Menu

Salmonella dhe Campylobacter, në nivele të larta të rezistencës ndaj antibiotikëve

Referuar një raporti të publikuar nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve  (ECDC) dhe Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA), rezistenca ndaj antibiotikëve në bakteret Salmonela dhe Kampilobakter është ende e lartë.

Kampilobakterioza  ishte zoonoza më e raportuar në BE në vitin 2020 dhe shkaku më i shpeshtë i raportuar i sëmundjeve ushqimore. Kampilobakteret te njerëzit dhe shpendët vazhdojnë të tregojnë rezistencë shumë të lartë ndaj ciprofloxacin, një antibiotik fluorokinolon, që përdoret zakonisht për të trajtuar disa lloje të infeksioneve bakteriale të njeriut.

Tendenca në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve të klasës fluorokinolone është vërejtur te njerëzit dhe pulat për Kampilobakter Jejuni. Te Salmonela Enteritidis, lloji më i zakonshëm i Salmonelës tek njerëzit, u vërejtën tendenca në rritje të rezistencës ndaj klasës së antibiotikëve kinolone/fluorokinolone. Tek kafshët, rezistenca ndaj këtyre antibiotikëve për Kampilobakter Jejuni dhe Salmonela Enteritidis ishte përgjithësisht në shkallë më të lartë.

Megjithatë, pavarësisht tendencave në rritje të rezistencës ndaj disa antibiotikëve, rezistenca e njëkohshme ndaj dy antibiotikëve me rëndësi kritike mbetet e ulët për E.coli, Salmonela dhe Kampilobakter, si nga njerëzit ashtu edhe nga kafshët prodhuese të ushqimeve.

Një rënie e rezistencës ndaj tetraciklinave dhe ampicilinës te Salmonela nga njerëzit u vu re në nëntë nga dhjetë vende, përkatësisht, gjatë periudhës 2016-2020 dhe kjo ishte veçanërisht e dukshme te Salmonela Typhimurium. Pavarësisht rënies, rezistenca ndaj këtyre antibiotikëve mbetet ende e lartë si nga njerëzit ashtu edhe nga kafshët.

Për më tepër, në më shumë se gjysmën e vendeve të Bashkimit Evropian, kanë një prirje statistikisht domethënëse në rënie në prevalencën e E. coli-t që prodhon β-laktamazë me spektër të zgjeruar (ESBL) dhe kjo u vu re në kafshët prodhuese të ushqimeve. Ky është një zbulim i rëndësishëm, pasi shtame të veçanta të E. coli që prodhojnë ESBL janë përgjegjëse për infeksione serioze te njerëzit.

Rezistenca ndaj karbapenemit mbetet jashtëzakonisht e rrallë në E. coli dhe Salmonela nga kafshët që prodhojnë ushqim. Karbapenemët janë një klasë e antibiotikëve të zgjidhjes së fundit dhe çdo gjetje që tregon rezistencë ndaj tyre në bakteret zoonotike është shqetësuese.

Megjithëse gjetjet dhe tendencat janë në përputhje me të dhënat e raportuara në vitet e mëparshme, pandemia COVID-19 pati një ndikim në sasinë e të dhënave të raportuara, veçanërisht në lidhje me shëndetin publik.

Një mjet interaktiv i vëzhgimit të të dhënave tregon nivelet e rezistencës tek njerëzit, kafshët dhe ushqimet, nga vendi në vend në 2019 dhe 2020.

Për më tepër, të dhënat e rezistencës ndaj antibiotikëve ndaj ushqimit dhe ujit te njeriu publikohen në Atlasin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Infektive të ECDC (për  sëmundjet që lidhen përkatësisht me kampilobakteriozën, salmonelozën dhe shigelozën).

Me poshtë gjeni raportin e plotë të EFSA:

https://efsa.onlinelibrary.wiley.com/doi/epdf/10.2903/j.efsa.2022.7209

Marrë nga EFSA.eu

Qendra ALERT – Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed