Menu

60 % e njerëzve në botë nuk kanë besim te ushqimi dhe uji i sigurt, besueshmëria te autoritetet, shumë e ulët

Deri në 60 për qind e njerëzve në të gjithë botën, sipas një zondazhi, janë të shqetësuar se, ushqimi që ata do të hanë do t’i dëmtojë në dy vitet e ardhshme. Më shumë se gjysma gjithashtu presin që do të dëmtohen seriozisht në dy vitet e ardhshme duke ngrënë ushqim të pasigurt. Sondazhi u krye nga Gallup si pjesë e Sondazhit të saj Botëror dhe bazohet në intervista me 150,000 njerëz në 142 vende në gjysmën e dytë të 2019. Anketa Botërore e Rrezikut e Fondacionit “Lloyd’s Register” zbuloi gjithashtu se, më shumë se gjysma e atyre që u pyetën janë të shqetësuar për sigurinë e ujit që pinë.
Shtatëmbëdhjetë përqind e të anketuarve, përfaqësues i një miliard njerëz në të gjithë botën, thanë se ata ose dikush që ata e njohin pësuan dëme nga ushqimi që hëngrën në dy vitet e fundit dhe 14 përqind ose 823 milion, janë prekur seriozisht nga uji që pinë. Globalisht, 4 përqind e të rriturve e identifikuan ushqimin ose ujin e pasigurt, si një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e tyre të përditshme.

Ushqimi i modifikuar gjenetikisht shihet si një rrezik i lartë me 48 përqind të njerëzve në të gjithë botën, të cilët thonë se, ata mendojnë që këto ushqime, kryesisht do të dëmtojnë njerëzit gjatë 20 viteve të ardhshme. Kjo pikëpamje mbahet kryesisht nga njerëzit në vendet me të ardhura më të larta, ku ushqimet OMGJ konsiderohen si një çështje sigurie, siç është në Greqi ku 84 për qind e atyre që pyeten mendojnë se ushqimet GM kanë më shumë gjasa t’i dëmtojnë ato. Në vendet me të ardhura më të ulëta, 42 për qind mendojnë se, ato do t;i ndihmojnë kryesisht njerëzit gjatë 20 viteve të ardhshme.
Ndarja gjeografike
Markus Lipp, nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, tha se sondazhi ka pamjen e parë globale të qëndrimeve dhe vetëdijes së njerëzve për rreziqet që paraqesin ushqimet dhe pijet e papërshtatshme. “Duke kuptuar se si njerëzit i shohin rreziqet e sigurisë ushqimore, atë për të cilën shqetësohen dhe atë që nuk e konsiderojnë kurrë, ne mund të krijojmë ndërhyrje që janë të përshtatshme dhe praktike, në mënyrë që njerëzit të veprojnë në interes të tyre dhe të jenë të sigurt dhe të shëndetshëm”, tha ai.
Sondazhi tregon se barra e sëmundjeve të lidhura me ushqimin është shumë e lidhur me nivelet e zhvillimit ekonomik, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të prekura në mënyrë disproporcionale. Të dhënat për çështjet që lidhen me dëmtimin nga ushqimi dhe uji janë të rralla dhe shpesh, në rajonet më të varfra, ku problemet janë më të rëndësishme.
Nivelet më të mëdha të dëmit nga ushqimi ndodhin në Afrikën Lindore, ku 29 përqind përjetuan dëme dhe në Lindjen e Mesme, ku 27 përqind u dëmtuan. Vendet dhe territoret që përjetuan më shumë dëm nga ushqimi ishin në botën në zhvillim; tre të parët ishin Liberia me 52 përqind, Zambia me 51 përqind dhe Mozambiku me 45 përqind.
Sidoqoftë, në këto rajone nivelet e shqetësimit për ushqimin janë më të ulëta se shkalla e dëmit me Afrikën Lindore me 25 përqind të shqetësuar dhe Lindjen e Mesme me 22 përqind të shqetësuar. Në Afrikën e Veriut, një e katërta e njerëzve kanë përjetuar dëm nga ushqimi dhe uji, por vetëm 16 përqind shqetësohen për këtë.
Në Afrikën e Jugut, Amerikën Latine dhe Karaibe, nivelet e dëmit të përjetuara nga ushqimi janë të larta, përkatësisht me 26 përqind dhe 22 përqind, por nivelet e shqetësimit janë më të larta në 43 përqind dhe 33 përqind.
Besimi në agjencitë zyrtare
“Rezultatet e Sondazhit të Rrezikut Botëror gjithashtu zbulojnë që autoritetet e sigurisë ushqimore duhet të marrin në konsideratë me kujdes kanalet që ata përdorin për të shpërndarë informacionin thelbësor nëse do të jetë efektiv”, tha Dr. Sarah Cumbers, Drejtore e Provave dhe Depërtimit në Lloyd’s Register Foundation. “Ata duhet të kërkojnë mënyra për të krijuar besim në mesin e njerëzve më të kërcënuar nga ushqimi dhe uji i pasigurt, duke përshtatur mesazhet e tyre dhe rrugët e komunikimit për njerëzit në nevojë, në përputhje me audiencat e ndryshme që u drejtohen”.
Sondazhi për Rrezikun Botëror të Fondacionit të Lloyd’s Register. do të përsëritet tre herë në gjashtë vitet e ardhshme. Raundi tjetër i mbledhjes së të dhënave fillon në 2021.
Sondazhi zbuloi se, vetëm 15 përqind e njerëzve që kërkojnë informacion në lidhje me sigurinë e ushqimit dhe ujit i besojnë më shumë qeverisë së tyre për t’i siguruar ato. Njerëzit të cilët kanë raste të sëmundjes nga ushqimi ose uji kanë më pak gjasa t’u besojnë qeverive për informacion.
Pothuajse një e treta e të anketuarve preferojnë t’u besojnë informacionit nga familja dhe miqtë dhe një në pesë nga profesionistë të mjekësisë. Rreth gjysma e njerëzve në ekonomitë me të ardhura të ulëta kërkuan informacione për sigurinë e ushqimit nga të famshëm ose udhëheqës fetarë.
Popullatat e vendeve të zhvilluara kanë më shumë gjasa t’u besojnë qeverive të tyre, por nivelet janë vetëm pak mbi gjysmën në Norvegji me 54 përqind dhe Suedi me 56 përqind.
Në Francë 58 përqind e njerëzve nuk besuan se, qeveria e tyre po bënte një punë të mirë duke mbajtur të sigurt ushqimin që blinin. Në Evropën Lindore, më shumë se gjysma thanë se qeveritë e tyre nuk po bënin një punë të mirë për këtë. Pothuajse gjysma e atyre në rajonin e Amerikës Latine, Karaibe, Evropën Jugore dhe Lindjen e Mesme gjithashtu u dhanë qeverive vlerësime të dobëta për sigurinë e ushqimit.

Marrë nga FoodSafetyNews.com

Qendra ALERT – Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed