I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Prof. Dr. Krisaq Berxholi, ish-drejtor i ISUV dhe ish-pedagog në UBT ka folur për skandalin e kontrollit të mallrave me origjinë shtazore në Portin e Durrësit, ku në pamjet e publikuara nga Qendra Alert, shihet se kontrollet bëhen pa asnjë kriter, duke cënuar kështu sigurinë ushqimore.
“Është e pafalshme kjo mënyrë veprimi me mallrat në Portin e Durrësit. Nuk jam kundër që policia të kontrollojë, por mënyra e kontrollit me produkte të tilla me origjinë shtazore kërkon disa veprime si psh “Mishi të piqet dhe helli mos të digjet”. Pra, që kontrolli të bëhet, por dëmi të mos bëhet në produktet ushiqmore. Nga pamjet tregohet se pasojat nuk janë të vogla.
- Lidhen me ftohjen minus 18 gradë në kontejnerë, nxirren në ambient me temperaturë të lartë, pra kemi ngritjen e teperaturës së produktit.
- Është problemi i kontaminimit, pasi aty kishte piru, aty ka rrezik që të hyjë brenda produktit, detyrimisht ambienti është i ndotur. Të dhënat shkencore flasin që mikrobe të ndryshme që janë të rrezikshme për problemet e sigurisë ushqimore, madje deri te botulizmi që ka nisur të rishfaqet kohët e fundit, mund të ekzistojë në ato ambiente ku hapen dhe nxirren paletat jashtë. Nuk është aspak normale kjo mënyrë veprimi.
- Një mënyrë veprimi është ngritja e një ambienti me ftohje të mbyllur dhe aty të bëhen të gjitha kontrollet, ose të plumbosen nga policia apo të shoqërohen mahunat dhe të shkojnë e të kontrollohen në ambientin e caktuar, në prani të policisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Habitem se edhe herën e parë, AKU nuk ishte prezent, as Ministria e Bujqësisë nuk dinte gjë dhe nuk reagoi. Nuk them që Ministria e Bujqësisë të ndërpresë punën e policisë, por duhet të ndërhyjë për të gjetur rrugën më të përshtatshme të kontrollit”-deklaroi Prof. Dr. Krisaq Berxholi.
Qendra Alert/Alert.al
LINI NJË KOMENT