Menu

Dhjetëra arsyet 30-vjeçare përse nuk eksporton Shqipëria produkte me origjinë shtazore në BE. Hallkat e këputura të zinxhirit “Nga ferma në tavolinë”

Nga Mariglen Mërtiri*

Shqipëria prej vitit 1992, kur miratoi me Bashkimin Europian Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, mund të eksportonte produkte me origjinë shtazore lirshëm në vendet e unionin. Por, përse edhe pas thuajse 29 vitesh fermerët shqiptarë dhe bizneset e medha nuk mund të eksportojnë kafshët e gjalla dhe mish në këto vende, duke e dëmtuar joipak ekonominë e fermave, si dhe të vendit?

Ky frenim dhe kjo pamundësi për të realizuar këtë objektiv lidhet me shumë arsye të dukshme dhe mjaft të padukshme në realitetin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Ky problem kërkon vëmendje në disa aspekte siç janë ato ligjore, organizative dhe profesionale.

Në thuajse 3 dekada Shqipëria nuk ka mundur të sigurojë produktet me origjinë shtazore që nga lindja e kafshës e deri në tryezën e konsumatorit, pasi këto hallka të zinxhirit kanë qenë ose jo funksionale, ose të shkëputura dhe nuk ndërvepronin me njëra-tjetrën. Duke mos plotësuar kështu kushtet që rrjedhin nga nje kuader rregullativ ligjor shume strikt, siç është “Direktiva 2002/99/EC e 16 Dhjetorit 2002”, që përcakton rregullat e shëndetit të kafshëve që rregullojnë prodhimin, përpunimin, shpërndarjen dhe prezantimin e produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor.

Për të arritur objektivat e kërkuara Shqipërisë i duhet realizimi i standardeve teknike  e profesionale nga fermerët, indurtria e përpunimit, si dhe infrastruktura mbështetëse në të gjithë zinxhirin e prodhimit, përpunimit, magazinimit, transportit, e deri tek konsumatori fundor duke përmbushur objektivin final, “nga ferma në tavolinë”.

Ekspertët e fushës të pyetur mbi këtë kufizim që blektorisë shqiptare i bëhet në vite, si dhe i produkteve blegtorale, duke i frenuar në rritjen e kapaciteteve të tyre dhe shtuar informalitetin dhe rrjedhimisht ulur edhe fitimet, thonë se procesi ka qenë dhe mbetet shumë kompleks, madje akuzojnë edhe drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë në vite që nuk e kanë pasur prioritet këtë çështje në punën e tyre.

“Sot nuk ka një sistem i cili garanton sigurinë ushqimore të konsumatorëve vendas, sepse ka një destabilitet të instituciononeve kompetente, ndryshimi i strukturave drejtuse, shkrirja e istitucioneve, stafi i cili nuk njeh legjislacjonin edhe nuk është i trajnuar për të kryer detyra specifike”,  deklaron Edi Fero, mjek veteriner dhe ish-Drejtor i Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë.

Edi Fero

Ish-kreu i Veterinarisë, Edi Fero, e sheh me shqetësim edhe mostrajtimin në mënyrën e duhur të kafshëve, si dhe mungesën e një strategjie të rreptë të lëvizjes së kafshëve nga ferma në fermë, duke shkaktuar një transmetueshmëri të sëmundjeve dhe rrezikuar më pas edhe konumatorët.

“Shqipëria nuk ka status “free” për sëmundjet zoonotike (të trasmetueshme nga kafsha tek njeriu) si bruceloza, tuberkulozi dhe antraksi; nuk ka nën kontroll lëvizjen e kafshëve në territor, hallkë kjo që është kryesore pasi ndalon trasmetimin e semundjeve nga ferma ne fermë. Nuk ka një strategji të qartë për luftimin e falsifikimit ushqimor, fenomen që është vrastar në aspektin shëndetësor, por edhe ekonomik për fermerin, sepse konkuron në mënyrë të padrejtë produktet origjinale”, deklaron ish-kreu i Shërbimit Veterinar, Edi Fero.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar evidenton një sërë arsyesh se, përse egziston ky hendek dhe përse për produktet me origjinë shtazore nuk po tejkalohet pengesa. Ata kostatojnë se, më së shumti fragmentarizimi dhe informaliteti, janë pengesat kryesore në këtë proces, por dhe konkurrenca e pandershme dhe mungesa e mbështetjes me buxhet nga strukturat shtetërore. Kreu i Këshillit të Agrobiznesit, Agrim Rrapaj detajon arsyet e mungesës së eksporteve me BE.

“Forma joefiçente e organizimit të fermave blegtorale, shoqëruar me një nivel të ulët të kooperimit dhe koordinimit të subjekteve që prodhojnë ushqim dhe atyre që mbarshtojnë kafshë për prodhim produktesh me origjinë shtazore. Fragmentarizimi shumë i madh i tyre dhe informaliteti i lartë. Kostoja e lartë e prodhimit, konkurenca e pandershme në tregun vendas e disa produkteve me origjinë shtazore të importuara; mungesa e mbështetjes me prioritet e subjekteve bujqësore që prodhojnë ushqime për blegtorinë, mos vlerësimi deri në neglizhencë totale e mbështetjes për sektorin dhe veprimtarinë e zooteknikëve në prodhimin e ushqimeve për blegtorinë, janë disa prej arsyeve kryesore”, shprehet Rrapaj.

Për Këshillin e Agrobiznesit si grup interesi në këtë sektor, në vend janë ndjekur politika fiskale të gabuara per rimbursimin e TVSH-së, për prodhimet e fermerëve vendas, ku rimbursimi i TVSH-së u ul nga 20% në 6%. Sipas Rrpajt, ka mangësi të theksuara për mbeshtetje me financime për hartimin e standarteve shqiptare të produkteve me origjinë shtazore dhe përafrimin e tyre me ato të BE-së. “Mangësi shumë e theksuar është dhe mosprogramimi buxhetor për funksionimin dhe mirëmbajtjen e laboratorëve dhe Sistemit të Identifikim-Rregjistrimit të Blegtorisë ose si quhet shkurt, sistemi elektronik ‘RUDA’, do ta mbajnë ende Shqipërinë larg eksporteve të këtyre produkteve në BE”, vijon më tej Rrapaj.

Megjithëse gjatë viteve janë bërë përpjekje për realizmin e disa prej kërkesave për të arritur këtë proces, Bashkimi Europian në progres raportet vijon ta konstatojë problem mosplotësimin e rekomandimeve dhe çdo vit ka qenë konkret në pikat e fokusuara, ku Shqipëria duhet të orintojë energjitë për të realizuar këtë proces.

Në raportin e fundit të 2020 thjuhet se, “Shqipëria ka bërë ca progres lidhur me zbatimin e masave përkatëse në sektorin e sigurisë ushqimore dhe veterinare, si dhe në regjistrin e kafshëve. Megjithatë, deri tani, ristrukturimi i sektorit veterinar mbetet ende për t’u zbatuar. Shqipëria duhet të hartojë një udhërrëfyes koherent për të siguruar harmonizimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e acquis-it të BE-së mbi kontrollet zyrtare, shëndetin e kafshëve dhe shëndetin e bimëve në kuadrin e një politike të konsoliduar të sigurisë ushqimore”.

Ky vlerësim i pjeshëm ka ardhur pasi Shqipëria është duke realizuar një reformë në sektorin veterinar, duke u munduar t’i japë zgjidhje shumë shqetësimeve të fermerëve por edhe bizneseve të këtij sektori. Qendra Alert, në korespodencën që pati me Ministrinë e Bujqësisë mori si përgjigje se kjo çështje është prioritet dhe po punohet në këtë drejtim por mbetet komplekse si çështje.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

“Shqipëria është e listuar në në listën e vendeve të treta që mund të eksportojnë në BE produkte me origjinë shtazore për konsum human të tilla si peshk, produkte peshku, vezë për industrinë, produkte vezësh, qumësht të trajtuar dy herë termikisht, këmbë bretkosash, kërmij dhe zorrë, si dhe produkte për konsum jo human të Kategorisë 3. Aktualisht jemi duke punuar për rihapjen e eksportit të molusqeve bivalve dhe vezë të klasit A dhe presim të auditohemi nga shërbimet e Komisionit Evropian. Sigurisht, eksporti i produkteve me origjinë shtazore në BE është ndër prioritetet e MBZHR, por ky është një proces kompleks dhe jo vetëm i Shqipërisë”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Bujqësisë.

Ekspertët e pavarur nga shoqëria civile në Dhjetor të 2020, në takimin me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbi Kapitullin 12 dhe Sigurinë Ushqimore konstatuan dhe dhanë sygjerimet e tyre për nxitjen e këtij procesi.

“Shqipëria tregton vetëm disa produkte të certifikuara në nivel industrie, ndërsa produktet me origjinë shtazore nuk nxirren jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye është i nevojshëm një kontroll i vetëm autoritar veterinar, ngjashëm me atë që është sot në BE. Vetëm në këtë mënyrë prodhimet me origjinë shtazore shqiptare mund të arrijnë të gjitha kriteret dhe të lëvizin lirshëm në tregun europian”, propozuan ekspertët në Kuvend, kur diskutohej përafrimi i legjislacionit të Shqiperisë me BE-në në kudrin e integrimit.

Ndërtimi i Sistemit të Gjurmueshmërisë mbetet pika ku më së shumti problematika duket se nuk po merr zgjidhje, pasi është ky sisteim, i cili ndjek kafshën që në lindje, rritje, therje, tregtim dhe deri sa mishi dhe produktet e tjera shtazore shkojnë per konsum human. Pra, kafsha nuk gjurmohet nëpërmjet matrikullimit, e cila është pasaporta e saj, ku mund të evidentohen shërbimet, mejkimet, vaksinimet, analizat, të gjitha këto të dokumentuara. Më pas, kur kafsha shkon në thertore, veterineri që vendos vulën mbi mishin duhet të sigurohet që ta ç’regjistrojë nga sistemi këtë kafshë dhe të shkruaj ne regjistër që kafsha ishte e shëndetshme apo e sëmurë.

Mundësitë e Shqipërisë janë që ky sektor premtues të zhvillohet edhe më shumë dhe me potencialet që ka të bëhet konkurruese në rajon.

“Ashtu sikurse Shqipëria prodhon 1 milionë vezë në ditë mund të prodhojë edhe 30 milionë krerë “broiler” (pula mishi) aq sa është kërkesa vjetore, pasi realisht prodhon 7 milionë”, deklaron Edi Fero, i cili kapacitetet e vendit tonë i sheh me shumë optimizëm, pasi sipas tij, në 28 mijë km2, Shqipëria ka 36 % të  territorit me kullota nga ku mund të mbajë rreth 6 milionë krerë të imta, dele dhe dhi në regjim kullotor, shifër kjo e cila ka qenë prezente në vendit tonë që prej vitit 1928. Por që të arrihen këto, Ferro thotë se, duhet të shmanget ndikimi i lobingjeve të importuesve në vendimmarrjet legjislative të Ministrisë së Bujqësisë, plotësimi i nevojave të vendit me mish pule, derri dhe gjedhi, si dhe ngritja e një strukture të posaçme për thithjen e fondeve nga Brukseli për bujqësinë shqiptare.

Shqiperia, për nevojat e tregut vendas ka importuar dhe vijon të importojë produkte me origjinë shtazore, mesatarisht mbi 200 milionë euro në vit, ku ne %, vendin e parë e zë importi i mishit dhe nënproduktet e tij.

Shqipëria në vitin ‘91 e në vazhdim bëri reformën për ndarjen e tokës dhe të blegtorisë, ku përfituan tokë bujqësore, referuar të dhënave nga Këshilli i Agrobiznesit, 460 mijë familje dhe u regjistruan fillimisht 354 mijë ferma bujqësore dhe blegtorale, nga të cilat 292 mijë familje përfituan kafshë dhe filluan të merren edhe me blegtori. Kjo reformë u shoqërua me një formë organizimi jo efiçente, që krijoi një terren të përshtatshëm per informalitet. Aktualisht edhe pas 30 viteve, vëtëm 17 % e fermerëve janë të formalizuar.

Pamje nga Tregu i Kafsheve, Milot

Po kështu, është edhe situata e tregjeve agro-blektorale në vend. Ata cilësohen si hallka më e dobët e zinxhirit të këtij sektori. Ekspertët e bujqësisë në dhjetor 2020 raportuan dhe rekomanduan zgjidhje para deputetëve në Kuvend, por konstatuan se nga 33 tregje blegtorale, vetëm 2 i plotësojnë kriteret e kërkuara.

Tregjet agro-blegtorale në Shqipëri mbeten një problem shumë i madh për funksionimin e tyre me standartet minimale të kërkuara. Ndaj, ata janë një pengesë serioze për realizmin e qëllimit të eksportit të produkteve me origjinë shtazore.

“Edhe ato pak tregje që plotësojnë standartet minimale, konkurohen në mënyrë të pandershme nga shitësit informal ambulant. Gjithashtu, kemi një mangësi serioze lidhur me inventarin e mjeteve të specializuara për transportin e kafshëve të gjalla nga stalla në tregjet agro-blegtorale dhe thertore”, deklaroi Agim Rrapaj

Këshilli i Agrobiznesit thotë se, mungon koordinimi mes subjekteve prodhuese, transportuesve, tregjeve agro-blegtorale, thertoreve, pikave të therjes, njësive të shitjes dhe subjekteve të ushqimit social. Dhe, kjo sipas tyre ndodh në radhë të parë për shkak të informalitetit të lartë, programimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të mjeteve financiare nga buxheti i shtetit për të gjitha hallkat e zinxhirit.

Reforma veterinare në proces

Ministria e Bujqësisë kërkon të adresojë shumë nga shqetësimet që po e mbajnë larg bujqësinë shqiptare nga hapja e tregjeve dhe mundësive të reja për shkak të mungesës së kontrolleve dhe pamundësisë për ta bërë të besueshëm produktin “Made in Albania”. Ndaj prej vitit 2020 është duke u zbatuar reforma veterinare me anë të “Ligji nr. 70/2020: Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 10465, date 29.09.2011,“Për Shërbimin Veterinar në  Republikën  e Shqipërisë”,.

Disa nga risitë e kësaj reforme janë Krijimi i Autoritetit Kombëtar Veterinar të Mbrojtjes së Bimëve, ndarja e politikbërjes nga inspektimi dhe ndarja e detyrave të mjekëve veterinarë, në veterinerë kontrolli dhe veterinerë shërbimi, që në total do të shtrihen në të gjithe vendin  në mënyrë kapilare dhe janë mbi 580 të tillë, për të pasur më shumë monitorim mbi sigurinë e produkteve me origjinë shtazore.

Kreu i Urdhrit të Mjekut Veteriner, Dr.Ymer Elezi i sheh përparësitë e kësaj reforme në 3 nivele, shtrirja gjeografike në bashki dhe njësi bashkiake, ndarja e shërbimit veterinar shtetëror në trupë kontrolli dhe veprimtari shërbimi, si dhe rritja e kapaciteteve njerëzore në 12 drejtoritë rajonale të vendit.

“Mbulohet i gjithë territoi i vendit dhe ofrimi i shërbimit nga mjeku veteriner sa më afër fermës, bazuar edhe në tipin e mbareshtimit të blektorisë, në rregjim stallor dhe në regjim kullosor. Përfshihen të gjitha shërbimet veterinare dhe merr përparësi sistemi i gjurmueshmërisë, përmes sistemeve aktuale të I&R të kafshëve, zbatimi praktik i programeve të profilaksisë shtetërore dhe zbatimin e masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive”, – deklaroi Ymer Elezi, President i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar Shqiptar.

Por reforma e veterinarisë është e vonuar dhe ende e pakompeltuar në mënyrën se si është konceptuar ndaj mjaft grupe interesi e shohin edhe si eksperimentin e radhës të bërë nga politika shqiptare.

“Zvarritja për shumë kohë dhe eksperimente të shumta jo efiçente po bëhen me reformën e veterinarise”, theksoi Agim Rrapaj

Gjithsesi, edhe pse e papërfunduar reforma e veterinarisë është mbështetur dhe përshëndetur edhe nga raporti i fundit i Komisionit Europian dhe shihet si një mundësi për ta shtyrë para procesin e mbetur në vendnumëro të eksportit të produkteve me origjinë shtazore drejt vendeve të BE-së.

Qendra ALERT / Alert.al

*Autori i shkrimit ushtron profesionin e gazetarit prej 12 vitesh. Ka mbaruar studimet për Gazetari në Universitetin e Tiranës. Ai ka ushtruar profesionin e gazetarit në disa media të shkruara dhe vizive, duke qenë dhe gazetar investigativ. Aktualisht, është redaktor i lajmeve ne Televizionin Neës24 dhe bashkëpuntor në projektin e Qendrës ALERT.

Ky botim u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Permbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e autorit të shkrimit dhe e Qendrës Alert, si dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed