Menu

Mersini: Filtrat që kalon mishi për të qenë i sigurt tek konsumatori

I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Kujtim Mersini epidemiolog veterinar, pedagog në UBT ka folur për filtrat që kalon mishi për të qenë i sigurt në tryezën e konsumatorit.

“Si është dhe si duhet të jetë siguria ushqimore? Pothuajse për të gjitha sëmundjet që janë zoonotike, shërbimi veterinar garanton që mishi të jetë i sigurt në tavolinat tona. Flasim nga lindja e kafshës deri kur theret është përgjegjës shërbimi veterinar. Ne kryejmë profilaksinë veterinare, pra vaksinim për brucelozën dhe plasjen, që është antraksi. Vaksinimi për brucelozën kryhet në të gjitha fermat e bagëtive të imta, ndërsa vaksinimi për plasjën në të gjitha speciet e kafshëve thundrake që janë vatra të përcaktuara historike të sëmundjes apo vatra të reja. Profilaksia është e përvitshme. Kemi gjurmime për sëmundjen e turbekulozit, është kronike, testohen kafshët në ferma që janë në zona risku. Normalisht duhet të shtrihet në të gjithë territorin. Që këtu parandalohet kalimi i kafshës së sëmurë drejt thertores, ky është filtri e parë. Një tjetër filtër është survejanca e përgjithshme, kur mjeku veterinar e dyshon sëmundjen dhe njofton menjëherë veterinerin zyrtar, i cili merr masa për bllokimin e sëmundjes dhe mospërhapjen e saj. Ndodh në nivelin e fermës. Filtri i dytë i kontrollit janë tregjet e kafshëve të gjalla. Që në muajin tetor shërbimi veterinar është unifikuar dhe është hap pozitiv përsa i përket kontrollit të sëmundjeve dhe gjurmueshmërisë së tyre. Këta veterinerë operojnë në të gjitha tregjet, ku kemi veteriner që kontrollon statusin shëndetësor të kafshës, certifikatën e lëvizjes dhe shëndetësore, kafsha është vizituar klinikisht dhe nuk janë aplikuar substanca antibiotike në trup, pra është e lejuar për të lëvizur. Nga tregu filtri i tretë është vetë thertorja. Veterineri zyrtar në ferma bën kontroll të dytë para therjes dhe pas therjes së kafshës. Sigurisht ka problematika pa fund, por kemi një sistem që po qëndron në këmbët e tij. Kemi 1 veteriner për 10 fshatra, të cilët nuk kanë mjete transporti dhe punojnë me kostot e tyre. Brenda 10 fshatrave kemi 1 mijë ferma dhe 10 mijë kafshë për veterinerë, kjo është norma që kemi sot”-tha Kujtim Mersini.

Emisioni Alert

Qendra Alert/Alert.al

Postime të ngjashme

LINI NJË KOMENT

Make sure you enter the(*) required information where indicated. HTML code is not allowed