Menu

Ngordhja e rreth 240.000 pulave të Aiba, Rea’s dhe Ovvital mund të ketë ndodhur nga drithrat me mykotoksina. Gripi shpendësh? Përse s’mund të ketë ende panik për shëndetin publik?

Ngordhja e rreth 240 mije shpendëve duket se ka alarmuar institcionet shtetërore, por edhe entet publike, pasi 3 stabilimenteve në Qakun Durrës, Aiba, Rea’s dhe Ovvital, iu ka shkaktuar një dëm mjaft të madh ekonomik. Ndërkohë që flitet për grip shependësh, shqetësimi më i madh dhe alarmi mund të jetë për shëndetin publik dhe panikun e mundshëm tek konsumatorët.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, “nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri deri më tani. “Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve”, thuhet në njoftim, sipas të cilit, “rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.  Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme. Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike”, thuhet në njoftim.

Por, Qendra ALERT, duke tentuar të qetësojë konsumatorit dhe t’i vijë në ndihmë konsumatorit me informacione të vlefshme, bën të ditur se, ngordhja e kaq shumë pulave në 3 stabilimentet në Qarkun Durrës, mund të ketë ardhur nga ushqimi. Sipas burimeve tona, DYSHOHET dhe nuk është ende e konfirmuar që, stabilimentet e larpërmendura, të jenë furnizuar me misër apo drithra tjera për ushqimin e shpendëve për vezë, të kontaminuara me mykotoksina. Ndoshta, nisur dhe nga mundësia e një produkti më të lirë në treg, bazuar në kostot e larta të kohëve të fundit edhe të ushqimit për kafshë e shpendë. Gjithësesi këto janë dyshime dhe ende nuk ka asnjë rezultat zyrtar të analizave.

Nga ana tjetër, nëse do të kishim të bënim me sëmundje të tillë, pra gripin e shpendëve, rastet mund dhe duhet të ishin edhe në shpendët e egër, pulat e oborreve, por edhe të shpërndara në stabilimente apo zona të tjera. Ndërsa në lidhje me shqetësimin për shëndetin publik, edhe nëse do të konfirmohet se kemi të bëjmë me influecën aviare, do të duhet të vertetohet se çfarë shtami, lloji është, pasi jo të gjitha kanë rrezik për shëndetin e njeriut.

Nëse do të vërtetohet helmimi nga ushqimi, kjo sërish do të jetë një alarm për konsumatorin, pasi tregon faktin se ushqimet për kafshë, të cilat reflektohen në produkt për konsumatorin, nuk kanë nivelin e duhur të kontrolleve nga strukturat respektive në të gjithë zinxhirin dhe kjo bën me përgjegjësi edhe drejtuesit teknik të këtyre stabilimenteve. Ndërkaq, tregon dhe mungesën e një ligji të mirëfilltë për Ushqimin për Kafshë, të cilin Shqipëria, ndryshe nga vendet tjera, nuk e ka, por e ka të përfshirë në pak rreshta brenda Ligjit për Ushqimin.

 (vijon…)

Qendra ALERT – Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed