Menu

Plas gripi i shpendëve, Shqipëria ndalon importin nga Greqia të pulave të gjalla dhe nënprodukteve të tyre

Qeveria ka ndaluar importimin e shpendëve të gjallë dhe të therur, si dhe nënprodukteve të tyre nga Greqia. Ministrja e Bujqësisë, Milva Ekonomi ka firmosur një urdhër para dy ditëve që përcakton masat për parandalimin e futjes së gripit të shpendëve nga shteti fqinj.

Pas informacioneve të marra nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe të Shpendëve, Shqipëria ka vendosur embargo për shumicën e rajoneve të Greqisë Veriore.

Urdhri i ministres Ekonomi

Urdhri me nr.238 datë 4 qershor 2021, mban titullin “Për disa masa mbrojtëse ndaj influencës aviare me patogjenitet të lartë të shpendëve, të shfaqur në shtetin e Greqisë”.


 

Ministrja përcakton ato zona të Greqisë ku ka plasur gripi i shpendëve.  “Urdhëroj ndalimin e importit dhe tranzitimin për në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga territori i shtetit të Greqisë për ndarjen administrative Maqedoni dhe Trakë, specifikisht për rajonet Imathia, Thessaloniki,Pella, Kilkis, Pierri, Seres, Chalkidiki, Thasos, Kavala, Drama, Xhanthi, Rohdope dhe Evros, ndarja administrative Epir dhe Maqedonia Perëndimore, specifikisht rajonet Thesprotia, Ioannina, Arta, Preveza, Florina, Grevena, Kastori, dhe Kozan për:

  1. Shpendët shtëpiakë të gjallë dhe të egër
  2. Zogjtë 24-orësh
  3. Shpendët dekorativë
  4. Materiali biologjik i shpendëve
  5. Vezët e shpendëve
  6. Mishi i shpendëve
  7. Nënproduktet e shpendëve”

Urdhri nënvizon që certifikata veterinare duhet të përcaktojë origjinën e ngarkesës së ardhur.

Lista e shteteve ku Shqipëria ka ndalur importin e shpendëve

Kështu Greqia i shtohet listës me 15 shtete, nga të cilat Shqipëria nuk importon shpendë dhe misin e tyre, qysh nga muaji prill i këtij viti. Qeveria ka ndaluar importimin e shpendëve të gjallë dhe të therur, si dhe nënprodukteve të tyre nga 15 shtete të Europës, si dhe Izraeli.

Urdhri i lëshuar nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, “Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës avariare me patogjenitet të lartë të shpendëve”, mban datën 23 prill 2021 dhe është i publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 29 prill.

Vendimi argumentohet me rrezikun e importimit të të ashtuquajturit grip të shpendëve, që rezulton të jetë i përhapur gjerësisht në shtetet më kryesore të Europës, si në Gjermani, Francë, Itali, Kroaci, Poloni, Hungari, Rumani, Çeki, Sllovaki, Holandë, Belgjikë, Danimarkë, Lituani, Ukraine, si dhe në shtetin e Izraelit.

Vendimi i Ministrisë së Bujqësisë sanksionon ndalimin e importit dhe tranzitimit për në territorin e Republikës së Shqipërisë, të shpendëve të gjallë shtëpiakë dhe të egër; zogjtë 24-orësh; shpendë dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; importimin e vezëve, mishit si dhe nënprodukteve të shpendëve nga 15 shtetet europiane dhe Izraeli.

Paralajmërimi i EFSA

Vendimi i qeverisë shqiptare vjen pas sinjaleve të qarta për një epidemi të gripit të shpendëve të përhapur gjerësisht në Europë.

Sipas Autoritetit Europian të sigurisë ushqimore EFSA në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021 janë zbuluar mbi 1000 raste të infektimeve nga një virus tepër ngjitës i quajtur HPAI A(H5), i përhapur në shpendë të egër dhe të butë.

alert.al/

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed