregtohen pa informacionin e nevojshem dhe herë herë duke mashtruar dhe shkelur hapur Ligjin “Për Ushqimin”, si dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.434, datë 11.7.2018 “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”.
Rastet që do të paraqesim janë fotografuar në disa supermarkete, ku shihet qarte se filetot, krahet, cungu i pulës dhe pulat tregetohen pa asnje informacion mbi origjinën e produktit.
Blerësi tentohet të manipulohet me etiketën pule e freskët, por mungon origjina për të kuptuar nëse eshte pulë importi ose e vendit, vendi i origjinës, prodhuesi, importuesi, tregtari dhe afatet e përdorimit.
Konsumatorët janë në ‘terr informativ’ ne lidhje me produktet që konsumojnë, sepse subjektet i tregëtojnë duke anashkaluar bazën ligjore, ku saktëshet se, duhet të deklarohet vendi i origjinës ose i prejardhjes për produktet ushqimore të importit.
Në marketet dhe supermarketet e kryeqytetit, siç tregojnë edhe fotot, informacioni i vetëm që ka blerësi është çmimi i shitjes.
Mungesa e etiketimit i hap rrugën manipulimit dhe mashtrimit që mund t’i bëhet konsumatorit. Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi ne Tiranë, kryesisht dyqanet që tregetojnë mish nuk informojnë blerësin jovetëm për origjinën e mishit, thertoren etj, por edhe për çmimin.
Këto foto janë shkrepur në disa dyqane mishi në kryeqytet. Mungon jo vetem informacioni për origjinën e produktit, por edhe çmimi.
Tregëtimi i mishit dhe i nënprodukteve të tij pa deklaruar çmimin i hap rrugë abuzimit, duke ndikuar drejtperdrejt te xhepi i qytatarëve.
Edhe pse ligjet dhe udhezimet janë të qarta, mjafton një vëzhgim në dyqanet e kryeqytetit për të kuptuar se, ato janë të pazbatueshme.
Blerësi nuk ka asnje informacion të saktë nëse mishi është vendi ose i ardhur nga shtetet tjera. Në mungesë të çmimit dhe etiketës infomuese, që duhet të vendoset te një pjesë e dukshme e banakut dhe të tregojë origjinën e mishit, kohën kur është therur dhe mënyrën ruajtjes, konsumatorit i mbetet vetëm të besojë atë që thotë shitësi dhe jo atë që duhet të lexonte të deklaruar në etiketë.
Shpeshherë, në rrjetet e supermarketeve ka produkte të tilla me mbishkrimin “fileto pule (apo dhe produkte të tjera) X kompani”. Por këto kompani, jovetëm që nuk kanë stabilimente për mbarështimin e pula për mish, por nuk janë as importues. Me mijëra konsumatorë mashtrohen çdo ditë, ndërkohë që produktet mund dhe janë të importuara nga Brazili, Zelanda e Re, Hungaria etj, i importon X kompani, i blen një tjetër Y kompani, i shet te rrjeti i marketit dhe konsumatori nuk është në dijeni të këtyre detajeve. Për të mos diskutuar më tej se sa herë ngrihen e shkrihen, gjë kjo tërësisht e ndaluar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është institucioni që ka për detyrë të inspektojë e kontrollojë çdo subjekt dhe operator biznesi ushqimor. Shkelje të tilla janë lehtësisht të verifikueshme nga inspektorët, mjafton që cilësia e inspektimit të jetë në nivelet e duhura.
*Autorja e shkrimit është gazetare në fushën investigative, me një eksperiencë 10-vjeçare. Ish-kryeredaktore e emisionit investigativ “Boom” dhe aktualisht gazetare ingestigative në Ora Neës.
** Ky publikim është prodhuar në kuadër të projektit “ALERT pë mbrojtjen e konsumatorit”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Qendrës ALERT dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së ose të qeverisë gjermane.
LINI NJË KOMENT